Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi/Zbërthehet skenari që mund të ndodhë në bisedime – ja për çfarë paralajmërohen palët!

Politika

Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi/Zbërthehet skenari që mund të ndodhë në bisedime – ja për çfarë paralajmërohen palët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 tetor 2024 Në ora: 16:06
Petar Petkoviq, Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Të enjten e 24 tetorit, në Bruksel pritet të zhvillohet raundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Përshëndetje, po, mund të konfirmoj takimin e kryenegociatorëve në Bruksel më 24 tetor”, tha Stano.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti.

Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut.

Agusholli: Duke njohur mirë politikën serbe, nuk kam pritshmëri që të ketë ndonjë përparim në këto bisedime

Image
Gramos Agusholli

Në lidhje me këtë takim të radhës dhe prishmëritë nga këto bisedime, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.

Ai thotë se në këtë raund të diskutimeve Kosovë-Serbi duhet një reflektim i kujdesshëm nga emisarët specialë evropianë.

Sipas tij, duhet përgjegjësi reale pasi nuk kemi të dënuar ende asnjë për rastin e Banjskës.

Në këtë raund të diskutimeve Kosovë-Serbi, që pritet të zhvillohet të enjten e ardhshme, është shumë me rëndësi që të reflektojnë me kujdes emisarët specialë evropianë, si Peter Stano, Manuel Sarrazin, dhe të gjithë të tjerët që raportojnë mbi progresin dhe regresin e palëve të përfshira.

Këto diskutime nuk duhet të jenë vetëm një kronikë e zhvillimeve të kaluara, por një moment shumë i rëndesishëm për të vënë theksin tek përgjegjësitë reale.

Edhe pse deri tani nuk ka asnjë të dënuar në Serbi për rastin e Banjskës, pavarësisht kërkesave të Bashkimit Europian për hetime të thelluara, Kosova ka vazhduar të tregojë gatishmëri për të respektuar kërkesat ndërkombëtare. Shembulli më i fundit është lejimi i mallrave serbe për të hyrë në Kosovë, një hap që u ndërmor sipas kërkesës së BE-së dhe SHBA-së”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti vë në në pah që Kosova ka vepruar në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

Ndër tjera Agusholli thekson që nuk mund të vazhdohet me një situatë ku vetëm njëra palë përmbush obligimet, ndërsa pala tjetër tregohet e ngurtë dhe totalisht e pavullnetshme.

Gjithashtu, Kosova ka vepruar në përputhje me kërkesat për çështjen e urës mbi lumin Ibër, duke ndjekur rrugën e bashkëpunimit.

Megjithatë, tani është koha që presioni diplomatik të drejtohet mbi Serbinë. Pavarësisht vullnetit të mirë të Kosovës, duhet të kërkohet me ngulm që Serbia të mbajë përgjegjësi dhe të veprojë sipas standardeve ndërkombëtare. Nuk mund të vazhdohet me një situatë ku vetëm njëra palë përmbush obligimet, ndërsa pala tjetër tregohet e ngurtë dhe totalisht e pavullnetshme.

Duke njohur mirë politikën serbe, nuk kam pritshmëri që të ketë ndonjë përparim në këto bisedime me 24 tetor”, foli Agusholli për “Bota sot”.

Duhanaj: Jemi para proceseve të mëdha zgjedhore dhe nuk ka ndonjë gatishmëri që palët të shtyhen tek një marrëveshje

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet skeptik për zhvillime pozitive për Kosovën.

Ai thekson që këto bisedime po vijnë si hapi i parë pas takimit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Dialogu i Brukselit, i cili sipas paralajmërimeve pritet të rifillojë, pas një "status quo", nuk besoj që në ketë fazë do të ketë ndonjë dinamikë të re, e cila do të dyshonte ndjeshëm situatën.

Thjeshtë vjen si hapi i parë pas takimit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili ndikojë që të thyhen barrierat ekzistuese për mundësi takimesh.

Nisur nga zhvillimet, mendoj se e gjithë kjo kohë, sidomos përgjatë Qeverisë Kurti, nuk ka qenë se ka ndodhur ndonjë zhvillim pozitiv për Kosovës”, foli ai.

Tutje, analisti nënvizoi bashkëbisedimin me disa kritika për kryeministrin, duke dhënë porosi që duhet një qëndrim i qartë dhe unik rreth kësaj teme.

Pra, progres mund të nxjerrësh ose me anë të forcës, ose nëse nuk e ke forcën, duhet urti, mençuri dhe shkathtësi për të krijuar miq të ri.

Për fat të ketë, asnjërën nga këto nuk mund t'i atribuohen kryeministrit Kurti

Tanimë edhe ashtu jemi para proceseve të mëdha zgjedhore dhe nuk ka ndonjë gatishmëri që palët të shtyhen në tek një marrëveshje, pos që ka qëllime ta mbajnë procesin në Lëvizje.

Kosova duhet të jetë e gatshme që sidomos pas zgjedhjeve nacionale në vend, të ketë qëndrim të qartë dhe unik rreth kësaj teme.

Për mendimin tim, nuk është Kurti njeriu i duhur, i cili plotëson kriteret të cilat kërkohen për të qenë i suksesshëm”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat