“Kanë krijuar rrjet tunelesh nëntokësore dhe...”, ambasadorja e Izraelit në Kosovë jep detaje rreth luftës

Politika

“Kanë krijuar rrjet tunelesh nëntokësore dhe...”, ambasadorja e Izraelit në Kosovë jep detaje rreth luftës

Nga: N.E Më: 31 tetor 2024 Në ora: 15:55
Tamar Ziv

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden kishte thënë se vdekja e udhëheqësit të Hamasit, Jahja Sinëar hap mundësinë për “zgjidhje politike” ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Presidenti Biden e bëri këtë deklaratë pak pasi ushtria izraelite njoftoi se kishte vrarë Sinëarin, ideatorin e sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, i cili ishte edhe shënjestra e fushatës njëvjepçare hakmarrëse të Izraelit në Gazë. Hamasi e konfirmoi vrasjen e udhëheqësit të tij duke e quajtur martir, ndërsa Hezbollahu, grupi tjetër militant i mbështetur nga Irani, u zotua sot se lufta kundër ofensivës izraelite në Liban po hynë në një fazë të re.

Udhëheqësi kryesor i Hamasit në Gazë, Jahja Sinëar me vite ndërtoi kapacitetet ushtarake të grupit militant. Që kur Hamasi, të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit 2023, Sinëari fshihej në tunelet nëntokësore të Gazës. Të enjten, Izraeli njoftoi se e kishte vrarë Sinëarin gjatë një operacioni në pjesën jugore të Gazës. Zyrtaret izraelitë publikuan një video-regjistrim, për të cilin thonë se tregon momentet e tij të fundit.

Se a mund të ketë një “zgjidhje politike” në të ardhmen e afërt, është pyetur nga “Bota sot”, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Ai thotë se mund të kishte pasur një zgjidhje për luftimet shumë muaj më parë.

Sipas Ziv, Sinuar nuk u interesua për popullsinë civile palestineze në rripin e Gazit dhe i përdori ato si mburoja njerëzore.

“Mund të kishte pasur një zgjidhje për luftimet shumë muaj më parë. Nëse Hamasi do të kishte qenë i gatshëm të lironte pengjet dhe të dorëzohej, lufta mund të kishte përfunduar. Fatkeqësisht, Sinuar nuk u interesua për popullsinë civile palestineze në rripin e Gazit dhe i përdori ato si mburoja njerëzore. Hamasi shkel sistematikisht ligjin ndërkombëtar dhe kryen krime lufte duke përdorur popullatën si mburoja njerëzore dhe përveç kësaj përdor shkollat, spitalet dhe xhamitë si depo armësh, poste komandimi dhe kontrolli, vende të prodhimit të armëve dhe më shumë”, shprehet Ziv.

Ajo tregon se Hamasi ka krijuar një rrjet nëntokësor tunelesh që kalon nën Rripin e Gazës si tunele sulmi dhe si tunele në të cilat shumë nga pengjet mbahen në kushte nën njerëzore.

Ziv deklaron se Sinuar dhe Hamasi kanë vjedhur edhe ndihmat humanitare.

“Përveç kësaj Hamasi ka krijuar një rrjet nëntokësor tunelesh që kalon nën Rripin e Gazës si tunele sulmi dhe si tunele në të cilat shumë nga pengjet mbahen në kushte nën-njerëzore.

Izraeli e sheh dëmin e shkaktuar ndaj civilëve si një tragjedi, ndërsa Hamasi e sheh dëmin e shkaktuar ndaj civilëve si një strategji. Një shembull është se Sinuar dhe Hamasi vjedhin ndihmat humanitare që hyjnë në Rripin e Gazës, duke rrëmbyer kamionët dhe më pas duke ua shitur ndihmat humanitare civilëve, ndërkohë që i ngarkojnë ata për ndihmën. Kjo ndihmë duhej t'u shpërndahej popullit të Rripit të Gazës pa pagesë, por Hamasi përfitoi nga ndihma dhe popullsia palestineze dhe fitoi më shumë se gjysmë miliardë dollarë duke vjedhur dhe rishitur ndihmat për popullin”, thekson ambasadorja.

Lirimi i menjëhershëm i 101 pengjeve mes tyre foshnja, gra, të moshuar dhe burra, sipas Ziv, duhet të jetë hapi i parë.

Ajo shton se lufta do të vazhdojë derisa të kthehen të gjitha pengjet, derisa aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit të çmontohen dhe kërcënimi i terrorit ndaj Izraelit do të hiqet.

“Hapi i parë për të arritur një zgjidhje për sundimin e Gazës është lirimi i menjëhershëm i 101 pengjeve mes tyre foshnja, gra, të moshuar dhe burra. Paralelisht do të zbatohet një armëpushim, më shumë ndihma humanitare do të jetë në gjendje të hyjë në Rripin e Gazës pa rrezikun se do të rrëmbehet dhe vidhet nga Hamasi. Diskutimet mbi sundimin e Gazës do të mund të avancojnë. Lufta do të vazhdojë derisa të kthehen të gjithë pengjet, derisa aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit të çmontohen dhe kërcënimi i terrorit ndaj Izraelit do të hiqet”, përfundon Ziv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat