Seancat e jashtëzakonshme në kuvend, a u “ringjall” opozita? Analisti ‘befason’ me përgjigje: Politikisht qëndron më...

Politika

Seancat e jashtëzakonshme në kuvend, a u “ringjall” opozita? Analisti ‘befason’ me përgjigje: Politikisht qëndron më...

Nga: Naile Ejupi Më: 24 tetor 2024 Në ora: 14:42
Ramush Haradinaj- Lumir Abdixhiku- Memli Krasniqi

Opozita në Kosovë nuk është duke i ndalë thirrjet për seanca të jashtëzakonshme në Kuvend.

Fillimisht për raportimet e voiceincizimeve të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lilës me terroristin Milan Radoiciq, pastaj për publikimin e bisedave të Dejona Mihalit me pozitë koordinatore e komiteteve në Vetëvendosje, me ish- kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin dhe tani pritet një seancë tjetër e jashtëzakonshme kjo për shkak të situatës në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas raportimeve, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është parë duke mbledhur nënshkrimet e deputetëve për një seancë të re të jashtëzakonshme.

Nënshkrimet partia më e madhe opozitare po i grumbullon për të thirrur debat parlamentar për situatën në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

A ka filluar të “ringjallet” opozita dhe sa do të ndikojë kjo “ringjallje” në zgjedhjet e reja parlemtare, ka folur analisti politik Blerim Burjani.

Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se opozita duhet të hartojë platformën e gabimeve të VV-së për t’iu kundërvënë.

“Është koha për ringjallje të opozitës, tash ose kurrë. Tash po shkohet drejt zgjedhjeve, të gjithë po mobilizohen, me rëndësi është që VV nuk do ta ketë shumicën dhe detyrohet të zbutet me koalicione disi. Ende e çuditshme se nuk ka filluar transferi, s’ka emra kredibil që po aderojnë, kjo duket që ende nuk ka filluar parafushata, e çuditshme për Kosovën. Opozita duhet të hartojë platformën e gabimeve të VV-së për t’iu kundërvënë, ka shumë gabime qeverisëse që ka bërë për katër vjet dhe ndëshkimi nga elektorati do të jetë i pashmangshëm. LDK mund të jetë parti që do të ketë përqindje të konsiderueshme dhe është më pak stigmatizimi me të kaluarën dhe është parti që nuk përfshihet me veprime të paligjshme, përgjime të trupshme siç kanë dalë të VV-së apo PDK-së”, shprehet Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, opozita mund të qëndrojë më mirë në zgjedhje, por qytetarët mbajnë mend dhe askush nuk mund t’i gënjejë sesi kanë qeverisur.

“Pra politikisht opozita qëndron më mirë për mendimin tim. PDK nuk është ajo që ishte shumë e përfolur për keqpërdorimet, por sikur AAK këto parti opozitare kurrë nuk bashkëpunuan me organet e rendit, as nuk u distancuan nga krimi ekonomik, pra fare nuk u interesuan për të denoncuar njerëzit e tyre të përfshirë në korrupsion, në punësime nëpër borde, nëpër ambasada, punësime nepotizëm e partiak, e kanë shkatërruar veten e tyre, tani qytetarët mbajnë mend shumë, çdo qeverisje dhe askush nuk mund të gënjej se si kanë qeverisur. VV nuk ka fituar herën e fundit se kanë ditur dhe kanë pasur kuadro, apo program, por nga mllefi ndaj partive tjera”, shprehet Burjani.

“Ringjallja” e opozitës ndoshta mund të ndikojë në zgjedhje, thotë Burjani, gjersa shton se heshtja nuk falet.

Sipas tij, analistët dhe shoqëria civile kanë bërë më shumë sesa opozita.

“Kjo ringjallje do të ndikojë ndoshta sado pak, por nuk falet heshtja apo neglizhenca, nuk kishte konferenca për çdo javë për të denoncuar politikën e VV-së në publik, opozita është dashur të jetë shumë euforike me reagime, më shumë kanë bërë zhurmë shoqëria civile dhe analistët politik sesa opozita, kam pritur shumë, por shumë pak e asgjë nuk kanë bërë që zëri i opozitës të dëgjohet më shumë. Sot ka mundësi të shumta të kundërvënies apo mos pajtimeve për të shfaqur, por nuk kanë ndodhur dhe sa do t’i kushtojë kjo heshtje opozitës katër vjet do të shohim”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat