Deklarata e ambasadores amerikane në NATO, paralajmërim për Kosovën

Politika

Deklarata e ambasadores amerikane në NATO, paralajmërim për Kosovën

Nga: P.R. Më: 19 tetor 2024 Në ora: 14:05
Julianne Smith

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të donin që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, program ky i NATO-s, i cili synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë dhe shërben si rrugë për ato vende që synojnë që një ditë të bëhen pjesë e NATO-s.

Por për të arritur këtë, Smith ka thënë se Kosova fillimisht duhet të shënojë përparim në dialogun me Serbinë.

Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, tha Smith.

E deklarata e ambasadores Smith duhet të merret seriozisht nga Kosova sipas ekspertit dhe njohësit të sigurisë, Bedri Elezi.

Deklarata e ambasadores amerikanë në NATO-s, Julianne Smith në lidhje me programin e NATO-s si dhe përfshirjen e Kosovës në këtë program apo partneritetin për paqe, mund të themi se është një deklaratë e fortë sa i përket detyrave dhe detyrimeve që Kosova ka në raport me dialogun dhe kështu t’i mundësojë te themi një progres Kosovës drejt anëtarësimit në familjen më të madhe të sigurisë, NATO”, shprehet Elezi për “Bota sot”.

Image
Bedri Elezi

Sipas tij, mesazhi Smith vjen në kohen kur Kosova nuk është në një pozicion të mirë në arenën ndërkombëtare.

Në fakt kjo deklaratë e cila vjen në këtë kohë kur Kosova shihet qartë se ka një pozicionim jo të mirë të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës së Bashkimit Evropian në lidhje me politiken e saj sa i përket detyrimeve dhe zotimeve që i ka pasur në lidhje me marrëveshjet me Serbinë apo në lidhje me përpjekjet për paqen e cila përpjekje nga SHBA duket se është serioze dhe se është e qartë që ka për qëllim vendosjen e një programi të paqes i cili do të garantojë paqe për një kohë të gjatë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Gadishullin Ballkanik dhe Bashkimin Evropian”, deklaron Elezi.

“Më këtë rast, duhet të kemi kujdes në momentin kur përfaqësuesit e qeverisë amerikane dhe të gjitha institucionet japin mesazhe të qarta në lidhje me detyrat apo detyrimet që kemi në raport me zotimet që kemi bërë, ngase proceset të cilat janë tejet të nevojshme siç është anëtarësimi në NATO apo edhe në strukturat tjera ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, shton Elezi.

Më tej, ai thotë se deklarata nga Smith, është një lloj paralajmërimi për pasojat që mund t’i ketë Kosova si shtet në aspektin e sigurisë.

“Në këtë rast ne mund te themi se edhe kjo lloj deklarate është si një lloj paralajmërimi për pasojat që Kosova mund të ketë në të ardhmen në aspektin e sigurisë, e posaçërisht marrëdhënieve që ka me NATO-n si garantuese e sovranitetit të Republikës së Kosovës përmes rezolutës 1244, rezolutë që zbatohet pemës KFOR-it në Kosovë”, shpjegon Elezi.

“Andaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të marrin parasysh të gjitha veprimet, të gjitha deklarimet e të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që japin faktori ndërkombëtar, e posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe t’i zbatojnë në të gjitha nivelet në mënyrë që koha apo afatet e Kosovës për anëtarësim në këtë familje tejet të rëndësishme në aspektin e sigurisë të jenë sa më të shkurta, apo te kemi një progres dhe jo një regres në organizimin e sigurisë afatgjate”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Bedri Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat