Ministri Maqedonci paralajmëroi rrezikun nga Serbia/ Eksperti i sigurisë: Çdo synim i Serbisë do të ishte “vetëvrasje” për…

Politika

Ministri Maqedonci paralajmëroi rrezikun nga Serbia/ Eksperti i sigurisë: Çdo synim i Serbisë do të ishte “vetëvrasje” për…

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 22 tetor 2024 Në ora: 18:00
Ejup Maqedonci

Se mund të ketë tensione apo eskalim të situatës në Kosovë dhe rajon, e ka përmendur së fundi Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci. Ai ka thënë se armatimi i Serbisë përbën një paralajmërim serioz për të gjitha vendet e Ballkanit.

Maqedonci ka bërë thirrje për një vëmendje të shtuar dhe një reagim nga ndërkombëtarët për të parandaluar një eskalim të mundshëm të tensioneve në rajon.

“Kemi qenë shumë herë dëshmitarë që Serbia ka iniciuar luftëra në Ballkanin Perëndimor kur ka vlerësuar që është e përgatitur ushtarakisht. Përderisa nuk ka pasur Serbia ende ndonjë dëshirë për të qenë pjesë e NATO-s apo të rregullojë marrëdhëniet me shtetin fqinj, shtetin e Kosovës, me njiohjen e saj, shtija e armëve në këtë fazë për Serbinë është një gjë që duhet konsideruar nga vendet anëtare të NATO-s. Nuk janë vërejtur elemente që Serbia të ketë një shkëputje nga Rusia, ka vazhduar bashkëpunimin me të. Kjo po na kthen në situate në të kaluarën kur ka pasur masakra si ajo e Sebrenicës. Sa herë është toleruar Serbia, ajo ka vepruar,” ka thënë Maqedonci.

Lidhur me rrezikun e paralajmëruar nga ministri I mbrojtjes, ka folur në një prononcim për “Bota sot”, Hysen Gecaj.

Ai thotë se, Serbia me ose pa atë armatim është faktor destabiliteti në rajon, mirëpo ka edhe faktorë të tjerë të cilët determinojnë nivelin e shpërfaqjes së arrogancës serbe karshi fqinjëve të saj.

Gecaj: Serbia është përcaktuar që Gadishullin Ilirik ta mbajë nën trysni me kërcënime

Image
Hysen Gecaj

“Gjeografikisht Serbia është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO ndërsa në Kosovë kemi edhe prani të NATO-s e cila përmes misionit të saj KFOR ka përgjegjësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Secili synim i Serbisë për sulm ushtarak në Kosovë do të ishte vetëvrasje për Serbinë sepse në Kosovë nuk është vetëm çështje e raporteve shqiptaro-serbe por është një dimension më i gjerë i sigurisë botërore për shkak të sferave të interesit të fuqive të mëdha”, thotë Gecaj.

Ai thotë ndër të tjera se, Serbia e vetëdijshme për këtë gjë, është përcaktuar që Gadishullin Ilirik ta mbajë nën trysni me kërcënime, trazira të kontrolluara nga qeveria serbe si dhe akte terroriste.

“Deri sa nuk ka një garanci për fitoren ruse të luftës në Ukrainë dhe deri sa SHBA dhe BE i lënë hapësirë për të manovruar, Serbia do të sillet në këtë mënyrë karshi Kosovës dhe fqinjëve të saj në rajon. Serioziteti ynë për këtë çështje duhet të mbështetet në forcimin e besimit me partnerët ndërkombëtarë,  zhvillimin ekonomik, profesionalizimin dhe armatosjen e FSK” , vlerëson ai.

Shkodra: Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë vigjilente, ta përcjellin situatën, por edhe të përdorin kanale diplomatike për t’i senzibilizuar sa më shumë aleatët ndërkombëtarë

Image
Magbule Shkodra

Po ashtu, për rrezikun që i kanoset Kosovës dhe gjithë rajonit, ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo në një prononcim për ‘Bota sot’, thekson se në rrethana normale, një armatim i tillë i Serbisë nuk do të merrej si kërcënim, mirëpo në situatën në të cilën jemi, duhet marrë me seriozitet të madh.

“Është e vërtetë që kohët e fundit Serbia, ka rritur kapacitetet e veta ushtarake, së fundi ajo nënshkroi marrëveshjen me Francën që do t’i marr avionët luftarak dhe kuptohet që në rajon si ushtri, Serbia është më siguri ma e forta sa i përket ushtrisë. Kuptohet që në rrethana normale, një gjë e tillë nuk do të merrej si ndonjë kërcënim, por në rrethanat që gjendemi ne në Kosovë dhe rajoni në përgjithësi, pastaj rrethanat gjeopolitike, luftërat në mes Rusisë dhe Ukrainës, lufta në Lindjen e Mesme, të gjitha këto bëjnë që ai armatim, kjo ngarendje e Serbisë për tu armatosur, ta marrim me një seriozitet më të madh”, vlerëson ajo.

Ajo madje përmend edhe disa mënyra se si duhet reaguar institucionet e Kosovës, për të senzibiluar edhe aleatët ndërkombëtarë.

“Unë e kuptoj ministrin Maqedonci dhe dua të them që institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë vigjilente, ta përcjellin situatën, por edhe të përdorin kanale diplomatike për t’i senzibilizuar sa më shumë aleatët ndërkombëtarë për atë se çfarë po ndodhë këtu në rajon me Serbinë, edhe pse jam e bindur se edhe ata janë shumë të informuar”, thotë ajo.

Analistja Shkodra thotë po ashtu se, ndoshta do të duhej që të përmbaheshin pak nga këto deklarime publike, për të mos krijuar frikë në popull dhe njëfarë mënyre për të mos i larguar investitorët, sepse në vazhdimësi po shihet se jemi një vend, ku mund ndoshta edhe të eskaloj diçka.

“Por sa i përket asaj se a duhet të frikësohemi apo jo, unë mendoj se për sa kohë forca e NATO-së është këtu, Serbia në momentin që do të tentonte diçka, përballë do ta kishte forcën e NATO-së, dhe për të thënë më shumë, para 20 vitesh ajo e ka provuar forcën e NATO-së dhe e di që me një forcë të tillë nuk mund të ballafaqohet. Mirëpo, më shumë duket se sikur po e bën sa për të thënë që është e fortë dhe për të bërë një lloj kërcënimi verbal më shumë. Nuk besoj se do të ndodhë diçka e tillë, mirëpo të shohim se si po zhvillohen rrethanat gjeopolitike në përgjithësi në botë. Tani kemi zgjedhjet presidenciale në Amerikë, të shohim kush do të fitoj, si do të jetë politika e mëtutjeshme sa i përket Ballkanit dhe në përgjithësi dhe temave të tjera të cilat janë aktuale në botë”, vlerësoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat