Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka thënë se drafti i statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është i mirë dhe se i njëjti duhet të marrë trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese.
Kreu i AAK-së konsideron se kryeministri Albin Kurti po tenton “ta fsheh marrën” që sipas tij, e ka bërë gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare.
Haradinaj ka thënë se Asociacioni është pranuar nga krerët e shtetit me letrën e dërguar në Këshillin e Evropës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.
Ai u shpreh se Kurti nuk ka pranuar asgjë dhe se këto deklarata nga subjektet politike ka pasur shumë, por asgjë me të vërtetë.
Sipas juristit kryeministri në vazhdimësi është duke e refuzuar një draft që dëmton sovranitetin e Kosovës.
“Kurti asgjë s’ka pranuar realisht, ka pas deklarata të shumta të këtij lloji nga subjektet politike për një kohë të gjatë se Kurti ka pranuar Asociacion. Ai asgjë nuk ka pranuar as draft për Asociacion as asgjë kjo është e qartë refuzimi i tij i vazhdueshëm për të dërguar një draft në Gjykatën Kushtetuese e kjo asnjëherë nuk ka ndodhur”, u shpreh ai.
Më tej, Burjani thekson se Kurti nuk pranon kurrfarë Asociacioni as me kompetenca ekzekutive e as pa ato ekzekutive dhe kjo shihet qartë nga veprimet ose mos veprimet e tij.
“Pra nuk ka gjë prej kësaj pune , Kurti nuk pranon kurrfarë Asociacioni as me kompetenca ekzekutive e as pa ato ekzekutive kjo shihet qartë nga veprimet ose mos veprimet e tij. Nuk duhet të shtrembërohen qëndrimet dhe vendimet të Kurtit, përkundër insistimit të madh të SHBA e BE për dërguar një draft statut për Asociacion asnjëherë e nuk ka ndodhur dhe kjo është e qartë se Kurti s’ka asnjë lloj vendimi për të bërë Asociacion”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.