“Asociacioni është minë me sahat...”, publicisti: Çfarë halli ka BE, kujt i duhet një Kosovë e copëtuar?

Politika

“Asociacioni është minë me sahat...”, publicisti: Çfarë halli ka BE, kujt i duhet një Kosovë e copëtuar?

Nga: A.SH Më: 28 tetor 2024 Në ora: 16:46
Albin Kurti, foto ilustrim

Presioni i ndërkombëtarëve ka nisur të bëhet i “papërballueshëm” sa i përket themelimit të Asociacionit në komunat me shumicë serbe në veri.

Ndihmës-sekretari amerikan, James O’Brien dhe BE-ja po kërkojnë me ngulm që Kosova ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur se nuk do ta themelojë në Asociacion me kompetenca ekzekutive në komunat me shumë serbe në veri.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të marrë kompetencat e të vendos për Kosovën.

Ai madje thotë se, kjo qasje është diskriminuese dhe nuk është fer.

“Nuk mundet në vend të Kosovës ta marrë kompetencën Bashkimi Evropian. Kjo i bie që BE e grabit një kompetencë të Kosovës. Sipas marrëveshjeve të deritashme Kosova e ka këtë drejtë për të paraqitur. BE mundet të na thotë jeni vonuar dhe ne mund të themi se a ka pasur afat kohor te caktuar. Ndoshta ne mund të pranojmë kritikën e vonesën, por nuk do të thotë t’ia marrim kompetencës”.

“Me na imponuar se ky është dokument vetëm duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese nuk është fer dhe është qasje shumë diskriminuese nga BE që Kosovën e trajton si jo shtet. Kosova duhet ta mbrojë të drejtën e vet deri në fund për tu ulur me BE Për ta sqaruar se kush e ka këtë kompetencë, unë mendoj që e ka Kosova. Vonesa nuk mund të na marrë kompetencën neve”.

Publicisti Milaim Nela, ka thënë se trysnia e BE-së për themelimin e Asociacionit është e pavend dhe është një “minë me sahat” drejt zhbërjes së Kosovës.

“Presioni i BE-se mbi Kosovën për të pranuar draft-statutin e saj të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është gjë tjetër veçse një hap drejt zhbërjes së shtetit të Kosovës!

Gjithandej dhe hapur presioni krejt i pavend ushtrohet mbi Kosovën dhe qeverinë e saj. A thua se Kosova është agresori e Serbia është viktima.

A nuk kuptohet nga BE qe asociacioni është minë me sahat për shtetin e Kosovës apo këtë e bën qëllimshëm në vazhdën e retorikës penduese ndaj ndërhyrjes se NATO-s në vitin 1999?. Kjo ndërhyrje nga ana e aleancës veri-atlantike do të ngelet në histori si ndërhyrja e vetme e kësaj aleance që nga krijimi i saj si ndërhyrje për shpëtimin e një populli nga genocidi dhe krejtësisht humanitare!

Sot, për fat të keq po tentohet me çdo mjet zhbërja e pavarësisë së Kosovës”, deklaron ai.

Tutje, Nela thotë se është e pafalshme që nuk ka asnjë hetim serioz nga BE për sulmet që bënë serbët në Kosovë, rastin e Banjskës, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Sipas tij, ata nuk po lejojnë as hapjen e urës, marrëveshje kjo e dakorduar në Bruksel.

Derisa për asociacioni thotë se BE duhet të ofrojë njëjtin model asociacioni për serbët e Kosovës siç e ka anëtari i saj Kroacia, duke shtuat se ai model është perfekt pasi ka rezultuar i suksesshëm!

“Është e pafalshme që edhe mbi një vit pas agresionit paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit jo vetëm nuk kemi fajtorë por organizatori kryesor i bandës ushtarake të 24 shtatorit është i lirë në Serbi megjithëse është raportuar se e ka pranuar pjesëmarrjen dhe organizimin.

