Duhen edhe disa muaj që nga zgjedhjet e reja parlamentare, ndërsa partitë politike që nga caktimi i datës së tyre kanë filluar takime me qytetarë dhe premtime nga më të ndryshme.
Partia Demokratike e Kosovës, si parti më e madhe opozitare me kryetar Memli Krasniqi, ka vendosur që në zgjedhje të garojë me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën.
Hamza i cili aktualisht është kryetar i Mitrovicës, pothuajse çdo ditë po mban tubime nëpër vende të ndryshme të Kosovës dhe kryesisht synimet apo premtimet e tij janë për “Një Kosovë më të mirë, më të jetueshme, më të zhvilluar, zhvillim ekonomik e mirëqenie të qytetarëve”,.
Për premtime dhe “mbledhje” të tipit fushate, nuk ia lë prapa as kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku, i cili ndryshe nga kundër kandidatit i tij nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ai fokusin e ka fillimisht në “mitingje” më të vogla kryesisht në fshatra të komunave, në lagje e ambiente të tipit familjar, gjë që sipas tyre, ashtu paraqitet rëndësia e familjes dhe ashtu më së mirti prezantohet koncepti i tyre politik i djathtë që brenda programit “Rruga e Re”, e vendos familjen në qendër.
Në një prej takimeve të fundit të mbajtur në fshatin Zaskok të Ferizajt, tek familja Çerkini, Adixhiku kishte shtuar se ashtu do të vazhdojnë çdo natë, në çdo lagje, e çdo anë, sepse Kosovën ashtu e bëjnë bashkë me njerëzit e tyre.
Të dyja partitë, nuk kanë lënë anash as diasporën, LDK javën e kaluar ka themeluar një nëndegë në Suedinë jugore, ndërsa kandidati Bedri Hamza, para disa javëve kishte mbajtur takime nga më të ndryshme jashtë vendit.
Diasporën nuk e ka lënë anash as kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili javën e kaluar kishte qëndruar në Gjermani nga ku kishte realizuar takime të ndryshme me mërgimtarë, madje duke iu thënë se çdo përparim i Kosovës ka meritë të tyre.
Sikurse Kurti, takime kanë pasur edhe kryetarët e partive AAK dhe NISMA, të cilët pas takimeve u shprehen se kanë marrë mbështetje për ta dërguar zërin e tyre ne parlamentin e Kosovës.
Në anën tjetër, për kandidatët për kryeministër nga ana e PDK-së dhe LDK-së, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.
Bekteshi thotë se ka dy fjalë për Memlin dhe Adixhikun dhe shpreh “dëshirën” e tij se çka do të dëshironte të dëgjonte nga ata.
“ Dy fjalë për Memlin dhe Abdixhikun. Do të dëshiroja fort, që dy liderët e dy partive që e zhvatën shtetin për dy dekada, të dalin në foltoren e parlamentit dhe të denoncojnë paraardhësit e tyre, nëse nuk e kanë kurajën t’i kritikojnë për vjedhjet, le t’i kritikojnë për vendimet fatale që sollën për Kosovën. Nëse, Memli Krasniqi do të hyjë në histori dhe ta shpëtojë partinë nga sëmundjet më të rënda dhe më infektive që pësoi dhe përjetoi gjatë dy dekadave nuk mjafton dorëzimi i pozitës së kryeministrit një bashkëpartiaku, por do t’i duhej guximi të kapte mikrofonin dhe tu drejtohej bashkëpartiakëve dhe popullit shqiptar të Kosovës me këto fjalë: Unë, Memli Krasniqi, u kërkoj falje votuesve të mi dhe nuk pajtohem me idenë për këmbim territoresh, as kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura sidomos për Asociacionin. Unë nuk pajtohem as me vendimet kur bëhet fjalë për demarkacion për Specialen dhe Ballkanin e hapur te Ramës. Unë kurrë nuk do të pranoj të jem vasal i të huajve në dëm të sovranitetit të vendit. Por, Memli thotë se ka një plan për dialogun, por pa pasur guxim të flas për lëshimet e paraardhësve, derisa për diasporën dhe heronjtë heshtin derisa të vijnë zgjedhjet”, deklaron Bekteshi.
Ndërsa, edhe për Abdixhikun ai ka dëshira pothuajse të njëjta.
Sipas tij, nuk rritet partia me “refugjatë” të dëshpëruar që nuk e kanë gjetur veten në partitë paraprake.
“Do të dëshiroja fort, që Lumir Abdixhiku, po ashtu të distancohej nga ish-lideri i tij që e solli në parti, (dhe ky në shenjë mirënjohje e shpalli kryetar nderi të partisë), për të gjitha shkeljet dhe vuajtjet që ia shkaktoi partisë sa ishte filial e PDK-së dhe e shndërroi ne 12%. Lumiri ua ka borxh qytetarëve këto fjalë: Unë, Lumir Abdixhiku, nëse bëhem kryeministër kurrë nuk do të lejoj që pushtetarët pleq e pasanikë të kurohen jashtë vendit, si ish bosi im me buxhet të shtetit, por ata para do tu dedikohen rasteve të rënda, personave pa lidhje politike, fëmijëve e të rinjve. Lumiri, në ditët e sotme e ka shndërruar partinë në vend të azilit, si qendër për refugjatë. Nuk rritet partia me 'refugjate' të dëshpëruar që s’e kanë gjet veten në partitë paraprake. Në kohën e presidentit Rugova LDK-ja kishte kuadrat më të afta në vend, si u bë që këta kuadro të ikin e ju t’i zëvendësoni me “muhaxhire”. Pse lejove mu si ish-bosi yt që gjithë ‘ORA-t e prishura’ të përfundojnë në LDK”, përfundon veprimtari.
Zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025.