Fillimviti i 2025-ës na gjen në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Këtë herë zgjedhjet do të mbahen me ligjin e ri për zgjedhjet. Ky ligj është miratuar gjatë verës së vitit 2024.
Sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet, votuesit kësaj radhe mund të votojnë një numër më të lartë të kandidatëve për deputetë nga një parti e caktuar.
Ndryshime të tjera në këto zgjedhje janë edhe largimi i heshtjes zgjedhore 24 orëshe para hapjes së qendrave të votimit dhe kontrolli më efektiv i aktivitetit zgjedhor nga ana e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Mirëpo, këto ndryshime në ligjin për zgjedhjet a do të ndikojnë pozitivisht apo negativisht tek mbarëvajtja e zgjedhjeve?
Lidhur me këtë ҫështjë, ka folur analistja politike, Magbule Shkodra e cila thotë se, sipas ligjit të ri zgjedhor, i cili pra tanimë është i miratuar, janë bërë disa ndryshime që disa mund të shihen që janë pozitive.
Shkodra: Kosova voton më 9 shkurt, ndërsa diaspora mund të votojë më 8 shkurt
“Por, mendoj unë që ka edhe një ndryshim që mendoj që nuk është i mirë. Po ashtu është mirë para se të filloj të sqaroj këto ndryshime të them se këto zgjedhje parashihet të kushtojnë diku 8.7 milionë euro buxheti të Kosovës që të thotë në tërësi kostoja e këtyre zgjedhjeve”, thekson ajo.
Ndërkaq, sa i përket ndryshimeve, ajo tregon ndryshimet që janë bërë për votuesit nga diaspora.
“Për diasporën tanimë është planifikuar që të gjithë ata që dëshirojnë të votojnë fillimisht duhet të regjistrohen në listën zgjedhore si votues, pra ka edhe platformë online të KQZ-së. Dhe këto zgjedhje mund të mbahen në përfaqësi diplomatike të Kosovës dhe do të mbahen një ditë para se të mbahen zgjedhjet në Kosovë. Pra, zgjedhjet në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt, ndërkaq diaspora do të mund të votojë në këto diplomaci në vendet pra ku i kemi ambasadat dhe konsullatat tona me datën 8 shkurt duke filluar nga ora shtatë deri në orën nëntëmbëdhjetë, po ashtu vlen të theksohet se ekziston edhe mundësia që diaspora të vazhdojë votimin të bëjë me postë”, vlerëson ajo.
Analistja Shkodra thekson po ashtu se, një ndryshim tjetër që është i mirë është votimi me kusht. Tani më do të thotë, nuk është se mund të votoni në cilindo qendër të votimit pra votimi me kusht, por janë përcaktuar qendrat e votimit ku mund të bëhet votimi me kusht.
“Gjithashtu është sa i përket procesit të numërimit është bërë një ndryshim. Tani, në vendvotim, KQZ-ja do të thotë në vendvotim do të bëjnë numërimin e fletëvotimeve të kandidatëve për deputetë. Dhe pastaj këtu ky numërim do të përcjellet në nivel të komunës nëpër palestra, do të jenë qendrat tjera të cilat do të vazhdojnë domethënë t'i bëjnë këtë numërim. E kjo do ta shpejtojë paraqitjen e rezultateve nga KQZ-ja, por kjo njëkohësisht kërkon edhe masa shtesë të sigurisë, pra do të ketë edhe kamera, që është një gjë shumë e mirë, në mënyrë që të mos kemi vjedhje të votës. Vlen për mua mendoj që një gjë që nuk më ka pëlqyer e që kam shpresuar që reforma zgjedhore do të zgjidhte është ajo se sa kandidatë do të jenë do të jemi të lirë t'i votojmë. Në të kaluarën kemi pasur mundësi t'i votojmë 5 kandidatë, edhe atëherë kam menduar se një gjë e tillë nuk është në rregull, sepse mendimi im është që duhet të votohet një kandidat. Pra, secili votues mund ta përzgjedhë vetëm një kandidat dhe në këtë mënyrë do të shtohej edhe konkurrenca në mes të kandidatëve”, vlerëson analistja.
Ajo theksoi se tani me këto ndryshime të reja paramendojeni në vend se që t'i kemi pesë kandidatë që t'i votojmë, kemi mundësi t'i votojmë dhjetë kandidatë.
“Kjo, për mendimin tim, e shton atë mënyrën e korrupsionit ndërmjet kandidatëve. Dhe kjo mendoj që nuk është e mirë, për të pasur zgjedhje të mira dhe të pakorruptuara në përgjithësi, do të duhej që secili nga ne të kemi mundësinë të votojmë një kandidat. Dhe kjo besoj që do ta shtonte kualitetin e deputetëve, sepse secili kandidat do ta kishte garën për vete dhe do të mundohej të tregonte më të mirën e vetes që ta binte votuesin që të votonte, kurse tani përfundojmë në këto 10 ku bëhen këto marrëveshjet ti më fut mua në 10-ën tënde, unë të futi në 10-ën dhe po mendoj që kjo mënyrë e votimit pra nuk po i sjell parlamentit deputetë të mirëfilltë dhe deputetë profesionalistë që do të mund ta përfaqësoni në mënyrë të dinjitetshme”, tha ajo.
Shkodra thotë se, Kosova vazhdon të mbetet një zonë zgjedhore që mendoj që nuk është gjë e mirë sepse më së miri të ishte sikur të ndaheshim në zona zgjedhore dhe secila zonë t'i zgjedh deputetët e vet.
“Kjo sepse secila zonë njeh më së miri njerëzit e vet dhe e dinë cilët janë më të mirët dhe meritorë për të qenë në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë mënyrë si është një zonë zgjedhore ne përfundojmë të kemi domethënë deputetë me jo përfaqësim të denjë të gjitha zonave zgjedhore të krejt Kosovës. Por një person mund të marrë votë në gjithë Kosovën dhe ndonjëherë dikush e voton dikë që as nuk e njeh, por e voton vetëm për shkak që t'ia bëjë një të mirë dikujt që ia kërkon, e kjo është edhe më shumë tashti problem, pasi që votohen vetë veten në të kaluarën pesë. Kjo është arsyeja që po them që më së sikur të kishim të votonim nëpër zona zgjedhore dhe të votonim vetëm një kandidat, pra do ta zgjidhnim kandidatin më të mire”, vlerëson analistja Shkodra për ‘Bota sot’.
Duhanaj: Ajo që vërehet dukshëm, është paniku në të cilin ndodhet partia në pushtet
Po ashtu për këtë temë, ka folur edhe analisti, Leon Duhanaj, i cili thotë se tanimë zgjedhjet e shpallura të 9-të shkurtit, ndjehen gjithandej, partitë politike, kanë filluar vrullshëm aktivitetin e tyre parazgjedhor.
“Ajo që vërehet dukshëm, është paniku në të cilin ndodhet partia në pushtet, gjegjësisht Vetëvendosja. Si parti me mbi 50%, nuk po gjenë më rrugë t'i mbuloj skandalet e njëpasnjëshme në secilin segment të pushtetit. Partia në pushtet si shpëtim po pretendon ta përdorë bojkotin institucional, duke i ikur përballjes me kundërshtarët politik, gjegjësisht publikun e gjerë. Në anën tjetër, ndryshimet apo risitë në ligjin për zgjedhjet, partia në pushtet i ka paramenduar krejtësisht ndryshe. Pra ata duke menduar se Mërgata do ta mbështesë prapë pa kushte Kurtin, u bë bashkëpunëtore t'ua lehtësojë procesin e votimit përmes postës”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë se edhe pse ky proces në mekanizmin e tij të regjistrimit duket të jetë paksa i paqartë dhe u vështirë për një pjesë dërmuese të mërgimtarëve, prapëseprapë do t'i japë rezultatet e tij.
“Ndryshimi i madh që ka ndodhur dhe klima e krijuar gjithandej, nuk është që po i konvenon partisë së Kurtit, pasi që mbështetja tashmë ka ndryshuar. Kemi partitë opozitare, e posaçërisht PDK e cila është tejet e mobilizuar dhe po merr përkrahje gjithandej. Në ketë kontekst si risi do të thoja, që ka ndryshuar gatishmëria dhe përkrahja dhe se nuk është më VV e vetme që do t'i merr votat. Përkundrazi, kësaj radhe do ta merr faturën për të gjitha mashtrimet dhe dështimet për me shumë se një mandat qeverisës”, tha ai.
Analisti Duhanaj thotë se tani kohën e fundit, duke parë që janë në defanzivë të plotë, ka një përpjekje të re, që përmes Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, të marrin kontrollë mbi vullnetin qytetarë të mergimtarëve.
“Kjo formë e ndërhyrjes në proces, të cilin me Kushtetutë dhe ligje duhet ta udhëheqë ekskluzivisht KQZ, tregon apo pasqyron shumë qartë panikun në të cjilin gjendet z.Kurti dhe qeveria e tij. Unë uroj që në radhë të parë të kemi një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, e pastaj uroj që z. Kurti të dënohet nga qytetarët për mashtrimin e madh që ua ka bërë dhe për regresin të cilin e ka shkaktuar qeverisja e tij e papërgjegjshme”, vlerëson analisti dhe veprimtari në Gjermani, Leon Duhanaj.