Asnjë hetim serioz nga ana e BE-se dhe instancave ndërkombëtare.

Nuk është pranuar hetimi profesional i qeverise së Kosovës!

Nuk lejohet as hapja simbolike e një ure që lidh dy gjysmat e qytetit të Mitrovicës.

Se pse nuk lejohet tashmë është më se e qartë - po synohet jo bashkimi i Mitrovicës por ndarja edhe 'de jure' e saj.

Sepse siç e kemi theksuar here pas here nuk ka asnjë argument tjetër juridik, politik apo humanitar për ta mbajtur të mbyllur atë urë! As edhe një të vetëm.

Aq më tepër që hapja e urës ishte pjesë e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel!

Serbia krejt hapur trajtohet si viktimë kur jo vetëm është shkaktarja e 4 luftërave në Ballkan për të cilat nuk ka dhënë asnjë llogari deri sot po synohet të shpërblehet me territor të Kosovës.

Asociacionin kulturor nuk ja ndalon serbëve asnjë ligj i shtetit të Kosovës por ata nuk duan organizim të tillë. Ata duan pavarësi faktike të territorit mbi lumin Ibër dhe kanxhat e destabilitetit serb të ngulura fort edhe ne pjesë të tjera të territorit të Kosovës!

Pse BE nuk ofron të njëjtin model asociacioni për serbet e Kosovës siç e ka anëtari i saj Kroacia!?

Ai model është perfekt pasi ka rezultuar i suksesshëm!

Pse kërkohet te kapërcehet tek pika 10 e marrëveshjes se Ohrit pa filluar me piken 1?”, thekson Nela.

Çfare halli ka BE?

Publicisti thotë Kosova është nën presion nga Brukseli, duke pasur parasysh masat e vëna ndaj Kosovës.

Ai shprehet se edhe Shqipëria duhet ta kishte Kosovën agjendën kryesore të politikës se saj te jashtme dhe të lobonte dhe punonte fort për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garanci e integritetit territorial të saj.

“Çfarë roli po luan ndërmjetësi Lajçak dhe të kujt interesa përfaqëson në këtë të ashtuquajtur dialog?

Kosova është nën një presion të padrejtë e masat nga Brukseli ndaj saj janë jo vetëm të padrejta por janë turpi i saj!

Kosova në betejën shtet-formuese qe nga viti 2013 është e vetme dhe pa ndihmën e shtetit shqiptar pasi qeverisja e Tiranës është rreshtuar hapur në anën e aleatit të vjetër te saj sic është Serbia!

Shqipëria Zyrtare duhet ta kishte Kosovën axhendën kryesore të politikës se saj te jashtme sepse një Kosovë e fortë dhe e qëndrueshme sjell stabilitet jo vetëm në Ballkan por në të gjithë Evropën e sidomos tani kur e gjithë Evropa Lindore rrezikohet nga agresioni rus!

Shqipëria Zyrtare duhet të lobonte dhe punonte fort për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garanci e integritetit territorial të saj por jo, qeveria shqiptare duket se përdor edhe institucionet sportive për larjen e faqes se piste të Serbisë në arenën ndërkombëtare.

Është e turpshme dhe e papranueshme që opozita politike brenda në Kosovë nuk mbështet dhe nuk i bën presion qeverise të mos pranojë asnjë lloj asociacioni me Serbinë dhe të ja bëjë të qartë të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që integriteti territorial i Kosovës është i PANEGOCIUSHËM! E kjo duhet të jetë qëndrim themel i çdo partie në Kosovë qoftë në pushtet apo opozitë!

Kujt i duhet një Kosovë e copëtuar?

Çfarë vlere ka pushteti?

Gjithkush duhet ta kuptojë se trysnia për asociacionin është trysni për zhbërjen e Kosovës!

Kush nuk e sheh këtë ose është naiv ose i shërben interesave të Serbisë gjenocidale!”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat