Thirrja e fundit/ Ish-ambasadori holandez i reagon sekretarit të OKB-së: Mos pyesni përsëri Kosovën, ndërsa Serbia ...

Politika

Thirrja e fundit/ Ish-ambasadori holandez i reagon sekretarit të OKB-së: Mos pyesni përsëri Kosovën, ndërsa Serbia ...

Nga: A.Zh Më: 29 tetor 2024 Në ora: 10:00
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, e ka mirëpritur thirrjen e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, ndaj Kosovës dhe Serbisë, për riafirmim të angazhimir të tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.

Bosch për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se ky është një sugjerim i mirë.

Megjithatë, ai ka kërkuar që të mos pritet nga Kosova që ta bëjë hapin e parë në raportet me Serbinë, pasi kjo e fundit nuk u është përgjigjur kurrë thirrjeve të tilla.

“Është sugjerim i mirë që palët jo vetëm të riafirmojnë, por edhe të zbatojnë angazhimet e tyre sipas marrëveshjeve ekzistuese. Por mos pyesni Kosovën përsëri dhe përsëri për të bërë hapat e parë, ndërsa Serbia nuk përgjigjet kurrë në mënyrë pozitive, por gjithmonë kërkon më shumë duke mos dhënë, shih veçanërisht, por jo vetëm 'Ohrin'”, ka thënë diplomati për “Bota sot”.

Ai ka kërkuar që raportet mes të dyja vendeve të monitorohen drejtë, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

“Jam i kënaqur me thirrjen, por duhet të monitorohet në mënyrë të drejtë dhe jo vetëm të monitorohet njëra anë”, ka theksuar Robert Bosch.

Raporti i fundit i hartuar në lidhje me situatën e përgjithshme në Kosovë, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka vënë theksin te pjesa veriore e vendit.

Sipas Guterresit, “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon".

Se në Kosovë vazhdojnë tensionet dhe situata e sigurisë është e paqëndrushme, e ka konfirmuar edhe Aleanca Veriatlantike (NATO).

Edhe NATO ka inkurajuar institucionet e Kosovës për angazhim në dialogun me Serbinë.

“Aktualisht vazhdojnë tensionet dhe paqëndrueshmëria, veçanërisht në veriun e Kosovës, duke kërkuar një rritje të trupave të KFOR-it që nga maji 2023. Ne inkurajojmë institucionet në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në konsolidimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë nga NATO./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat