Bashkimi Evropian siç duket nuk e ka ndërmend të largojë masat ndëshkuese që i kishte vendosur ndaj Kosovës në vitin 2023, pavarësisht kushteve të plotësuara nga Qeveria.
Madje BE po paralajmëron edhe kushtëzime shtesë për Kosovën sa i përket përfitimeve të mjeteve financiare nga plani i rritjes i BE-së, ku për Kosovën janë paraparë rreth nëntë milionë euro.
“Ajo që mund të them është që këto parakushte do të vlerësohen nga Komisioni përpara pagesave, dhe do të llogarisim rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero, sipas të cilës, ndarja e mjeteve e këtyre do të bëhet vetëm pas vlerësimit të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka nën mbikëqyrje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
E padrejtë ndaj Kosovës
E sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike, Faton Mehmeti, paralajmërimi për masa të reja ndaj Kosovës, është një skandal në vete.
"Pas largimit të masës së Kosovës ndaj produkteve serbe, nuk besoj se ka asnjë arsye të vetme që Kosova të mos përfitojë fondet nga BE. Është fyese që Kosova barazohet me Serbinë, ku njëra palë (Kosova) ka bërë shumë që të ecët para në dialog, derisa pala tjetër (Serbia) veç se ka bllokuar një gjë të tillë", shprehet Mehmeti.
Ai e quan të padrejtë presionin ndërkombëtar që po i bëhet Kosovës.
"Presioni ndaj Kosovës është i tepërt dhe i padrejtë aq sa mund të revoltojë palën shqiptare të Kosovës për t’i thënë një herë e mirë: mjaft diskriminimit dhe paralelizmit të viktimës më agresorin. BE duhet të ketë të qartë se Kosova është shembull i respektimit të marrëveshjes dhe qëndrimit serioz ndaj tyre", shprehet Mehmeti.
"Përparim mund të ketë vetëm nëse BE, SHBA tregohen të rrepta ndaj Serbisë, ndryshe kështu do të vazhdohet pa marrëveshje”, përfundon analisti Faton Mehmeti.
Kritikohet ashpër Lajak dhe Borell
Kurse, analisti Gani Qarri thotë se tanimë është e qartë se ka humbur plotësisht besimi tek BE, e cila në vend që të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ajo paralajmëron masa tjera.
"Përveç mos-ndërmarrjes së asnjë vendimi dhe mos daljes me asnjë qëndrim të qartë e të vendosur të BE-së, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit edhe pas kalimit të më tepër se një viti nga agresioni i armatosur terrorist serb, BE në kohën kur vazhdon të mbaj në fuqi masat e padrejta ndëshkuese, në vend se të bëjë ndonjë hap pozitiv, për rikthimin e besimi të humbur të Kosovës në emisarët pro-serb të BE-së, si Lajçak e Josep Borell, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre, kanë mbajtur hapur, anën e Serbisë në dialog, me vendimin për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të kundërligjshme të Strukturave paralele të Serbisë, ku qytetet e Kosovës, nga Qendra ilegale e Serbisë, paraqiten si qytete të Serbisë”, BE e ka humbur tërësisht edhe atë pak besim, që kishte Kosova në këtë organizatë të rëndësishme politike e ekonomike evropiane dhe ndërkombëtare, nga e cila fatkeqësisht është jo pak, ekonomikisht dhe politikisht e varur!", shprehet Qarri.
Sipas tij, dialogu duhet të vazhdojë vetëm pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit në Kosovë dhe zgjedhjeve presidenciale ne SHBA.
"Përndryshe edhe nën këto kushte, po nga kjo BE, të organizohen takime, kinse për të zhvilluar dialog, kur vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe Kosova gjendet po ashtu, në prag të zgjedhjeve nacionale, krejt kjo aventurë ka për qëllim vetëm avancimin e interesave të Serbisë në rrugëtimin saj drejt Bashkimit Evropian, arsyetimin e vazhdimit të mandatit të ndërmjetësuesit kontrovers sllovak, emisarit Lajçak, si dhe shitjen e mashtrimit publik, se kinse Kosova dhe Serbia vazhdojnë të dialogojnë, gjë që vërtet është vetëm një farsë burokratike e BE-së dhe asgjë më shumë. Në fakt pas zhbllokimit të CEFTA-së dhe samitit të Berlinit, Kosova me synimin që të ruhet e forcohet edhe më tej, fryma e fqinjësisë së mirë, si dhe në shenjë respekti të marrëveshjeve të nënshkruara nga 6 vendet pjesëmarrëse në Berlin, për avancimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, me gjithë bllokimin nga e ashtuquajtura "republika srpska" të hyrjes së qytetarëve të Kosovës në Bosnje e Hercegovinë, Qeveria mori vendim për heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët e Bosnjë Hercegovinës", shton Qarri, i cili kritikon ashpër edhe opozitën e Kosovës.
"Por përkundër të gjithave përpjekjeve dhe shembujve pozitiv të Kosovës, BE duke shfrytëzuar përçarjen e thellë të pozitës me partitë e inkriminuara opozitare, që përmes obstruksioneve gebelsiane agjenturoro-politike, ngritin në problem kombëtar edhe "pasulin" e ushtrisë, gjë që nuk ka ndodhur as në Ukrainë, ushtria e të cilës, vazhdon qëndresën me bukë e pa bukë dhe me armë e pa to, edhe nën këto kushte, pa bërë kaq shumë zhurmë, as presion për "pasul", duke u përballur suksesshëm në të gjitha frontet me Rusinë, Bashkimi Evropian, edhe pas heqjes së bllokadës së CEFTA-së, përveç vendosjes së masave të padrejta shtrënguese, para më tepër se një vitit, tani paralajmëron kushtëzime shtesë për Kosovën, edhe sa u përket përfitimeve të mjeteve financiare nga plani i rritjes i BE-së, akt që përveçse i padrejtë, vërtetë duket shumë abstrakt dhe i pabesueshëm", shpjegon Gani Qarri.
Në gjithë këtë presion ndërkombëtar, sipas Qarrit, deklarata e ambasadorit amerikan është lajmi më i mirë për Kosovën.
"Lajm i mirë për Kosovën, pas presionit që vjen nga vende si Gjermania, BE dhe SHBA, është akomodimi pozitiv i qëndrimit të politikës së jashtme të SHBA-ve, i cili gëzon fort të gjithë qytetarët, i shprehur këto ditë nga ambasadori Jeffrey Hovenier, se Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht legjitime në të gjithë territorin, përfshi edhe veriun e Kosovës, duke shtuar se SHBA ndjehen të lumtura dhe krenare, për përkrahjen që kanë dhënë, për ndërtimin e këtyre institucioneve! Qëndrim shumë pozitiv dhe i ardhur në kohën e duhur, i cili bazuar në mendimet e njohësve të mirë të politikës amerikane edhe në rast të ndryshimit të pushteteve në Amerikë, sa i takon pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet konstant edhe në të ardhmen, gjë që me ikjen e Borellit dhe ardhjen e zonjës Kaja Kallas në krye të Politikës së Jashtme të BE-së, pritet të ndryshojë edhe qëndrimi aktual i Bashkimit Evropian, i cili do të reflektohet me trajtim të barabartë të Kosovës dhe do të prodhojë edhe përparim të baraspeshuar në dialog me Serbinë", përfundon analisti Gani Qarri.