Kurti e kërkon me çdo kusht/ Radoiçiq stërvitet në Serbi për sulme tjera terroriste

Politika

Kurti e kërkon me çdo kusht/ Radoiçiq stërvitet në Serbi për sulme tjera terroriste

Nga: P.R. Më: 23 tetor 2024 Në ora: 08:06
Albin Kurti

Pothuajse në çdo takim, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po kërkon që Serbia ta dorëzojë në Kosovë Milan Radoiçiqin, njeriun i cili akuzohet se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit 2003.

Një kërkesë të tillë, Kurti e ka bërë edhe në takim me ndihmëssekretarin për çështje evropiane dhe euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës së lëshuar nga Qeveria e Kosovës për takimin Kurti- O’Brien.

Por pavarësisht kërkesës së Kurtit, profesori marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se Serbia nuk do ta dorëzojë Radoiçiqin, përkundrazi, Radoiçiq jeton nën mbrojtjen e Serbisë.

"Kryeterroristi i aktit terrorist të Banjskës së 24 shtatorit 2013 qëndron në Serbi. Ai është marrë nën mbrojtjen e Aleksandër Vuçiq. Presidenti i Serbisë, pasi e priti në takim dhe e falënderoi për aktin e terrorit në Kosovë, ia dorëzoi Aleksandër Vulin. Akesi i tha Sandrit që ta trajtojë Milan Radoiçiqin si hero të popullit e të kombit serb, sepse ai ka vrarë një armik të betuar të Serbisë, oficerin e policisë, hegjemonisë serbe në Ballkan. Radoiçiq jeton si pasha në Serbi, madje nën përkujdesjen e veçantë të strukturave kriminale të shtetit serb", shprehet Bytyçi, sipas te cilit, Radoiçiq po përgatitet për akte tjera terroriste.

Image
Enver Bytyçi

"Stërvitet për akte të tjera terroriste në Kosovë e gjetkë, kudo që Serbia ka nevojë. Ndoshta në Sarajevë, Podgoricë etj. Ka jo pak “armiq” të Serbisë të cilët duhen likuiduar. Ndër ta është edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Ndërsa kundërshtarët e Serbisë e të Aleksandër Vuçiq në Shqipëri nuk është nevoja t’i likuidojë Serbia. Nuk ka nevojë të përdoret Milan Radoiçiq për këtë punë. Atë punë e bën për mrekulli shërbëtori i presidenti serb në Tiranë, kryeministri në Shqipëri, Edi Rama i mbështetur nga segmented pro-serbe e anti-shqiptare në rajone e vende të ndryshme të botës", thekson Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Radoiçiq nuk ndjen asnjë lloj shqetësim pse Kurti kërkon ekstradimin e tij në Kosovë.

"Ai ishte dhe mbetet banor dhe shtetas i Kosovës. Ka lindur në Gjakovë dhe është instaluar qëllimisht me ndihmën e Beogradit në veri të Kosovës, që të punojë me metoda terroriste për të zhbërë shtetin dhe sovranitetin e tij. Radoiçiq është marionetë në duart e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe nuk ka pse e vret mendjen që kryeministri i Kosovës këmbëngul për ta sjellë të gjykohet për aktin e tij terrorist në Prishtinë. Nuk mundet që Kurti dhe askush tjetër ta imponojë vullnetin e autoriteteve serbe për ta ekstraduar atë në Kosovë", nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se po të ishte i vendosur faktori ndërkombëtar, Radoiçiq kaherë do të ishte dorëzuar në Kosovë.

"Kjo edhe për shkak se Radoiçiq, për shkak të Vuçiq, ka përkrahjen evropiane dhe amerikane. Nëse do të ishte i vendosur faktori euro-amerikan, kryeterroristi serb i Banjskës do të ishte dorëzuar me kohë te organet e drejtësisë së Kosovës. Zoti Kurti i kërkoi përfaqësuesit amerikan, James O’Brien, që Milan Radoiçiq të kthehet nga ana e autoriteteve të Beogradit në Kosovë dhe t’i nënshtrohet hetimeve dhe gjykimit të strukturave të drejtësisë së këtij vendi. Por Vuçiq i ka thënë zotit O’Brien se “Serbia nuk e njeh shtetiln e Kosovës dhe për pasojë do të ishte shkelje e kushtetutës serbe, nëse Milani do të ekstradohej në Kosovë”! Ndërkohë Interpoli e ka shpallur atë në kërkim".

"Të gjitha këto I shoh si lojëra politike, me të cilat mund të mashtrohen idiotët dhe injorantët. Nuk ka shans të besohet se në qendrat euro-amerikane të vendosjes ka përkushtim për drejtësi sa i përket Banjskës, drejtësi e cila do të fillonte të zbatohej nëse Radoiçiq do të dorëzohej te organet e drejtësisë në Prishtinë. Personalisht nuk pres të ndodhë kjo. Nuk ka shans që presidenti i Serbisë t’i bindet të drejtës ndërkombëtare dhe urdhrit të ekstradimit që ka nxjerrë Interpoli. Urdhra të tillë ka shumë, por që nuk janë zbatuar e nuk zbatohen. Sepse ka hyrë midis politika dhe diplomacia. Rasti Milan Radoiçiq na kujton edhe njëherë realitetin në të cilin ne jetojmë. Aty ku hyn politika ka krim. Aty ku politika ka interesa, qoftë kjo politikë e brendshme ose ndërkombëtare, perëndimore apo lindore, aty mungon drejtësia", shpjegon profesor Bytyçi.

Bytyçi thotë se Albin Kurti bën mirë që këmbëngul në çdo takim për ekstradimin e kryeterroristit Milan Radoiçiq.

"Le ta përdorë këtë rast si „Gozhdën e Nastradinit“ dhe të përpiqet të përfitojë sa është e mundur të përfitohet. Do të isha mbështetës nëse këtë rast ai e përdor për të bërë presion në përfitim të superioritetit në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi. Derisa qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë në dorë një urdhër arresti dhe një akt-akuzë kundër Milan Radoiçiq, derisa Interpoli e ka shpallur në kërkim të arsyetuar për ta ekstraduar në Kosovë, presioni i Kosovës për këtë legjitimohet plotësisht. Nuk ka e nuk mund të ketë ndërkombëtar që ta hedhë poshtë kërkesën e palës kosovare. Por ata heshtin. Nuk marrin përsipër të ndikojnë në zbatimin e ligjit. Nuk duan që terroristin Radoiçiq ta kthejnë në Kosovë. E kanë si banko-provë për zbutjen e Vuçiq. Kaq shumë e kanë frikë presidentin e Serbisë, sa shkelin mbi çdo normë e rregull të ligjit ndërkombëtar për ta ledhatuar atë", nënvizon Bytyçi.

Sipas tij, ky është njëkohësisht edhe shkaku pse rritet presioni mbi Albin Kurtin, qeverinë dhe institucionet e Kosovës për të bërë lëshime ndaj politikave serbe të prezencës në Kosovë.

"Ky është shkaku pse ka kaq ngulm për të mos lejuar hapjen e Urës së Ibrit. Thjesht se „mos Aleksandër Vuçiq i prishet humori“ e shkon në drejtim të Brics-it. Në fakt ata nuk e kuptojnë se Serbia në rrethanat që ekzistojnë nuk shkon dot as në brigjet e Detit të Zi. Ajo është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe nuk ka asnjë shans të depërtojë në aleanca aziatike. Edhe gazi që e merrë prej Rusisë kalon territore të vendeve anëtare të NATO-s. Gjithsesi Kurti dhe gjithë politikanët e tjerë të Kosovës, sa here vihen nën presion ndërkombëtar, do të duhet të kërkojnë ekstradimin e Milan Radoiçiq që të hetohet e gjykohet në Kosovë. Kjo nuk do të ndodhë, megjithatë nuk gjej arsye pse të mos përdoret kjo taktikë presioni jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj miqve të saj në Perëndim", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat