Ia kërkoi Kurtit dorëheqjen, analistët kritikojnë ashpër Gashin: Kjo “industri trillimesh e intrigash” merr përgjigje më 9 shkurt!

Politika

Ia kërkoi Kurtit dorëheqjen, analistët kritikojnë ashpër Gashin: Kjo “industri trillimesh e intrigash” merr përgjigje më 9 shkurt!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 tetor 2024 Në ora: 21:18
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria Kurti është afër përmbylljes së mandatit të plotë qeverisës, gjë të cilën nuk e kishte bërë asnjë parti/qeveri në të kaluarën.

Rrugëtimi i kësaj qeverie shpesh është përballur me kritika, akuza e kërkesa për dorëheqje nga ana e opozitës, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kur tani veçse është caktuar data e zgjedhjeve dhe vetëm pritet të kalojnë edhe pak muaj sa kanë mbetur, erdhi një kërkesë për dorëheqje të Kurtit.

Një kërkesë befasues, themi kështu marrë parasysh se tani kemi verdikt final për datën e zgjedhjeve, erdhi nga shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Madje, Gashi kërkoi nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje dhe vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje, pasi sipas tij, po dëshmohet se pushteti aktual nuk është i aftë për të qeverisur vendin.

“Vetëvendosja s’po merr pjesë në komisione. Vetëvendosja s’po merr pjesë në seanca. Vetëvendosja po i dështon seancat. Vetëvendosja po i dështon komisionet hetimore parlamentare dhe po e dështon punën e Kuvendit. Kjo është si rezultat i mungesës së kontrollit nga ana e Vetëvendosjes. Ata s’kanë vullnet të kenë bashkëpunim. Kjo mungesë e vullnetit të bashkëpunimit është evidente në këtë legjislaturë. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë nuk është arritur asnjë kompromis, bashkëpunim dhe koordinim mes pushtetit dhe opozitës.. Ne jemi në një situatë ku nuk ka shumicë parlamentare. S’ka shumicë qeverisje dhe LVV-ja nuk është e aftë të qeverisë vendin. Në këtë situatë normale duhet që kryeministri të jep dorëheqje dhe të hap rrugën për zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur”, thekson Gashi.

Mirëpo, sa është e arsyeshme kjo kërkesë për dorëheqje të Kurtit, kur tanimë është përcaktuar edhe data për zgjedhje?.

Sipas analistëve, kjo më shumë po bëhet në formë presioni, duke parë se zgjedhjet janë afër dhe se tani veçse ka një datë të caktuar.

Preqi: Gashi, po ëndërron dorëheqjen e Kurtit para zgjedhjeve

Image
Dedë Preqi

Si fillim, këtë kërkesë të Gashit për dorëheqje të kryeministrit Kurti, e ka komentuar opinionisti Dedë Preqi.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kjo tregon injorancë provoktative, pasi data e zgjedhjeve tani është caktuar dhe dihet saktë se kur do të mbahen ato.

“Njeriu i cili bëhet i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e bart drejtë një institucioni të rëndësishëm të vendit të vet dhe të vlershëm njerëzor, me dashuri e pret edhe ta përfundojë, por nuk mundet kurrë ta gjuaj gjithë mundin e shoqërisë së vet dhe të tij, sepse duhet të ballafaqohet me një «PSE».

Prandaj kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të LDK, Arben Gashi, që kërkon urgjentisht të jep dorëheqje kryeministri Albin Kurti, dhe vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja, kur ato janë të caktuara sipas presidentes së vendit, të cilat e kanë datën dhe kohën e caktuar të mbajtjes së tyre, këtu nuk ka tjetër koment, vetëm se bëhet fjalë me një sharlatan politik, që arrin nivelin më të ulët me shembullin e një injorance të tillë provokative”.

Gjithashtu, Preqi foli edhe mbi mbarëvajtjen e seancave parlamentare, ku sipas tij, kjo gjë nuk e arsyeton dorëheqjen e Kurtit, pasi as kjo opozitë nuk i voton as ligjet e rëndësishme në Kuvend.

“Sipas kryetarit të grupit parlamentar të LDK, Arben Gashi, si edhe tërë opozitës, se mazhoranca nuk po merr pjesë në seanca të jashtëzakonshme dhe e cila nuk thërret seanca të rregullta parlamentare, me ç’ rast nuk pajtohen edhe disa deputete të mazhorancës me veprimet e tilla, duke aderuar në LDK dhe parti të tjera, kjo nuk e arsyeton se kryeministri Kurti, duhet të jep dorëheqje, që disponimi i opozitës të efektizohet, ndërsa në anën tjetër kjo opozitë nuk i voton as ligjet e rëndësishme në Kuvend, për shkak të injorancës ndaj pozitës.

LDK dhe kryetari i grupit të saj Arben Gashi, e akuzon mazhorancën se është e koordinuar me Listën serbe, dhe me kriminelin Radoiçiq, përmes kryetares së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, z.Mimoza Kusari-Lila, që do të ishte vetëm një produkt aksidental, që i ndodh personit në fjalë, por reagimet e opozitës janë të tilla, të cilat e trajtojnë një politikë të veçantë për të thënë atë që i vënë në disponim me thashetheme dhe asgjë më shumë”, shpjegoi ai.

Më tej, opinionisti përmendi edhe disa kritika të Gashit, e të cilat tha se nuk qëndrojnë aspak, pasi vendi nuk ka qenë kurrë në gjendje më stabile se tash, me në krye me kryeministrin Kurti.

“Po ashtu e kritikon kryeministrin Kurti, se vizita e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike z.J ames O’brien, nuk është ndarë i kënaqur me reflektimin e Kurtit, duke thënë se veprimet e tij janë veprime të pa përgjegjshme, vetëm se kryeministri po mbrohet nga rundet e fuqishme nga gjitha anët, duke shpëtuar edhe rrezikun nga rundi i fundit përmes Asociacionit të komunave serbe.

Ndërsa në veri, thotë Gashi, kemi një gjendje të përkohshme të stabilitetit, sepse kryeministri Kurti, po e mbanë me forca policore, së cilës gjendje dhe situate mund t’i përgjigjet edhe jo vetëm një politikan i tipit Gashi, por edhe fëmijët dhe gjithë populli i kësaj pjese të vendit, pa dallim etnie, se asnjëherë ky vend nuk ka qenë në një gjendje të tillë stabiliteti”, nënvizoi Preqi.

Ndër të tjera, ai shtoi se akuzat që po bëhen nga opozita karshi qeverisë Kurti, janë shpifje dhe trillime, që si synim kanë ta tërheqin vëmendjen e opinionit para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Kryeministri Kurti, do akuzohet edhe nga shumë akuza të tjera të opozitës, se përmes marrëveshjes së Brukselit, dhe aneksit të Ohrit, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, komunave në veri të vendit pakicës serbe, u ka dhënë autonomi substanciale, dhe sipas këtij interpretimi dhe të tjerave, akuzat dhe shpifjet e rrejshme të opozitës janë të pa kripura, të cilat bëhen vetëm për ta tërhequr vëmendjen e opinionit  para zgjedhjeve, por për gjitha këto industri trillimesh dhe intrigash, do të vendos populli se kush qëndron prapa tyre me 9 shkurt të vitit 2025, në zgjedhje të reja parlamentare”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Arben Gashi, ndonëse i ri, i përket mentalitetit të vjetër në sinkron me atë të Isa Mustafës

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti e krahasoi qasjen e Gashit me atë të Isma Mustafës.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se kërkesa për dorëheqje të Kurtit, është kërkesë pa lidhje dhe tregon mungesë të seriozitetit nga ana e partive opozitare.

“Arben Gashi, ndonëse i ri, i përket mentalitetit të vjetër në sinkron me atë të Isa Mustafës. Kërkesë pa lidhje, vetëm sa për të thënë diçka, duke dëshmuar mungesën e seriozitetit të opozitës. Në kohën kur është shpallur data dhe kur qeveria i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend, s’ka asnjë arsye për dorëheqje”.

Po ashtu, sipas analistit, opozitës po i pengon faktin se LVV është partia e parë që e përfundon mandatin 4 vjeçar, gjë të cilën nuk e kishe arritur asnjë parti më parë.

Në fund, potencoi se LDK duhet të përmirësojë gabimet e dikurshme, që e kanë sjellë në pikën që është tani.

“Opozitës po i dhemb se qeveria Kurti po del të jetë e para që përfundon mandatin e plotë, derisa LDK nuk ka arritur asnjëherë një gjë të tillë, pavarësisht se ka qenë disa herë në qeveri. LDK duhet të përmirësojë gabimet e dikurshme, si dhe mendësinë që e ka sjellë këtu ku është. Arben Gashi si pjesë e klanit të Isës nuk është alternativë e besuar.”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat