Dëshmia e Fadil Gecit në Gjykatën e Hagës lidhur me akuzat ndaj Hashim Thaҫit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, ka bërë bujë të madhe. Derisa është transmetuar në tërësi deklarata e tij, është komentuar shumë gjithë ajo që ka deklaruar ai.
Mirëpo sa mund të ketë ndikim kjo deklaratë e tij në procesin ndaj këtyre të akuzuarve? A mund të ndikoj në përshpjetimin e procedurave apo mund ta ndërlikoj më tutje situatën?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’ avokati Ardian Bajraktari. Ai thekson se ndonëse nuk e ka përcjellë në tërësi dëshminë e Gecit, deklarimet e tilla njihen si dëhsmitarë më dëgjim dhe nuk merren shumë të besueshme.
“Nuk kam arrit me përcjellë në tërësi, megjithatë me aq sa kam pas mundësi me i pa disa sekuenca, në masë të konsiderueshme, i referohej situatave, duke theksuar që “më ka thënë ky apo ai person”, deklarimet e tilla kur dëshmitari referon situata të cilat nuk ka qenë prezent, quhet dëshmitarë më dëgjim, dhe si rrjedhojë nuk është që merren shumë të besueshme, për aq kohë sa mund të sigurohet dëshmitari okular”, thekson ai.
Po ashtu, avokati Bajraktari thotë se disa deklarime nuk janë edhe shumë relevante për procesin gjyqësor.
“Po ashtu me sa kam parë, në jo pak raste kishte edhe deklarime që nuk janë shumë relevante për procesin gjyqësor, megjithatë, i mbetet trupit gjykues ta vlerësoj nëse do i falët ose jo besimi dëshmive/deklarimeve të tilla”, vlerëson ai.