Të bashkohen ushtritë shqiptare kundër “aventurave” të Serbisë!

Politika

Të bashkohen ushtritë shqiptare kundër “aventurave” të Serbisë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 tetor 2024 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Situata në Kosovë është relativisht e qetë dhe institucionet e sigurisë së Kosovës në vazhdimësi po angazhohen për ruajtjen dhe sigurinë e qytetarëve të vendit tonë.

Kjo pavarësisht se Serbia vazhdimisht lëshon deklarata provokuese dhe kërcënuese, përmes të cilave tregon qartë se nuk heq dorë nga politikat destabilizuese e fashiste.

Mirëpo, së fundi është bërë një kërkesë specifike karshi institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, ku specifikisht ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, ka kërkuar që dy shtetet shqiptare të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes.

Në këtë rast, Moisiu theksoi se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive, pasi që vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë.

“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, është shprehur Moisiu.

E këtë kërkesë të ish-presidentit shqiptar, e mirëpritën edhe ekspertët e sigurisë, të cilët e vlerësuan si të domosdoshme strategjinë e përbashkët për mbrojtje.

Shala: Kosova dhe Shqipëria do të duhej të kenë një strategji të përbashkët

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Si fillim, ai tha se kërkesën për strategji të përbashkët mes dy shteteve shqiptare, e kishte kërkuar edhe ai kohë më parë.

Image
Drizan Shala

Madje, tha se ka filluar që të ketë bashkëpunime mes dy ushtrive shqiptare.

“Një kërkesë të tillë për një strategji të përbashkët të mbrojtjes e kam kërkuar edhe unë si drejtor Ekzekutive i Asociacionit të Kriminalistëve/Kriminologeve dhe Viktimologëve të Kosovës, respektivisht Departamenti i Zhvillimit të Politikave të Mbrojtjes ka vlerësuar që Kosova dhe Shqipëria do të duhej të kenë një strategji të përbashkët. E cila mund të themi që është realizuar pjesërisht me direktivën e mbrojtjes së Shqipërisë për 2024, ku pjesën e trajnimeve, FSK do t’i kryen në kuadër të bashkëpunimit edukativ brenda kapaciteteve të ushtrisë shqiptare.

Po ashtu, ai tha se mund ta kenë një strategji si disa shtete tjera të botës, por duke mos shkel procesin e Kosovës në drejtim të NATO-s.

“Kosova dhe Shqipëria mund të bëjnë një strategji të tillë, sikur që kanë vendet e ndryshme në botë siç është rasti Israel/Amerikë dhe Amerikë/Japoni, duke mos lënduar apo shkelur procesin qoftë të Kosovës në drejtim të anëtarësimit në NATO, qoftë Shqipërisë si anëtare e NATO-s”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Softa: Shqipëria dhe Kosova, në çdo rast agresioni ndaj saj, do veprojnë së bashku

Edhe eksperti tjetër, Fatjon Softa në nja bashkëbisedim me “Bota sot” vlerësoi se dy shtetet shqiptare, duhet të veprojnë bashkë kundër Serbisë, pasi kjo e fundit ka ende struktura kriminale në Kosovë, por edhe në shtetet tjera të Ballkanit.

Image
Fatjon Softa

“Shqipëria dhe Kosova, në çdo rast agresioni ndaj saj, do veprojnë së bashku. Serbia ka ngritur strukturat e saj në veri të Kosovës, në Bosnjë dhe Mal të Zi, çdo agresion nuk do kalojë pa pasoja dhe për ne”.

Gjithashtu, eksperti tha se strategjia për mbrojtje, duhet të jetë strategji kombëtare dhe duhet t’i përfshijë disa fusha.

Mirëpo, ai propozoi që i gjithë koordinimi të bëhet në bashkëpunim me NATO-n.

“Strategjia përbashkët për mbrojtjen, duhet të jetë një strategji kombëtare mendoj që duhet të prekë disa fusha, Shërbimin Informativ, Policinë, ekonomitë, trajnimet e kapaciteteve njerëzore që mbulojnë sektorët jetik, përfshirë, ushtrinë, mbrojtjen kibernetike, furnizimet me energji elektrike si dhe furnizimin e popullatës, duke krijuar dhe rezerva ushqimore dhe spitale që do shërbejnë në një luftë të mundshme. Por, të gjitha në bashkërendim me NATO-n dhe hapësirat që mund të afrojmë për këtë aleancë si bazat detare dhe ato ajrore”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat