Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.
Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit - Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.
Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.
Radoiçiq dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi, derisa qeveria serbe po refuzon t’ia dorëzojë atë autoritetve tona të drejtësisë.
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai e cilësoi si të gabuar kualifikimin e ngjarjes së 24 shtatorit si sulm ndaj policisë së Kosovës, pasi sipas tij ai ishte një agresion i paramenduar dhe i organizuar ushtarak shtetëror nga Serbia.
“Lidhur me dosjen e Milan Radoiçiqit, fillimisht dëshiroj të theksoj se, sikurse ndërkombëtarët ashtu edhe vendorët, gabimisht e kanë kualifikuar ngjarjen e 24 Shtatorit 2023, duke e cilësuar ate si sulm ndaj policisë së Kosovës, sulm mbi Banjskën…. kurse kualifikimin më absurd dhe më të papranueshëm e ka bërë UNMIK-u, i cili në raportin për KS e OKB, këtë ngjarje e ka cilësuar si inicident. Me asnjë parametër, ky agresion nuk mund të cilësohet si inicident, i cili paraprakisht është përgatitur dhe organizuar me paramendim, kurse inicidenti është ngjarje e çastit që ndodhë pa dëshirë dhe aksidentalisht.
Në gjykimin tim, siç e kam përmendur edhe herave tjera, kualifikimi më i drejtë i ngjerjes së 24 Shtatorit 2023, është dhe ngelë, një agresion i paramenduar dhe i organizuar ushtarak shtetëror nga Serbia, të zbatuar nga një grup të forcave speciale ushtarake dhe paraushtarake të stërvitura për dy vite në kazermat e ushtrisë serbe, sulm mbi sovranitetin, integritetin territorial dhe Rendin Kushtetues të Kosovës, që për qëllim kishte aneksimin e Veriut të Kosovës deri te ura e Ibrit, njësoj siç bëri Rusia mbi Krime. Prandaj, sikur të ishte kualifikuar kjo ngjarje si agresion, në bankën e të akuzuarve, do të kishim Serbinë si shtet, e jo vetëm Radoiçiqin dhe grupin e tij”.
Po ashtu, Musliu tha se krimineli Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë e sulmit, me qëllim ta mbajë larg Vuçiqin nga ky sulm.
Sipas tij, Radiçiq dhe klani i tij po vazhdojnë të jenë në liri nëpër hotelet e Vuçiqit në Kopaonik.
“Me qëllim që Vuçiqi të amnestohet nga implikimi, Radoiçiqi publikisht pranoi përgjegjësinë mbi këtë agresion, dhe kur Kosova kërkoi ekstradimin e tij, Vuçiqi, duke luajtur rolin e prokurorit, pa humbur kohë, improvizoi « arrestimin » e tij duke hapur prokuroria « hetimet », që ishte një farsë, sepse Radoiçiqi dhe klani i tij, vazhdojnë të jenë në liri nëpër hotelet e tij në Kopaonik të Serbisë.
INTERPOL-i, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes UNMIK-ut, ka lëshuar fletarrest kundër Radoiçiqit, kurse në njëvjetorin e agresionit, Prokuroria Speciale e Kosovës zyrtarisht ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe grupit të tij, të cilët do të gjykohen në mungesë, sepse janë të paqasshëm për organet e drejtësisë së Kosovës, përveç atyre që u kapën gjat akcionit policor”, nënvizoi juristi nga Belgjika.
Në vazhdim, ai përmendi edhe insistimet e Kurtit e Osmanit te ndërkombëtarët, diplomatët e politikanët e ndryshëm për esktradikim e Radoiçiqit.
Madje, theksoi në këtë pikë edhe kushtëzimin e dialogut me dorëzimin e Radoiçiqit.
“Vlenë të theksoj se, që nga agresioni e këndej, institucionet e Kosovës, në veçanti presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, në vazhdimësi, në çdo takim dhe samit ndërkombëtar, me diplomatë dhe politikanë të huaj, me këmbëngulje kanë kërkuar ekstradimin e Radoiçiqit dhe kriminelëve tjerë, madje kryeministri kishte paralajmëruar edhe kushtëzimin e dialogut me dorëzimin e Radoiçiqit, mirëpo gjerë më tani Vuçiqi ngelë në pozicionin e tij.
Rasti më i freskët kur kryeministri Kurti kërkoi dhe insistoi në ekstradimin e Radoiçiqit, ishte, ditë më parë, në takimin e fundit në Prishtinë me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili pas Beogradit vizitoi Prishtinën. Në këtë takim, përveç tjerash, kanë dominuar dy tema, së pari, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Udhërrëfyesit të Ohrit, mbi sekuencimin dhe aplikimin e tyre, me ç’rast kryeministri Kurti kishte insistuar edhe në nënshkrimin e tyre nga Vuçiqi, së dyti, insistimi për ekstradimin e Radoiçiqit që do të ndikonte dhe ndihmonte në rrjedhat mbi normalizimin e procesit”, shpjegoi Musliu.
Më tej, juristi shtjelloi disa nga arsyjet se pse Vuçiq po refuzon ta ekstradojë Radoiçiqin, ku një prej tyre ishte, se karriera e tij politike do të merrte fund, nëse e bën një gjë të tillë.
“Edhe pse emërues i përbashkët dhe unanim i faktorit ndërkombëtar është që Radoiçiqi dhe grupi i tij të ndiqen penalisht para drejtësisë, prap se prap Vuçiqi po i injoron dhe refuzon kërkesat e SHBA-së dhe BE-së, duke u arsyetuar se organet serbe të drejtësisë po merren me rastin e Radoiçiqit.
Prandaj, domosdoshmërisht shtrohet pyetja se, pse Vuçiqi refuzon ekstradimin e Radoiçiqit?! Në gjykimin tim ka « disa arsye », ndër të tjerat edhe:
- nëse eventualisht Vuçiqi e ekstradon Radoiçiqin, jo vetëm që karriera e tij politike do të merrte fund, mbase Radoiçiqi, për t’a « shpëtuar » lëkurën e tij, do t’a tregonte të vërtetën respektivisht lidhjen dhe rolin e Vuçiqit me agresionin mbi Kosovës, por Vuçiqi do të përballej me drejtësinë për shkak aferave korruptive dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar;
- se Kosova dhe Serbia nuk kanë Marrëveshje mbi ndihmën juridike reciproke;
- Serbia në Preambullën e Kushtetutës, Kosovën e konsideron si Krahinë të saj, që « nënkupton » se ajo duhet t’a gjykojë Radoiçiqin;
- Serbia nuk e njeh pavarsinë e Kosovës...”,
Në fund, ai shtoi se e vetmja mundësi e ekstradimit të kriminelit Radoiçiq, është që SHBA dhe BE, përveç presioneve të fuqishme, ta kërcënojnë seriozisht Serbinë me vendosjen e sanksioneve të shumfishta.
“Konsideroj se, deri sa Vuçiqi është në pushtet, nuk do t’a ekstradojë Radoiçiqin, mbase kjo mund të ndodhë vetëm me ndë rrimin e pushtetit, madje, edhe me këto ndryshime eventuale, nga frika se do të ekstradohet, Radoiçiqi do të largohet nga Serbia dhe mund të vendoset në Republikën serbe ose të kërkojë azil politik në Hungari, sikurse ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, ose në Rusi.
Jam thellësisht i bindur, se e vetmja mundësi, që për momentin nuk ka alternative, për ekstradimin e Radoiçiqit, është që SHBA dhe BE, përveç presioneve të fuqishme, ta kërcënojnë seriozisht Serbinë me vendosjen e sanksioneve ekonomike, financiare, bllokimin e ndihmave, ndaljen e investimeve, vendosjen e vizave etj. mbase kjo mund të vlejë edhe për zbatimin e marrëveshjeve dhe procesin e dialogut, përndryshe Vuçiqi nuk lëshon pe”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.