“Ngushtohet rrethi”? Formimi i Asociacionit kërkesë kryesore e ndërkombëtarëve – Ekspertët tregojnë se si të veprojë Kosova

Politika

“Ngushtohet rrethi”? Formimi i Asociacionit kërkesë kryesore e ndërkombëtarëve – Ekspertët tregojnë se si të veprojë Kosova

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 tetor 2024 Në ora: 20:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në Kosovë sërish rikthehet si temë Asociacioni.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Ai është takuar me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin kanë diskutuar shumë tema, ndër to edhe formimin e Asociacionit.

O’Brien ka thënë se pret nga Kosova që ta dërgojë projektstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër të pushtetit.

“Por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim në Italinë Veriore, ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, tha zoti O’Brien në një intervistë me Kanalin 10 në Prishtinë.

Tali: Formimi i Asociacionit të prolongohet derisa të jetë e mundur

Analisti Driton Tali, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se është kundër që të formohet asociacioni, sepse sipas tij, do të dëmtojë funksionalizimin e Republikës.

Ai e thotë këtë për faktin se si po sillet Serbia ndaj Kosovës ende pa pasur asociacion, pastaj edhe sjellja e saj ndaj Bosnjës.

“Unë sa i përket formimit të Asociacionit, qoftë edhe pa kompetenca ekzekutive, nuk e kam ndryshuar mendim. Edhe më tutje besoj se "kjo Serbi" me Asociacion do ta dëmtojë funksionalizimin e Republikës sonë deri në maksimum - u morë vesh varësisht nga kompetencat që do t'i fitoj.

Këtë bindje ma jep sjellja e "kësaj Serbie" ndaj Republikës sonë në kontinuitet edhe pa e patur Asociacionin, pastaj sjellja e saj ndaj Bosnjës por edhe ndaj fqinjëve tjerë, dhe diskursi publik atje, andaj edhe po i paramendoj telashet të cilat do të na i krijojë me Asociacion!”, deklaron ai.

Image
Analisti Driton Tali

Tali jep një këshillë për qeverinë, duke thënë se është mirë ta prolongojë sa më shumë që të jetë e mundur çështjen e asociacionit, sepse siç thotë ai Serbia do të vazhdojë të insistojë në kompetenca të gjera (përtej Kushtetutës) e Qeveria për kompetenca sa më të pakta.

“Prandaj, këshilla ime është që formimi i Asociacionit të prolongohet derisa të jetë e mundur, duke përdorur të gjitha mekanizmat (për mos të thënë truqet) politike.

E kam parasysh se Qeveria nuk e ka lehtë ta prolongojë për faktin se është një obligim ndërkombëtar i marrur nga 2013 gjegjësisht 2015.

Por besoj që mosmarrëveshjet rreth formës saj ta prolongojnë. Sepse Serbia do të vazhdojë të insistojë në kompetenca të gjera (përtej Kushtetutës) e Qeveria për kompetenca sa më të pakta.

Dhe natyrisht duke kërkuar që Serbia t'i respektojë pikat tjera të Marrëveshjes së Ohrit në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, gjë që "kjo Serbi" ende nuk është gati për ta bërë.

Andaj, duke i patur parasysh gjitha këto, unë besoj se Kosova ende ka hapësirë manovrimi, natyrisht duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë tanë.

E kemi shembullin e Bosnjës si ilustrim. Është anëtare e OKB-së që nga maji i 1992, dhe shih si Republika Srpska e saboton”, thekson ai.

Burjani: S’ka gjë prej asaj teme

Njohësi i politikës Blerim Bujrani, ka thënë se edhe pse ka pasur presion për asociacionin, nuk ka pasur asnjë reagim nga Kurti.

Madje, sipas tij, tashmë është edhe e kot të kërkohet një gjë e tillë, duke shtuar se Kurti thuajse mbylli zyrat paralele në veri dhe po rikthehet ajo pjesë në funksion normal.

Bujrani thotë se Kurti duhet vetëm të bëjë hapa konkret të prekshëm domethënës që kthen serbët në institucione të Kosovës e jo asociacion për të rikthyer institucione paralele, kjo tash ka përfunduar.

“Në këtë situatë në këto rrethana që mbretërojnë dhe gjendjen në terren, pra në veri nuk jep asnjë shpresë të ketë diçka tjetër e si po duket me Kurtin s’ka asociacion po ka lojëra politike dhe lojë fjalësh e togfjalësh pa rezultat.

Presion ka pas përtej mase por s’ka pas reagim, siç dihet tash situata në veri ka ndryshuar, atje janë mbyllë të gjitha gati zyrat paralele, kanë mbet që të licencohen shkollat, universiteti në Mitrovicë në pjesën veriore si dhe shtëpitë e shëndetit dhe spitalet në kontroll të Serbisë, pra mendoj se dialogu duhet të zhvillohet për të organizuar zgjedhjet dhe duhet të shpallen konkurse për gjyqtar dhe prokuror, pra duhet pas hapa konkret të prekshëm domethënës që kthen serbët në institucione të Kosovës e jo asociacion për të rikthyer institucione paralele, kjo tash ka përfunduar, andaj njëherë është humbje kohe me kërkua asociacion, s’ka gjë prej asaj teme”, përfundon ai.

Image
Njohësi i politikës Blerim Bujrani

Vlen të përmendet se që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë një etnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat