Kurti flet për Asociacionin që po e kërkon Serbia/ Analisti: Ja kush i shkaktoi lëndime të mëdha Kosovës, dhe acaroi raportet pozitë - opozitë

Politika

Kurti flet për Asociacionin që po e kërkon Serbia/ Analisti: Ja kush i shkaktoi lëndime të mëdha Kosovës, dhe acaroi raportet pozitë - opozitë

Nga: N. Sh. Më: 29 tetor 2024 Në ora: 22:44
Albin Kurti

Krijimi i Asociacionit është në vazhdimësi kërkesë e ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë së Kosovës, mirëpo me këtë nuk po pajtohet kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti gjatë ditës së djeshme ka thënë se Asociacionin që po e kërkon Serbia, do ta minonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas tij e njëjta vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse.

“Ne gjithashtu angazhohemi që të dëgjojmë kërkesat e të gjitha komuniteteve pakicë në vendin tonë dhe të peshojmë kërkesat politike bazuar në ndikimin e tyre te njerëzit e zakonshëm dhe në fund të fundit në bazën ligjore që i mbron ata. Një kërkesë e tillë është për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.

Për formimin e Asociacionit ka folur analisti politik Skender Zogaj.

Ai shprehet se, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e paevitueshme, sepse është rezultat i marrëveshjes së dialogut, që Kosova e ka miratuar dhe është e obliguar që ta realizojë!

“Për këtë e ka shprehur mendimin e saj edhe Kushtetuesja, që i ka dhënë vërejtjet e saj ligjore, dhe me plotësimet e saj, mosrealizimi i Asociacionit është vetëm humbje kohe, në dëm të Kosovës! Në fakt, me Asociacionin Serbia i ka shkaktuar lëndime të mëdha konstitumit shtetëror të Kosovës, duke ia zbehur reputacionin ndërkombëtar dhe duke ndikuar në mënyrë indirekte në acarimin e raporteve të brendshme politike pozitë-opozitë, që aktualisht e kanë humbur plotësisht busollën dhe po e mbajnë vendin buzë greminës”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, siç po shihet qartë, Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka ndërmend të heq dorë nga formimi i Asociacioni, sepse decidivisht po vazhdon ta theksoj si kusht për zgjidhjen  përfundimtare!

“Kërkesa është kusht serioz që Kosovën e mbanë “as mish as peshk”! Pra, rruga është ngushtuar dhe pas zgjedhjeve të reja Asociacioni do të bëhet! Dhe kjo do të jetë fundi i thashethemeve, sepse, do të shihet se është luajtur loja "fushk në dushk", ku Kosova e Serbia këmbejnë “dushk për gogla”! Asociacioni nuk i bën nder Kosovës, por edhe më pak Serbisë, e të cilën e presin punë të tjera shumë më të sikletshme dhe, do ta harrojë asociacionin!”, përfundon analisti politik Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat