Qeveria e Serbisë muajin e kaluar ka nisur procedurat për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend, 13 vjet pasi ishte hequr.
Në një njoftim për media, Qeveria serbe kishte njoftuar se e kishte miratuar një konkluzion, sipas të cilit, do të formohet një grup punues për “shqyrtimin e aktiviteteve dhe masave” për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Shërbimi ushtarak serb, po bëhet një arsye më shumë për largimin e shqiptarëve nga Kosova Lindore.
Kështu thotë profesori nga ajo anë, Refik Hasani.
Hasani për “Bota sot”, u shpreh se së fundi nj të riu shqiptar i ka shkuar ftesa për rekrutim në ushtrinë serbe.
Tutje, ai shton se kjo përbën problem për rininë shqiptare atje, sepse do të detyrohen në shpërnguljen masive të rinjët shqiptarë për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak.
“Serbia, që nga janari 2025, do të rifillojë me shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe më datën 18 të këtij muaji, një i ri student, nga Presheva ka pranuar ftesën për rekrutim në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Serbisë.
Vazhdimi i shpërndarjes së ftesave për rekrutim, për të rinjët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, është shqetësuese duke e parë këtë si një përpjekje për presion do të detyrohen në shpërnguljen masive të rinjët shqiptarë për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak.
Rinia shqiptare, e tri komunave, sapo të mbushin 18 vjeç, përveç që dominon diskriminimi përmes spastrimit etnik-pasivizimit, pasi ekziston diskriminimi në përdorimin e gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, në investime e përfaqësime.
Ku mungon perspektiva, nuk pranohen diplomat nga Republika e Kosovës, mungon Universiteti në gjuhën shqipe, dhe tani edhe shërbimi ushtarak i detyrueshëm, është një arsye tjetër për t’u shpërngulur, pasi i pret ftesa për rekrutim.
Si ka mundësi kur nuk ka përfaqësim, mungon përfaqësimi proporcional në zingjirin komandues të Policisë, si ka mundësi tani të pranojnë dhe të shërbejnë në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, ku nuk ka oficer shqiptarë të kësaj ushtrie në një shtet që vazhdimisht i diskriminon.
Rinia shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ku hasin në grafite antishqipatre, në media të Serbisë ku flitet e shkruhet në kuptimin e urrejtjes, por edhe në asimilim e pastrim etnik”, shprehet i frustruar ai.
Më tej, ai potencon se serbët në çfarëdo mënyre shfaqin urrejtjen ndja shqiptarëve.
Derisa, për këtë vendim, Hasani deklaron se Serbia dëshiron të krijojë pakënaqësi dhe jo vetëm të shqiptarët por edhe të pakicat e tjera që ndodhen atje.
“Në çfarëdo proteste që mbahen në Serbi, përmendemi në kuptimin e një urrejtje, si të pajtohen në këtë frymë që po kultivohet në Serbi të shërbejnë në një ushtri shqiptarët, kështu do të detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht ka një tretman që kaherë ka kaluar kufinjtë e diskriminimit.
Të rinjët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, si mund të jenë pjesë e një shërbimi të detyrueshëm ushtarak të Serbisë, ku i njëjti shtet përkundër mbajtjes dhe organzimit të Referendumit të datës 1 e 2 mars 1992, por edhe pas përfundimit të luftës së UÇPMB-ës dhe Marrëveshjesë së Konçulit, asnjë marrëveshje në mbrojtje të vullnetit plebishitar të kësaj krahine shumicë nuk është duke u zbatuar.
Serbia, përmes rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dëshiron të krijoj pakënaqësi, jo vetëm tek ne shqiptarët por edhe tek hungarezët, bullgarët, boshnjakët, rumunët dhe gjithë pakicat e tjera”, përfundon ai.