Raportet Kosovë-Serbi tash e një kohë janë të tensionuara, me serbët që vazhdimësi provokojnë.
Kësisoj, duke parë veprimet e qeverisë së Beogradit, situata në Ballkan nuk është aq stabile dhe e qetë.
E në lidhje me situatën e sigurisë rajon dhe Kosovë, foli politologu bullgar, Dr. Anton Pançev.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Serbia po rrezikon sovranitetin e disa shteteve, jo vetëm të Kosovës.
Megjithatë, duke parë prezencën e trupave të NATO-s, Pançev tha se Serbia nuk do jetë në gjendje të nis një konflikt të hapur.
“Problemet me stabilitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë cak i Serbisë dhe i agjendës së saj nacionaliste janë të shumta, sepse Beogradi rrezikon integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë e Kosovës, të Bosnjës, të Malit të Zi, kontrollon dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut. Mendoj se Serbia nuk është në gjendje që të fillojë ndonjë konflikt më të hapur, sepse nuk i ka fare resurset e nevojshme që t’i kundërvihet NATO-s, por do t’i përforcojë veprimet e saj diversive duke thelluar problemet ndëretnike në disa vende dhe duke e bllokuar procesin eurointegrues përmes politikanëve të kontrolluar prej Beogradit. Nga ky lloj politike të Serbisë dëmtohen edhe pakicat serbe në vendet fqinje, sepse nuk mund të integrohen në shtetet ku jetojnë dhe humbin perspektiva ekonomike, sociale, kulturore”.
Politologu bullgar, specifikisht foli edhe për mundësinë e një inkursioni serb në veri të Kosovës, ku tha se shteti serb nuk do ndërhyjë ushtarakisht, por vetëm dëshiron destabilizimin e kësaj pjese të vendit.
“Gjithmonë mund të presim ndonjë incident si ky në Banjskë vjet, sepse grupet ekstremiste serbe nuk janë shpërbërë dhe përdoren si instrument nga Beogradi për ta tensionuar situatën në momente të caktuara. Siç thashë, Serbia nuk është në gjendje që të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, por do të vazhdojë me përpjekjet për destabilizimin e pjesës veriore përmes strukturave serbe”, përfundoi Anton Pançev për “Bota sot”.