Gazmend Halilaj tregon si do të ndikojë dëshmia e Gecit ndaj Thaçit: Argument i fortë dhe...

Politika

Gazmend Halilaj tregon si do të ndikojë dëshmia e Gecit ndaj Thaçit: Argument i fortë dhe...

Nga: P. R. Më: 25 tetor 2024 Në ora: 08:02
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Gazmend Halilaj ilustrim

Avokati i njohur, Gazmend Halilaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar dëshminë që Fadil Geci së fundi dha në Gjykatën Speciale.

Sipas tij, dëshmia e Gecit do të jetë një argument i fortë i gjykatës përballë të akuzuarve, gjegjësisht Hashim Thaçit, të cilin, Geci e bën fajtor për shkrimin e komunikatës numër 59.

“Konsideroj që dëshmia e Fadil Gecit në Hagë, do të jetë argumenti më i fortë dhe i drejtpërdrejtë që Gjykata të mbështet Aktgjykimin fajësues ndaj të pandehurve, gjegjësisht Thaçit përkitazi me Komunikatën nr.59 të atyre që kanë përpiluar dhe gjithë linjës komanduese të nivelit të lartë të UÇK-së, përfshirë edhe ata që kanë pas obligim të mos lejojnë që një gjë e tillë të ndodhë. Pasojat e asaj komunikate tanimë dihen botërisht”, thotë Halilaj për “Bota sot”.

“Geci ishte mjaft korrekt dhe konkret në përgjigjet e tij, dhe një deklaratë e tillë padyshim që duhet të merret si provë e rëndësishme dhe e besueshme përtej çdo dyshimi. Çështja e etiketimeve, që po bëhet ndaj Gecit dhe gjithë atyre që kërkojnë drejtësi, tanimë dihet botërisht që është arma kryesore e atyre që i kanë duart me gjak dhe atyre që i përkrahin ata”, shprehet Halilaj, i cili thotë se Fadil Geci duhet të jetë model edhe për dëshmitarët tjerë, të cilët nuk duhet të heshtin përballë krimeve të pa zbuluara.

“Unë mendoj që Fadil Geci duhet të merret si model, se si luftohet për të zbardhur të vërteten, e cila patjetër që do të dalë dhe gjeneratat që vijnë duhet te kenë një pasqyrim të plotë dhe të drejtë të historisë tonë. Kosova nuk mund të hesht mbi krimet e pazbuluara, andaj ne si popull si armë të vetme duhet ta kemi ligjin dhe gjykatën për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për kryesit”, thekson Halilaj.

Për fund, avokati Halilaj vlerëson lartë punën që po bën Gjykata Speciale, e cila sipas tij, do të sjellë drejtësinë e cila ka munguar tash e sa vite.

“Së këndejmi, puna profesionale nga Zyra e Prokurorit dhe mekanizmave tjerë të udhëhequr nga ai po shihet, të cilët po bëjnë një punë të mrekullueshme atje, andaj, ne si popull dhe si shtet duhet t’i ofrojmë ndihmën e pakursyer që atyre u duhet, përmes dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, dëshmitar që thonë vetëm të vërteten, në mënyrë që viktimat dhe familjet tyre të paktën shpirtërisht të lirohen nga dëmet dhe vuajtjet që i janë shkaktuar nga një grup i caktuar kriminal të cilët për të ardhur në pushtet dhe mbajtur atë, nuk kanë zgjedh mjete dhe metoda, e gjithnjë duke përdorur si armë etiketime të ndryshme dhe duke u fsheh pas emblemës së UÇK-së, të cilën e kanë përdorur si strehë pas do krimi që kanë bërë”, përfundon avokati Gazmend Halilaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat