Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur fjalë të mëdha për Qeverinë Kurti.
Ai thotë se, Qeveria ka luftuar krimin e organizuar në Kosovë, në veri por edhe në pjesën tjetër të Kosovës.
Tërnava shprehet se, me jetësimin e ligjeve në territorin e Kosovës në mënyra të përpikta në shumë sfera, Qeveria ka filluar të ja ngushton ngadalë por sigurt fushën e veprimit zhvatës ish gardës së pushtetarëve të deridjeshëm të korruptuar.
Sipas tij, ish-pushtetarët bashkëjetuan dhe bashkëvepruan për dekada me krimin e organizuar.
Prandaj, ai shton se, opozita po i kundërshtojnë vendimet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës.
“Opozita shumë vendime të Qeverië i dërgoi në Gjykatën Kushtetuese me shpresë për t’i rrëzuar ato dhe për të fituar kohë në mënyrë që me rrjetin e saj kriminal t’i fshehë së pakut gjurmët e krimit”, thotë Tërnava.
Ai thotë se, opozita është e tmerruar me vendimet e votuara në Kuvend të cilat janë kundër krimit.
“PRK-së dhe strukturave të SHIK-ut, ju pengon Ligji për Fondin Sovran, sepse me këtë ligj zhbëhen, pamundësohet zhvatja kriminale e ndërmarrjeve publike kryesore që paraqesin vlera të mëdha kapitale për shtetin. Ligji për Fondin Sovran i cili parasheh që t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës, sepse Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së thëngjillit dhe të PTK-së”, thotë ai.
Sipas tij, sikur të ishin ndërmarrur këto veprimtari shume më herët, shteti i Kosovës do të ishte më i pasur dhe do të kishte rezerva kapitale shumë më të larta.
Tërnava teksa flet për veriun e Kosovës, thotë se, pavarësia e një shteti demokratik vlerësohet se sa implementohen ligjet dhe kushtetuta e atij shteti si dhe nëse jetësimi i atyre akteve juridike jetësohet në përpikëri, në çdo pjesë të vendit dhe atëherë mund të thuhet se ai shtet është shtet juridik e demokratik, ku qytetarët e atij shteti punojnë dhe jetojnë në përputhshmëri me ato ligje të atij shteti.
“Kjo situatë e tanishme flet mjaftueshëm, madje me fakte, se ishin vetë pushtetarët e kaluar të cilët qëllimisht e kishin lejuar kontrabandën dhe krimin e organizuar, dhe asnjëherë nuk kishin provuar seriozisht për ta vendosur rendin e ligjin, për ta penguar dhe parandaluar, sikur që po ndodhë tani kjo shkëputje e plotë e kanaleve të kontrabandës nga rrjetet lokale dhe përtej, të krimit të organizuar. Për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia, derisa mungesë e këtyre produkteve vërehet në masë të madhe edhe në komunat tjera të Kosovës. Përveç kontrollit të kufirit të ashpërsuar, mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës dhe më thellë është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe konrollit të rrept të Policisë së Kosovës e cila po kryen bastisje të shpeshta në veri”, potencon ai.
Ai shprehet se, është detyrë e kësaj qeverie dhe qeverive tjera në ardhje që ligjet e Kosovës në tërë territorin duhet të jetësohen.
“Pra, Policia e Kosovës duhet sidomos në pjesët kufitare t’i kryej detyrat e saja që janë të parapara sipas kushtetutës”, përfundon Hajrullah Tërnava.