Analisti Raci reagon pasi NATO tha se është kundër hapjes së njëanshme të urës së Ibrit

Politika

Analisti Raci reagon pasi NATO tha se është kundër hapjes së njëanshme të urës së Ibrit

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 22:06
Ura e Ibrit

Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër vazhdon ende të mbetet temë diskutimi në Kosovë.

Për hapjen e saj, institucionet e Kosovës testuan qëndrueshmërinë e saj për kalim të automjeteve dhe sipas raportit u konstatua se ura është e sigurt.

Mirëpo, kur gjithëçka ishte gati për hapje, ishin ndërkombëtarët ata që nuk lejuan një hap të tillë.

ShBA, BE por edhe shtetet tjera veç e veç e konsideruan si të rrezikshme hapjen e saj në këtë kohë, veprim i cili thanë se mund të rrezikojë trupat e KFOR-it.

Së fundmi, agjensia e lajmeve “Reuters”, ka shkruar se  NATO ka thënë se janë kundër hapjes së njëanshme të urës.

“Jemi shumë të vendosur kundër një veprimi të njëanshëm për të hapur urën”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Reuters. “Nuk duam të nxisim ndonjë lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”.

Për këtë çështje, analisti politik Gazmir Raci, thotë se, që nga dita e parë çështja e hapjes së urës ka qenë nismë e ndërmarrë nga Kosova duke informuar me planin edhe ambasadorët e KUINT-it në Prishtinë.

“Në asnjë moment nuk ka pas vendimmaarrje të njëanshme, madje kryeministri Kurti në deklaratë ka thënë se dëshiron që në koordinim të hapet ura për qarkullim dhe për automjete. Koha është që ura të hapet. BE përmes raporteve të progresti disa herë ka thënë që ura është gati dhe duhet të hapet andaj tash ka ardhë momenti që kjo urë të hapet e poashtu prezenca e forcave të KFOR-it është e pakutpueshem që janë në mes të urës”, thotë Raci.

Ai shprehet se, zakonisht ushtria qëndron në kazerma dhe në vijë kufitare, e jo në mes të urave.

“S’ka rrezik që ndokush prej Kosove të sulmojë dikë në pjesën veriore, e aq më pak forcat paqëruajtëse. Statistika zyrtare viteve të fundit nuk na tregojnë për incidente ndëretnike tek ura, e as një pjesën veriore kështu që kushtet e sigurisë janë pjekur”, përfundon Gazmir Raci.

Për këtë, kryeministri Kurti ka thënë se rihapja e urës do të bashkojë një komunitet të ndarë.

Në një intervistë me Reuters ai tha se Beogradi dëshironte ta mbante urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat