Analisti politik dhe profesori Blerim Burjani, ka folur për Asociacionin pas kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat në vazhdimësi po vijnë në drejtim të Qeverisë së Kosovës.
Ai thotë se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të ketë Asociacion, por shton se këtë mund ta bëjë opozita nëse vjen në pushtet.
“Asociacioni me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të themelohet asnjëherë, por nëse vjen opozita në pushtet do të ketë një llojë Asociacioni, mirëpo në asnjë mënyrë autonomi të gjerë për 4% serbë që jetojnë në Kosovë”, shprehet Burjani.
Ai thotë se, duhet të gjendet një rrugë për të zhbllokuar raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë.
“Kush e merr pushtetin duhet të gjej zgjidhjen për Asociacionin. Ata do të insistojnë në ndonjë variant të themelimit të Asociacionit, edhe pse gjasat për një Asociacion me kompetenca të zgjeruara janë minimale, apo më mirë të them kurrëfare”, thekson ai.
Burjani pohon se në Kosovë nuk ka konsensus nacional për themelimin e një Asociacioni të tillë që vlerësohet të jetë shkatërrues i shtetit unitar dhe që mund të jetë një hap drejt ndarjes së Kosovës.
“BE dhe SHBA nuk duan ndarje, por duan Asociacion që garanton një lloj autonomie për serbet lokal”, përfundon profesori dhe juristi Blerim Burjani.