“Dialogu ka dështuar dhe faji është te...”, eksperti amerikan tregon ku ‘gaboi’ Amerika dhe Evropa

Politika

“Dialogu ka dështuar dhe faji është te...”, eksperti amerikan tregon ku ‘gaboi’ Amerika dhe Evropa

Nga: Naile Ejupi Më: 28 tetor 2024 Në ora: 21:02
Daniel Serwer

Dialogu Kosovë- Serbi është duke marrë teposhtëzën e tij, kjo pasi takimet e fundit ishin të gjitha pa ndonjë rezultat.

Të enjten e kaluar ishte mbajtur takimi në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian.

Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

Duke folur pas takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, ka thënë Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u shpreh pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Petar Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.

Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Miroslav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogu për momentin ka dështuar.

Sipas tij, ka shumë faje në këtë mes si nga amerikanët, ashtu edhe nga evropianët.

“Dialogu për momentin ka dështuar. Ka shumë faj për të shkuar. Amerikanët këmbëngulën për ta bërë Asociacionin e Komunave Serbe një prioritet urgjent dhe të njëanshëm. Do të ndodhë vetëm me njohjen, e cila nuk shihet askund. Evropianët vazhduan me gabimin amerikan. Presidenti serb Vuçiq nuk është gati për normalizim. Kjo është e qartë nga kidnapimi i dy policëve të Kosovës në territorin e Kosovës, trazirat kundër paqeruajtësve të NATO-s dhe sulmi terrorist i Banjskës. Kryeministri Kurti dëshiron normalizim, por nuk ka mundur t'i bindë evropianët dhe amerikanët që t'i japin fund zbutjes së Serbisë”, ka thënë Serwer.

Sipas tij, sukseset e vetme të dialogut kohët e fundit kanë qenë në çështjet “teknike”.

“Sukseset e vetme të Dialogut kohët e fundit kanë qenë në çështjet "teknike" si targat. Ndoshta kjo është gjithçka që është e mundur tani”, është shprehur Serwer.

Në anën tjetër, ditë më parë ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, ku komentoi edhe procesin e dialogut, duke folur edhe për dialogun Kosovë- Serbi.

"Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Edhe në SHBA kemi zgjedhje dhe e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, ka thënë O'Brien.

Zyrtari i lartë amerikan ka shtuar SHBA-ja “dëshiron që Kosova dhe Serbia t'i zbatojnë plotësisht zotimet e marra me marrëveshjen e një viti më parë”.

Në anën tjetër, eksperti njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, i konsideron amerikanë përgjegjës për gabimin më të madh në dialog dhe prioritizimin e asociacionit.

Sipas tij, amerikanët kanë nevojë për një president të ri, ndërsa evropianët për një kryenegociator të ri.

“Amerikanët ishin përgjegjës për gabimin më të madh në Dialog (përpara se O'Brien të vinte): prioritizimi i Asociacionit. Ndoshta është një gjë e mirë nëse ata bëjnë një hap prapa. Në çdo rast, një vonesë është e nevojshme. Amerikanët kanë nevojë për një President të ri. Evropianët kanë nevojë për një kryenegociator të ri. Pasi të bëhen këto zgjedhje, mund të jetë e mundur të shkohet në drejtime më produktive në Dialog”, ka shtuar Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat