Bojkotimi i seancave të jashtëzakonshme, rriten ‘tensionet’ mes pozitës e opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare

Politika

Bojkotimi i seancave të jashtëzakonshme, rriten ‘tensionet’ mes pozitës e opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 20 tetor 2024 Në ora: 08:59
Kuvendi i Kosovës

Pozita dhe opozita duke se kanë ashpërsuar qasjet mes vete.

Vërehet qartazi se mungon një koordinim, sa i përket edhe mbarëvajtjes së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vlen të theksohet, se vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit, në Kuvend u mbajtën katër seanca, ku tri prej tyre ishin të jashtëzakonshme.

Seancën e parën, që ishte vazhdim i seancës plenare, e lëshoi opozita, kjo pasi nuk kaloi kërkesa e tyre për debat parlamentar për bisedën mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radoiçiqit.

Ndërsa, tri të jashtëzakonshmet u mbajtën pa partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, përfaqësuesit e të cilës vendosën t’i bojkotonin këto seanca.

Madje, në mungesë të deputetëve e përfqësuesve të tjerë të LVV-së, Kuvendin e drejtuan nënkryetari nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe ai nga LDK, Kujtim Shala.

Duket se partia në pushtet, nuk do e përfill opozitën dhe kërkesat e saj, ku kështu ngriten dyshime edhe mbi funksionalitetin e Kuvendit, marrë parasysh edhe faktin që as kryeparlamentari Konjufca nuk ka zbatuar detyrën e tij.

E njohësit e çështjeve politike komentuan këto bojkotime që po i bëhen senacave të jashtëzakonshme, nga ana e pozitës.

Tahiri-Beqa: Fatkeqësisht, bojkotimi tregon mostolerancë dhe mospërfaqësim demokratik

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli politologia, Arta Tahiri-Beqa.

Si fillim, ajo u shpreh se kur kanë mbetur jo shumë kohë deri te mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, është e natryshme që të gjitha partitë politike, të synojnë dhe të kenë më shumë reagime dhe kritika ndaj njëra-tjetrës.

Image
Arta Tahiri-Beqa

“Duke qenë në një proces parazgjedhor, pothuajse dy-tre muajt e fundit kanë ngelur, ku të gjitha subjektet politike dhe partitë politike, pozitë dhe opozitë, mundohen që të kenë sa më shumë qasje dhe reagime, të cilat nxjerrin në pah dështimet e qeverisë nga ana e opozitës. Të gjitha këto thirrje nga ana e opozitës, mendoj që është si synim për të pasur, një qasje më të drejtë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për të kërkuar llogaridhënie nga pozita për realizimin apo mosrealizimin adekuat të projekteve për të cilat ato janë zotuar.

Ky është një sistem në fakt parlamentar, i cili kërkon një llogaridhënie para fushatës, e cila është e dëmshme sa i përket përfaqësuesve të popullit, të cilët gjenden në Kuvend, sepse nuk duhet pritur momentumi i fundit për të reaguar në këtë rast nga opozita, kjo është dashur të jetë në kohë, sepse dihet që kjo qeveri ka pasur jashtëzakonisht shumë dështime sa i përket mënyrës së qeverisjes apo dikasterit të ministrisë, dhe të mos pritet të ndodhë një gjë e tillë, që është duke e bërë pozita, fatkeqësisht bojkotimi i këtyre seancave të jashtëzakonshme”, u shpreh politologia.

Krahas kësaj, Tahiri-Beqa kritikoi bojkotimin e seancave të Kuvendit, pasi tha se të zgjedhur e popullit duhet të jenë koherentë dhe të përgjigjen me argumente pro dhe kundër.

“Fatkeqësisht, bojkotimi tregon mostolerancë dhe mospërfaqësim demokratik, sepse nuk duhet mohuar që opozita përfaqëson gjithashtu interesat e disa qytetarëve të popullit që përbëjnë një përqindje tek dyzet e nëntë përqind. Kështu, duhet të jenë koherentë në çdo seancë dhe të përgjigjen argumente pro apo kundër nga kërkesa që opozita ka për pozitën.

Tashmë mendoj që furishëm, se çdo subjekt politik, pozitë-opozitë, mundohet që të jetë së më afër qytetarëve dhe të përdorë të gjitha metodat e tyre për të dëshmuar seriozitetin e tyre të përfaqësimit”.

Gjithashtu, ajo tha se partitë opozitare, mund të zgjedhin edhe forma të tjera për të dërguar mesazhet e tyre te qytetarët, pasi që alternative për senaca të jashtëzakonshme po iu dështon.

“Opozita, në fakt përpos thirrjeve të jashtëzakonshme apo seancave të jashtëzakonshme, të cilat fatkeqësisht, rë cilat janë të dështuara, ajo duhet të përdorë edhe të gjitha mekanizmat të tjerë, sidomos atë mediatik, për të përçuar mesazhin te çdo qytetar që ato duan ta përçojnë si parti opozitare.

Kurse, pozita mendoj në një sistem demokratik ku përfaqësimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga çdo nivel, atëherë duhet të jetë më koherente dhe korrekte, në këtë rast karshi pyetjeve, por edhe edhe interesave opozitare, sa i përket udhëzilljeve të jashtëzakonshme në seancat e Kuvendit”.

Ndër të tjera, njohësja e çështjeve politik, kritikoi bojkotimet e seancave të Kuvendit nga ana e pozitës, duke kritikuar me theks të veçantë kryeparlamentarin Konjufca.

“Gjithashtu, Kuvendi është pikërisht për të kuvenduar dhe për të nxjerrur në pah të gjitha kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kësisoj, dështimet e njëpasnjëshme dhe bojkotimi i pozitës sigurisht, vë në pah edhe mosfunksionalizimin e duhur të këtij Kuvendi. Mbi të gjitha, nga kryeparlamentari, i cili sado që mund të jetë, dpërfaqësues i pozitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai duhet të mbajë një qëndrim të ekuilibruar dhe të mos ketë interesa personale partiake dhe t'i shërbejë çdo deputeti, i cili është përfaqësues i popullit dhe çdo deputeti i cili ka kërkesat e tyre legjitime dhe zyrtare, se ai përket Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përfundoi Arta Tahiri-Beqa për “Bota sot”.

Halimi: Bojkoti i qeverisë Kurti, vjen si pasojë e dështimeve të tyre

Image
Jeton Halimi

Kurse, analisti tjetër, Jeton Halimi theksoi mungesën e Konjufcës në seancat e thirrura nga opozita.

Ai tha se kjo gjë ndodh si pasojë e dështimeve të qeverisë në disa fusha.

“Seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita u bojkotuan nga shumica parlamentare brenda pak ditësh, madje edhe nga vetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca Kuvendit.

Bojkoti i qeverisë Kurti, vjen si pasojë e dështimeve të tyre. Po kalon mandati i qeverisë Kurti pa kurrfarë suksesi, me ekonomi shumë të keqe dhe me sistem të drejtësisë katastrofale”.

Po ashtu, analisti vlerësoi se Kuvendi nuk është stabil dhe nuk e ka seriozitetin e duhur.

“Gjykata Kushtetuese ia kthen shumicën e ligjeve të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, të votuara nga Kuvendi Kosovës dhe të dërguara nga opozita në gjykatë. Kuvendi Kosovë nuk është stabil dhe nuk e ka seriozitetin që duhet ta ketë, si Kuvendi ku miratohen ligjet, kjo ka domethënie shumë të madhe”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat