Kohëve të fundit në opinion është përmendur opsioni i një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK, tashmë ka paraqitur qëndrimin e saj se si kusht kryesor për koalicion me ndonjërën nga partitë politike e ka postin e kryeministrit.
Veprimtari dhe publicisti nga diaspora, Fatmir Bajraj në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar mundësinë e një koalicioni LVV-LDK.
Bajraj ka theksuar se një bashkëqeverisje me LVV-në do të ishte një goditje për besnikërinë e anëtarësisë dhe një atentat politik për qëndrestarët e LDK-së.
“Bashkëqeverisja e LDK-së me Kurtin, do të ishte, jo vetëm goditje ndaj anëtarësisë dhe elektoratit të saj besnik, por do të ishte edhe atentat politik ndaj qendrestarëve-gardianë të saj në mbi 34 vite.
LDK do t'i fitoj zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025, dhe do të drejtoj Qeverinë e vendit, por pa LVV-në dhe Kurtin, madje me Kurtin si lider të LVV-së, LDK nuk do të bashkëqeverisë ndoshta kurrë, dhe ky është vullneti politik i anëtarësisë dhe elektoratit të LDK-së sot, dhe konform këtij vullneti, është edhe qendrimi i LDK-së”, shprehet ai.
Sipas tij, LDK do të dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe do të formojë qeverinë e Kosovës pa Kurtin dhe LVV-në.
“LDK në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025, është në garë për të dalë e para, ashtu siq doli e para në zgjedhjet e fundit vendore vetëm 6 muaj pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, dhe si e tillë të drejtoj Qeverinë e vendit, por pa Vetëvendosjën e Albin Kurtit.
LVV e z Kurti, s'di dhe s'do të qëverisë vendin, aq më pak të bashkëqeverisë, sepse partnerët e koalicionit nuk i sheh dhe s'i respekton si partnerë, por si vartës të tij dhe t'pushtetit të tij agresiv të cilin e do vetëm për vete.
Logjika rrënuese e nënshtrimit të partnerëve të koalicionit, e dominimit mbi ta, dhe e intimidimit deri n' poshtërim, e bënë t' panatryshë dhe të pamundur bashkëpunimin dhe bashkëqeverisjen më LVV dhe Kurtin si lider të saj. LDK përjashton apriori çdo solucion që nënkupton marrjën n ‘konsideratë të çfarëdo mundësie për bashkëqeverisje me LVV-në e Albin Kurtit, mbi të gjitha për faktin se nuk do të ishte në interes të vendit, dhe për pasojë, as interes politik i LDK-së. Tani më, hendeku në mes të këtyre dy subjekteve politike është zgjeruar e thelluar aq shumë, sa që asnjë mendje e shëndoshë në LDK, nuk i beson më një subjekti siç është LVV-ja dhe liderit të saj, kryeministrit aktual, z. Albin Kurti”, potencon ai.
Bajraj shton tutje se LVV dhe Kurti i shohin partnerët si vartës dhe se historia e bashkëqeverisjes ka treguar se Kurti ka shkelur marrëveshjet e arritura.
“LDK, ka përvojën e hidhur të një bashkëqeverisjeje me Kurtin, përvojë kjo, e cila ka përmbysë pritjet dhe shpresën e saj për një bashkëpunim politik të dakorduar dhe me marrëveshje për bashkëqeverisje. Kurti atëbotë, në mënyrë të njëanshme dhe flagrante kishte shkelë parimet dhe kushtet e marrëveshjes për bashkëqeverisje, duke e sjell LDK-në dhe ish kryetarin e saj, akademik Isa Mustafa para aktit të kryer, me ç’rast, z.Mustafa, vendimin për bashkëqeverisje me LVV-në, e pat quajtur si gabimin ma t ‘madh në jetë, të LDK-së dhe të tij personalisht”, ka nënvizuar Bajraj.
Ai e përshkruan LDK-në si një parti me vlera liberale dhe orientim perëndimor, duke theksuar se LVV nuk i përfaqëson këto vlera dhe ka humbur besimin e aleatëve ndërkombëtarë.
“Sot, gati 6 vite pas, kjo bindje e LDK-së, vetëm sa është bërë edhe ma e fortë dhe ma e fuqishme, duke patur parasysh keq-qeverisjen e Kurtit, huqjet dhe dështimet, duke u nisur nga shkelja e premtimeve elektorale, dështimet në zhvillim, punësim dhe përgjithësisht në ekonomi, izolimin ndërkombëtar të vendit, ngecjen në integrime dhe masat ndëshkuese (sanksionet" e BE-së dhe Perëndimit, për pasojë, edhe humbjen e fondeve dhe investimeve kapitale..
LDK dhe LVV, janë dy “botë” politike, janë dy ideologji të kundërta me njëra tjetrën, dy filozofi dhe me botëkuptime të kundërta, dallime këto që kapërcejnë ato të bindjeve politike dhe konceptuale.
LDK, si parti e qendrës së djathtë dhe anëtare e PPE-së, mishëron vlerat liberale të se djathtës dhe demokracive euro-perëndimore, si trashëgimi e etërve të lëvizjes nacionale për pavarësi dhe Atit themelues të shtetit të Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Orientimi perëndimor, integrimet veri-atlantike dhe partneriteti strategjik dhe jetik me SHBA-të, nuk janë vetëm nocione abstrakte, por postulate që sublimojnë vizionin për të ardhmën e ndritur dhe të sigurt të Kosovës së pavarur si projekt i përhershëm nacional i shqiptarëve të Dardanisë Antike-Kosovës n'Gadishullin Ilirik.
Për dallim, LVV dhe lideri i saj autoritar, Kryemnistri Kurti, jo vetëm që nuk përqafon dhe as përfaqëson këto vlera, ai është pikërisht antipod i tyre, duke filluar që nga shteti i Kosovës të cilin e sheh si projekt të përkohshëm dhe deri të mohimi dhe mosnjohja e rolit krucial dhe vendimtar të aleatëve dhe partnerëve tanë strategjik në krye me SHBA-të deri të liria dhe shteti i pavarur e demokratik i Kosovës.
Humbja e besimit të aleatëve dhe humbja graduale edhe e partnerëve tanë të cilit i kishim në krahë në mbi 3 dekada nga ana e LVV-së në pushtet dhe e vet Kryeministrit Kurti, është edhe një arsye shtesë për LDK-në, që të refuzojë bashkëqeverisjen me LVV-në e Kurtit, madje edhe nëse LDK drejton Qeverinë e Kosovës”, ka theksuar Bajraj.
Veprimtari nga diaspora ka shprehur besimin se lidershipi i LDK-së, nën Dr. Lumir Abdixhikun, është i vetëdijshëm për dështimet e qeverisjes së Kurtit dhe se bashkëpunimi me të është i pamundur për të riparuar dëmet e shkaktuara në dialog dhe ekonomi.
“Nga ajo që kemi pa në qeverisjen e Kurtit, duke filluar nga nepotizmi, krimi i organizuar, korrupsioni gallopant n' Qeveri, çasja ndaj Opozitës, mediave dhe sulmet e vazhdueshme ndaj Sistemit të Drejtësisë, e bënë t ‘pakuptim, madje edhe t ‘pamundur bashkëqeverisjen me të, dhe për këtë është e vetëdijshme LDK dhe lidershipi i saj në krye me Kryetarin, Dr. Lumir Abdixhiku.
Me Kurtin n' bashkëqeverisje nuk mund të riparohen dëmet e mëdha në Dialog, huqjet në ekonomi, dështimet në anëtarësim dhe integrime, sikurse nuk mund të kthehet as besimi dhe as mbështetja e partnerëve tanë strategjik, pa të cilit nuk do ishim këtu dhe nuk do mund ecim para..
Për këtë është i vetëdijshëm lidershipi i LDK-së, andaj ka bazë të fortë refuzimi i fuqishëm për bashkëqeverisje me LVV-në e Kurtit”, ka përfunduar ai.