Java e kaluar ishte mjaft dinamike për sa i përket procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për tre ditë me radhë ka dëshmuar ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe ish deputeti i LDK-së, Fadil Geci.
Fadil Geci dha dëshminë e tij rreth komunikatës numër 59, e botuar më 31 tetor 1998 në gazetën “Bota e Re”, e cila demonizonte vëllain e tij, Gani Gecin, duke e shpallur atë dhe familjen e tij si njerëz të Serbisë, ndërsa Ganiun e paraqiste si bashkëpjesëmarrës në ekspeditat ndëshkimore të policisë serbe kundër shqiptarëve.
Fadili tregoi se si ai dhe familja e tij për vite me radhë janë përballur me “damkën” e kësaj komunikate, të cilën ia kanë veshur njerëzit që ishin kundër presidentit Rugova dhe përkrahësve të tij.
“Bardhyl Mahmuti e ka sulmuar LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar të LDK-së, komplet ekipi e edhe ai person. Kurrgjë këta nuk kanë pasur të bëjnë me LDK-në. LDK-ja për këta ka qenë pengesë për të marrë frymë dhe kanë dashur t’i likuidojnë të gjitha pengesat që i kanë pasur. Në Drenicë, në katër bashkësi lokale më të mëdha, Xhafer Behrami është vrare—drejtor i shkollës dhe kryetar i nëndegës. Haki Imeri—sa është Haki Imeri, dy fakultete s’ka pasur parti tjetër atje. Bahtir Kastrati është kërcënuar me jetë. Ismet Rrahmani, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë, është vrare,” tha Geci pas deklaratës së avokatit të Jakup Krasniqit se po e përdor gjykatën për deklarata politike.
Geci tregoi se për shkak të kësaj komunikate janë vrarë edhe ish-truproja e Presidentit Rugova, Besim Dajaku dhe ish-gazetari i gazetës “Bota sot” Bekim Kastrati. Ndërsa të plagosur kishin mbetur Gani e Shani Geci.
Në gjykatë u paraqitën edhe deklarata kundërthënëse të ish-komandantëve të akuzuar nga Dhomat e Specializuara rreth komunikatës 59. Kjo komunikatë ishte përdorur për qëllime politike nëpër intervista e paraqitje të ndryshme publike nga Rexhep Selimi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, por asnjëri nuk e kishte marrë përsipër përpilimin e saj.
Si duket, asnjëri nuk e ka trajtuar me aq seriozitet çështjen e Gjykatës Speciale dhe nuk ia ka marrë mendja se do të ishin në bankën e të akuzuarve.
Do të veçoja këtu ish-presidentin dhe ish-Drejtorin Politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili në një intervistë për “Bota Sot” nuk e kishte përjashtuar mundësinë që ndonjë luftëtar ta kenë mashtruar ndjenjat, por që të gjitha këto në përmasa të përgjegjësive individuale.
“Plotësisht pajtohem se është një padrejtësi historike, e cila është e bazuar vetëm në ndjekje etnike, apo gjykime etnike. Kjo gjykatë do të duhej që të ballafaqoheshin të gjithë ata që kanë kryer krime në Kosovë, pa dallim etnik. Prandaj, dua të potencoj se duhet të shikojmë edhe në rrafshin legal, por duhet të shikojmë edhe në rrafshin politik, dhe se si ta përballojmë më lehtë këtë re të zezë që po qëndron mbi Kosovën, apo këtë barrë të rëndë nga e cila duhet të lirohemi. Kështu që, askush nuk ka arsye të jetë i frikësuar nga drejtësia, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Serbia ka kryer gjenocid, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar një luftë të pastër, të drejtë. Unë nuk mund të them që ndonjë luftëtari të lirisë, gjatë periudhës së luftës apo pas, nuk i janë mashtruar ndjenjat e tij të veprimit, por të gjitha këto përmasa janë të përgjegjësive individuale, të cilat nuk duhet të na pengojnë për bashkëpunim të ngushtë në sistemin e drejtësisë, në Kosovë dhe jashtë Kosovës,” ishte shprehur Thaçi në mars të vitit 2017.
Si duket, ish-presidenti nuk e ka menduar se njëri nga këta individë të akuzuar mund dhe do të ishte vetë ai personalisht. Mbase e ka “amnistuar” veten në mendimet e tij, për shkak të postit politik që e mbante. Por, e vërteta nuk mund të heshtet përgjithmonë.
Grafitet kundër Fadil Gecit dhe rasti i vrasjes së Xhemail Mustafës
Një ditë pas përfundimit të dëshmisë së z. Fadil Geci, në kryeqytet u shfaqën disa grafite me mesazhe denigruese kundër tij.
Këto grafite më kujtuan rastin e vrasjes së veprimtarit të shquar të LDK-së dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të gazetës “Bota Sot”, Xhemail Mustafa.
Si ndodhi ngjarja: LDK-ja fitoi masivisht zgjedhjet lokale të mbajtura më 28 tetor të vitit 2000 (për rastësi sot e 24 vite më parë!).
Kjo fitore duket se i kishte penguar kundërshtarët politikë të LDK-së dhe presidentit Rugova, të cilët, të nesërmen në mëngjes do të shkruanin një grafit në rrugët e kryeqytetit: “Prishtinë zemra ime, haram të qoftë gjaku im, zgjedhjet 2000, TURP”.
Xhemail Mustafa, në një shkrim për gazetën “Bota Sot”, do ta komentonte këtë grafit gjerë e gjatë, duke e cilësuar si akt kundër vlerave demokratike.
Shkrimi i Mustafës titullohej: “Mallkimi i popullit nga ‘të mallkuarit e popullit’.”
“Zhurma agresive publike, akuzat dhe mallkimi i popullit për humbjen që pësuan, këto parti nuk do t’i shpijnë kurrë te fitorja, dhe kjo nuk është mirë as për to, as për vet Kosovën,”, do të shkruante ai në përfundim të shkrimit të tij.
Disa ditë pas këtij artikulli, përkatësisht më 23 nëntor të vitit 2000, z. Xhemail Mustafa do të vritej mizorisht në Prishtinë, në hyrje të apartamentit të tij. Ai do të qëllohej për vdekje nga dy sulmues, të cilët kurrë nuk u arrestuan e as nuk u gjetën.
Dhomat e Specializuara janë dera e fundit ku familjarët e të vrarëve për motive politike trokasin, për zbardhjen e këtyre rasteve makabre.
Specialja e ka në target të hetimeve të saj edhe vitin 2000, andaj shpresat se do ta zbardhë këtë vrasje i mbajnë gjallë familjarët. Grafitet dhe parullat kundër të vërtetës vetëm sa i rrisin këto shpresa.
UÇK-ja ishte dhe do të mbetet vlera më sublime e popullit shqiptar, por individët duhet të japin llogari.