U kërkua përfshirja e grave përfaqësuese në dialog, a ka bazë ligjore që presidentja Osmani ta marrë “timonin” ?

Politika

U kërkua përfshirja e grave përfaqësuese në dialog, a ka bazë ligjore që presidentja Osmani ta marrë “timonin” ?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 tetor 2024 Në ora: 16:10
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Dialogu Kosovë- Serbi tash e një vit ka mbetur në nivel kryenegociatorësh.

Takimi Kurti- Vuçiq i fundit është mbajtur më 14 shtator 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Një takim i paralajmëruar ishte më 26 qershor i këtij viti, por ai dështoi për shkak të kushteve të kryeministrit Kurti.

Që nga atëherë ka pasur takime vetëm në nivel kryenegociatorësh, takime këto pa ndonjë rezultat.

Së fundmi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka hartuar një raport në lidhje me situatën e përgjithshme në Kosovë, ku pos tjerash i ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të ketë pjesëmarrje më të madhe dhe kuptimplotë të grave përfaqësuese në dialog.

Gjersa, kryeministri Kurti ka “bllokuar” takimet me Vuçiqin, një “bllokadë” të tillë ndoshta nuk e presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Bota sot” ka drejtuar pyetje presidencës nëse ata janë të gatshëm ta marrin “timonin” e dialogut nëse do t’i kërkohej nga ndërkombëtarët, ata kanë thënë se qëndron vendimi i kushtetueses.

“Ka një vendim të Kushtetueses, për dialogun. Aty është përgjigjja”, ka thënë për “Bota sot”, këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.

Çka thotë Kushtetuta?

Ndërsa, rreth ligjit që do të mund të parashihte një udhëheqje të dialogut nga presidentja Vjosa Osmani, ka folur avokati Skënder Musa.

Image
Skender Musa

Musa në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se baza ligjore ekziston për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë nga ana e presidentes.

Mirëpo, sipas tij, edhe kryeministri në bazë të nenit 94 të kushtetutës ka të drejtë të udhëheq me bisedimet, ndërsa dispozita ligjore e nenit 94 paragrafi nëntë parasheh që kryeministri të konsultohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës në bazë të nenit 84 paragrafi 1 dhe paragrafi 10 i kushtetutës së Republikës së Kosovës përfaqëson vendin brenda vendit dhe jashtë vendit si dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit. Baza ligjore ekziston për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë nga ana e presidentes. Mirëpo edhe kryeministri në baze të nenit 94 i kushtetutës ka të drejtë të udhëheq me bisedime megjithatë atë dispozita ligjore e nenit 94 paragrafi 9 parasheh që kryeministri konsultohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit. Dispozitat e kushtetutës determinojnë një bashkëpunim të ngushtë në politikë e jashtme të kryeministrit me presidenten e vendit. Mirëpo nuk duhet harruar faktin se presidenti në Kosovë ka rol aktiv në politikën e jashtme, ndërkaq qeveria dhe kryeministri janë përgjegjësit kryesorë për politikën e jashtme përfshirë këtu edhe bisedimet”, ka deklaruar Musa.

Sipas tij, në aspektin e kompetencave nuk ka asnjë pengesë që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti.

Madje, avokati Musa, ka shtuar se presidentja mban pozitën më të rëndësishme në vend dhe ka për detyrë ta ruajë unitetin dhe të udhëheq politikën e jashtme.

“Në aspektin e kompetencave nuk ka as një pengesë që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti, madje presidenti/ja edhe nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare, e që në fakt presidentja e Kosovës mban pozitën më të rëndësishme në vend dhe është e para që ka për detyrë ta ruajë unitetin dhe të udhëheq politikën e jashtme”, ka shtuar avokati.

Nëse rikthehemi pas në kohë, Kosovë është udhëhequr në dialog edhe nga një president. Hashim Thaçi kishte marrë primatin e bisedimeve edhe sa kishte qenë president, udhëheqje kjo që ishte kritikuar në atë kohë nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani dhe deputetët në atë kohë të opozitës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë presidencës së tij Thaçi ishe pro ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Ratifikim ky i cili nuk ishte pa pasoja për banorët si rezultat Kosova humbi territor sipas ekspertëve dhe në vitin 2020 në pikën kufitare në Qakorr dhe ne fshatin Llukë forcat malazeze kanë dëbuar banorët nga vendbanimet.

Në vitin 2020 ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, tha se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq ishin ideatorët për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të thotë dhënien e Veriut dhe marrjen e Luginës së Preshevës. Kurse për opinionin publik Thaçi është shprehur disa herë se ishte pro bashkimit me Luginën e Preshevës dhe kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.

Gjatë kohës sa Thaçi ishte president, ishte nënshkruar edhe marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e cila po has në kundërshtim nga pala e Kosovës, kjo për shkak të kompetencave që mund të ketë ky asociacion.

Hertica: Përfshirja e një gruaje do ta pasuronte procesin e dialogut

Analisti politik, Ali Hertica, ka konsideruar se gratë që janë në krye janë duke ecur dukshëm në krizë.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, fakti që marrëveshjet nuk janë të nënshkruara nga palët dhe nuk janë ratifikuar në Kuvendet përkatëse komplikon situatën.

“Dialogu u zhvillua nga përfaqësuesit e qeverive të dy vendeve pa konsultime të mirëfillta kualitative të brendshme dhe në mungesë të transparencës dhe konsensusit. Kjo rrezikon zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe qëndrueshmërinë e procesit, sidomos kur liderët opozitarë kërcënojnë se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet nëse vijnë në pushtet. Fakti që marrëveshjet nuk janë të nënshkruara nga palët dhe nuk janë ratifikuar në Kuvendet përkatëse komplikon situatën. Për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve, BE planifikon të raportojë rreth tyre në raportet vjetore të Progresit thirrja e sekretarit të OKB-së Antonio Guterres që gratë të janë pjesëmarrëse në dialog tregon se është e dukshme që vendet ku gratë janë në krye janë duke ecur dukshëm më mirë në krizë  këtë e ka dëshmuar Edita Tahiri, por kjo nuk ka të bëjë me udhëheqjen “femërore”, “Stili i udhëheqjes së grave nuk është aq i ndryshëm. Ju e shihni që gratë shpesh bëjnë pak më mirë se burrat. Dhe jo vetëm për ato që ne i quajmë stile femërore, të tilla si udhëheqja pjesëmarrëse ose empatike, por edhe për stilet më ‘mashkullore’, si lidershipi i orientuar drejt detyrave ose drejtimi. Në fakt, gratë janë pak më mirë se meshkujt në të gjithë bordin, por jo sepse janë shumë më femërore. ‘Si ka mundësi që gratë bëjnë më mirë në të gjitha ato stile aktive dhe në fakt janë udhëheqëse më të mira? “Ka të bëjë me rrugën për të arritur atje,” thotë Stoker. Rruga drejt majës është më e vështirë për gratë sesa për burrat. Kjo sepse pikëpamja stereotipike që kemi për atë se çfarë është një udhëheqës i mirë është ende shumë mashkullore: vendimtare, dominuese, me një vizion të fortë”, është shprehur Hertica.

Edhe sipas tij, presidentja Osmani mund të jetë bartëse e proceseve të dialogut.

“Se gruaja në procesin e dialogut do ta pasuronte atë dhe do të jetë një vlerë e shtuar për dialogun. Fuqimisht e përkrah idenë që gratë e Kosovës të cilat tani më janë dëshmuar dhe të cilat arrijnë të kenë rezultate qoftë përmes pozicioneve ku ato janë në qeveri apo në sferat e tjera, mund t'i shërbejnë dialogut dhe mund ta përfaqësojnë interesin e gruas si pjesë e dialogut dhe mund të jenë të fuqishme në kuadër të adresimit të argumenteve dhe fakteve në raport me Serbinë. Unë mendoj se të tilla ka jashtëzakonisht shumë gra, që tregohen më të përgatitura profesionalisht këtë e ka dëshmuar  Presidentja Osmani, pse mos të jetë kjo bartëse e proceseve të dialogut ku do ishin të barabartë  me Serbinë si dy president siç ishte Hashim Thaçi, por shumë politikë-bërës  po dëshirojnë  të hyjnë në histori, por nuk i zënë të gjithë si është  kryeministri Kurti kjo, do të thotë gra të afta të cilat janë marrë me çështjet e dialogut, qoftë nga shoqëria civile, qoftë në ketë rast edhe nga partia e cila është në pushtet”, ka përfunduar Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat