Raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet më 24 tetor në Bruksel.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim në nivel kryenegociatorësh, mes atij të Kosovës Besnik Bislimi dhe homologun e tij nga Beogradi, Petar Petkoviq.
Qëllimi i takimit është të diskutohen mënyrat se si të ecet përpara në procesin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Mirëpo, nuk dihet se sa i efektshëm pritet të jetë ky takim, marrë parasysh zhvillimet e fundit dhe faktit të zgjedhjet e reja parlamentare janë afër.
E për këtë çshtje në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Së pari, ai tha se këto takime po zhvillohen vetëm për të dhënë përshtypje kinse po bisedohet dhe përmes tyre po synohe të ruhet fryma e dialogut.
Sipas tij, Qeveria duhet ta rishqyrtojë pozicionin e pjesëmarrjes në takimet me Serbinë, kjo për disa arsyje.
“Dialogu kur Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve nacionale, ka vetëm një qëllim, krijimin e përshtypjes se palët po bisedojnë. Në fakt me këto takime synohet të ruhet vetëm një frymë e dialogut dhe përgatitje e terrenit për negociatat pas formimit të Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025!
Unë mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej ta rishqyrtonte pozicionin e pjesëmarrjes në takimet e Brukselit pas vendimit të BE për njohjen e parasaportave ilegale të Qendrës Ilegale serbe dhe liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia që qytetet e Kosovës i paraqet si të Serbisë”.
Krahas kësaj, Syla kritikoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e BH-së, kjo sipas tij do duhej të bëhej përmes një reciprociteti.
“Gjithashtu ka qenë dashur që Qeveria Kurti heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës ta marrë mbi një vendim reciprok. Nuk ka kuptim që serbëve të Republika Srspka-s t’u mundësohet të vijjnë këtu pa asnjë pengesë. E mbaj mend, vendosja e vizave pati ndodhur pas BH kishte vendosur viza për kosovarët. Shtetet veprojnë mbi baza të reciprocitetit. Ndryshe kjo në Ballkan lexohet si dobësi!
Vendimi unilateral nuk është dashur te merret edhe për fakti se BeH e shtyrë nga Serbia ka penguar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, nënvizoi ish-ambasadori.
Më tej, ai tha se në mungesa e një pozicioni të qartë të BE për sulmin terrorist në Banjskë është dashur të jetë një moment kthese në këtë dialog.
Madje, tha se këto negociata po shndërrohen në instrumente për akomdimin e interesave të Serbisë.
“Nëse qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës, pse të mos të presin edhe qytetarët e BH para ambasadave të Kosovës! Në fund te fundit, VV në filozofinë e vetë vazhdimisht e ka ifurmuar parimin e reciprocitetit dhe mendoj duhet t’i qëndroj këtij parjmi.
Po ashtu, mungesa e një pozicioni të qartë të BE për rastin e agresionit ushtarak në Banjskë është dashur të jetë një moment kthese në këtë dialog, i cili, dorën në zemër, ka devalvuar dhe nga viti ne viti po shndërrohet në një instrument për akomdimin e interesave hegjemoniste të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, vlerësoi Syla.
Në fund, ish-ambasadori theksoi edhe çështjen e Asociacionit, për të cilën kishte edhe një porosi për qeverinë e Kosovës, ku ndër të tjera e këshilloi që fokusi i saj duet të jetë dhe vetëm procesi i anëtarësimit në BE dhe në NATO
“Rasti i Gjykatës Speciale në Hagë duhet të jetë shembulli më i mirë që naiviteti kushton shtrenjtë. Prandaj, Kosova, për aq kohë sa nuk është pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe derisa nuk njhet nga të gjitha vendet e BE-së nuk duhet të pranojë me asnjë çmim formimin e një asoacioni përtej pikës 3 të marrëveshjes së prill 2013, e cila qartë thotë: “Struktura e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohet në bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe do të ketë presidentin, zv/presidentin, kuvendi dhe këshillin.”
Unë e di që Beogradi nuk e do një asociacion të tillë dhe as disa miq të saj në Perëndim, por çdo tejkalim i kësaj linje e vë në pikëpyetje stabilitetin dhe funksionalitetin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, fokusi i Kosovës për momentin duhet të jetë vetëm dhe vetëm procesi i anëtarësimit në BE dhe në NATO. Kjo është rruga e vetme për sukses në dialogun e Brukselit, kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe jo marrëveshja/aneksi i Ohrit!” – përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.