Krimineli Milan Radoiçiq vazhdon të jetë ende i lirë, ndonëse kanë kaluar më shumë se një vit që nga sulmi terrorist në Bansjkë.
Shteti serb po refuzon ta dorëzojë atë tek autoritetet e Kosovës, derisa fatkeqësisht nuk kemi parë ndonjë presion të theksuar të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë për ekstradim të Radoiçiqit.
Mirëpo, nevoja për dorëzim të Milan Radoçiqit në Kosovë, ishte një nga temat që ka diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë.
"Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, citohet Kurti në një komunikatë të qeverisë. Që Radoiçiq të ndiqet penalisht, e tha edhe zyrtari i lartë amerikan.
E në lidhje me mundësinë e ekstradimit të kriminelit Radoiçiq në Kosovë, për “Bota sot” foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq.
Se pari, ai u shpreh se pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, asnjë gjyqtar serb nuk do nënshkruajë për ekstradim të Radoiçiqit.
“Derisa Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe të krijojë një marrëveshje dypalëshe me Kosovën për ekstradimin (e cila duhet të jetë pjesë e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën), asnjë gjyqtar i vetëm në Serbi nuk do të nënshkruajë ekstradimin e Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës. sepse kjo do ta vinte veten në konflikt me ligjin e Serbisë, i cili nuk ndryshon dhe që ende e trajton Kosovën si një krahinë brenda Serbisë”, u shpreh avokati serb.
Po ashtu, Stojkoviq u shpreh i shqetësuar për faktin se kryekimineli Radoiçiq është ende i lirë, pasi tha se kjo jep një mesazh tek të tjerët që të tentojnë të ushtrojnë terrorizëm të ngjashëm si ai, pasi nuk dënohen dhe Beogradi i mban të lirë.
“Megjithatë, pavarësisht nga këto arsye ligjore, fakti që Radoiçiq endet i lirë është një nxitje për të gjithë të tjerët që të tentojnë të njëjtin terrorizëm si Radoiçiq, sepse është një mesazh se Serbia do t'i mbrojë ata në çdo rast, edhe nëse ia dalin, edhe nëse dështojnë në qëllimet e tyre. Një mesazh i tillë kërcënon drejtpërdrejt paqen, sepse duke gjykuar nga sjellja e autoriteteve në Serbi, çdokush nga Serbia mund të kryejë operacione paraushtarake në Kosovë pa u ndëshkuar, me besimin se Beogradi do t'i mbajë të lirë dhe do t'i mbrojë nga ndëshkimi. Një mesazh i tillë është një kërcënim i madh për paqen.”
Krahas kësaj, avokati serb kërkoi nga ndërkombëtarët të ushtrojnë presion më të madh ndaj Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqin dhe kjo çështje të përfshihet në procesin e dialogut.
“Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të insistojë që një marrëveshje për ekstradimin të përfshihet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, (gjë që Serbia nuk e dëshiron), sepse një marrëveshje e tillë është garancia e vetme që nëse dikush kryen operacione paraushtarake në Kosovë, do të të sanksionohet, dhe kjo është e vetmja mënyrë për të shkuar për paqe të qëndrueshme”, përmbylli Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.