Serbia e padëshiruar! Prapaskenat e takimit të Vuçeviq - Reshetnikov, vjen thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Politika

Serbia e padëshiruar! Prapaskenat e takimit të Vuçeviq - Reshetnikov, vjen thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 tetor 2024 Në ora: 12:04
Maksim Reshetnikov dhe Millosh Vuçeviq

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen gjatë javës që po lëmë pas pati një vizitë në rajon. 

Por në këtë turne të vizitave ajo që mori vëmendjen ishte anulimi i takimit të Von der Leyen dhe kryeministrit serb  Millosh Vuçeviq.

Vuçeviq u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur Von der Leyen po qëndronte në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria serbe tha se Vuçeviq dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, ky takim mes Vuçeviq dhe Reshetinkov ishte arsye që presidentja e Komisionit Evropian të anulonte takimin.

E natyrisht që për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të papranueshme që të justifikonte anulimin e takimit nga ana e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Vuçiq thekson se, megjithatë, në Bruksel ekziston një shqetësim për takimin e Vuçeviqit me ministrin rus para se të takohej me Von der Leyen.

A ishte ky anulimi i takimit një goditje e rëndë për lidhjet Serbi-Rusi?

Ahmeti: BE vepron brenda logjikës së parimeve, por për rastet e tilla nuk bëhen publike arsyet

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai ka thënë për gazetën "Bota sot" që BE vepron brenda logjikës, mirëpo që duhet të punojë në drejtim që Serbia të ndryshojë qasjen në raport me Kosovën, pasi ka ngecur procesi i dialogut.

“BE vepron brenda logjikës së parimeve, por nganjëherë rastet e tilla nuk bëhen publike arsyet. Serbia duhet të ndryshoj qasje në raport me Kosovën, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. BE-ja duhet të jetë më konstruktive dhe objektive në procesin e dialogut, pasi procesi dialogues ka ngecur”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që vazhdimësia e një logjike të tillë nga Serbia duhet ta detyrojë BE-në të ndryshojë qasje ndaj Serbisë.

Serbia duhet të veproj brenda MSA-së e jo BE-në ta sheh si mundësi për përfitime ekonomike e politike e jo si alternativë për ndërtimin e një paqe  të qëndrueshme. Vazhdimësia e një logjike të tillë nga Serbia duhet ta detyrojë BE-n të ndryshoj qasje ndaj Serbisë, rrjedhimisht të vendosë masa ndaj saj”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Qarri: Kështu që veçanërisht për Kosovën dhe jo vetëm, është fatkeqësi e madhe ta ketë fqinjë, një satelit të Rusisë si Serbia

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që anulimi i takimit nga ana e presidentes Von der Leyen ishte shenjë e revoltës të takimit të Vuçevi dhe Reshetnikov.

Fakti se pikërisht ditën e njëjtë, madje vetëm ndonjë orë më para, kryeministri serb Millosh Vuçeviq mbajti një takim me Maksim Reshetnikov-in ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në shenjë revolte, ka anuluar takimin që kishte në plan të mbante me kryeministrin e Serbisë Milosh Vuceviq!

Madje përkundër faktit se Ursula Von der Leyen, po qëndronte në Serbi dhe në kuadër të turneut, që ajo po zhvillonte në Ballkanin Perëndimor, kishte në plan të takohej edhe me kryeministrin serb Vuçeviq, ai kishte zgjedhur pikërisht ditën( e premte) që paraprakisht ta takonte Maksim Reshetnikov-in, njërin nga zyrtarët e sanksionuar të Rusisë, që ndodhen nën sanksione të BE-së dhe vendeve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, akt që zonja Von der Leyen, pas takimit të Vuçeviqit me Reshetnikovin, me të drejtë e konsiderojë si provokim dhe vendosi, që ajo ta anulonte takimin me kryeministrin e Serbisë”, shpjegon analisti.

Më tej, Qarri thotë se është i habitshum fakti që Vuçiq gënjen në deklaratën e tij duke e dikur që ai takim ishte provokim i rëndë për BE-në.

Ndaj habit shumë fakti se si, mu për këtë çështje Aleksandër Vuçiq, gënjen (“si qeni”-thuhet në Serbi) kur deklaron se kryeministri, Milosh Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të papranueshme, derisa ai edhe vet e di mirë, që zyrtarët rus, të cilët gjenden nën sanksione të BE-së dhe vendeve perëndimore, nuk preferohet të takohen nga kryeministri as ministrat e Sretbisë, as ditëve tjera të vitit, se lëre më të provokohet publikisht vet Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, ditën e vizitës, që ajo i bënë Serbisë, duke takuar vetëm pakë orë përpara një ministër nën sanksione të Rusisë, e cila pas këtij akti të hapur provokues,  kishte arsye të plotë dhe të paneglizhueshme, për anulimin e takimit si presidente e Komisionit Evropian, me kryeministrin provokues serb.

Dhe duke qenë i vetëdijshëm, për provokimin e rëndë shtetëror nga kryeministri i Serbisë ndaj presidentes së Komisionit Evropian, zonjës Von der Leyen, edhe Vuçiq e pranon se në Bruksel ekziston një shqetësim për takimin e Vuçeviqit me ministrin rus, i cili si për të provokuar zonjën Von der Leyen dhe vet Bashkimin Evropian, deklaroi se Rusia e “çmon politikën e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë”, foli Qarri.

Analisti thotë që pas atij akti ndaj BE-së, dënimi do të duhej të ishte më i ashpër për Serbinë.

Pra ky nuk ishte asgjë më pak, se sa orkestrim i një akti të rëndë provokues, nga kryeministri serb Millosh Vuçeviq, vetëm pak orë para se të takohej me presidenten Von der Leyen, akt pas të cilit Bashkimi Evropian, do duhej të ishte, shumë më i ashpër me Serbinë dhe jo ti linte hapësirë Serbisë, që edhe pas këtij provokimi banditesk, ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Serbia të tallej me BE-në dhe deklarojë publikisht se ajo ka dhe do të vazhdojë të mbajë bashkëpunim të mirë si me Rusinë edhe me Bashkimi Evropian dhe Kinën dhe se “përkundër presioneve të mëdha nuk do të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian - për të vendosur sanksione kundër Rusisë”, thotë analisti.

Sipas Qarrit, Serbia nuk do të rreshtohet asnjëherë në mes shteteve që do të i vënë sanksione Rusisë, por do të vazhdojnë të mbajnë lidhje të mira me Kremlinin.

“Andaj, kjo është më tepër se një goditje të rëndë në fytyrë të BE-së dhe provokim i paprecedent ndaj presidentes së Komisionit Evropian zonjës Ursula Von der Leyen, dhe jo si goditje për lidhjet Serbi-Rusi, as ato Serbi-Kinë, gjë që dëshmohet edhe nga vet deklarata e drejtpërdrejtë e Aleksandër Vuçiqit, se përkundër presioneve, Serbia nuk do të rreshtohet me BE-në, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përfaqësuesit e Serbisë do të vazhdojnë të mbajnë edhe më tej, lidhje të mira me Kremlinin”, potencoi ai.

Në fund, analisti e sheh të rrezikshme prezencën e Serbisë dhe Rusisë në rajon duke theksuar që janë kthyer në një kërcënim të hapur për sigurinë në gjith rajonin.

Kështu që veçanërisht për Kosovën dhe jo vetëm, është fatkeqësi e madhe ta ketë fqinjë, një satelit të Rusisë si Serbia, e cila është kthyer në kërcënim të hapur edhe për sigurinë e të gjithë rajonit në Ballkanin Perëndimor, një shtet, që me vetëdije dhe këmbëngulje kokëfortë, vazhdon të shërbejë si dorë e zgjatur e Rusisë në Evropë, kundër të cilës është momenti vendimtar që BE-ja, të tregojë të njëjtën vendosmëri, që ka treguar edhe ndaj Rusisë, për ti sanksionuar edhe shërbëtorët dhe satelitët e Rusisë në Ballkan, si Serbia, derisa nuk është bërë vonë dhe nuk ka shpërthyer ndonjë luftë e ngjashme okupuese si Rusia në Ukrainë edhe nga Serbia në rajonin tonë”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat