PDK dhe AAK ‘sulmojnë’ qeverinë Kurti pak para zgjedhjeve, publicisti tregon pse LDK është ndryshe – ja thirrja e tij për LVV-në

Politika

PDK dhe AAK ‘sulmojnë’ qeverinë Kurti pak para zgjedhjeve, publicisti tregon pse LDK është ndryshe – ja thirrja e tij për LVV-në

Nga: A.M. Më: 31 tetor 2024 Në ora: 20:02
Liderët e partive opozitare

Partitë politike, kanë filluar me parafushatat e tyre zgjedhore.

Duke parë angazhimet e tyre, mund të priten beteja të ashpra para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Koalicione zyrtare, përveç AKK-Nisma nuk ka, ndonëse është përfolur edhe për vija të kuqe mes subjekteve, ku në këtë pikë nga opozita kanë deklaruar se nuk do bëjnë koalicion me LVV-në.

PDK dhe AAK, janë treguar më të ashpra ndaj partisë në pushtet, ku kanë lëshuar edhe akuza dhe kritika nga më të ndryshmet, derisa LDK është treguar më objektive dhe nuk ka rënë në nivel të akuzave të rënda

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim për “Bota sot” u shpreh se ka një tendencë të partive opozitare për ta ndalur LVV-në, në marrjen e një mandati të dytë.

Image
Idriz Zeqiraj

Në këtë pikë, përmendi edhe LDK-në dhe opozitarizmin e saj, ku tha se nuk shquhet për afera korruptive, si dhe vlerësoi që u rrëzua nga qeverisja meritore me LVV, nga ndërhyrjet e jashtme.

 “Ka një angazhim enorme të opozitës, për ta ndalë marshimin e LVV, për ta vazhduar mandatin e dytë saj. Ndjesi keqardhje ka për LDK-në, e cila u viktimizua nga një rreth vizioz i brendshëm, me flirtim me kreun e PDK-së, Hashim Thaçin, duke bërë shërbime fatale për llogari të tij. Përndryshe nuk ka afera kriminale dhe as korruptive, hajnore. LDK-ja u rrëzua dhunshëm nga qeverisja meritore me LVV, nga ndërhyrja e jashtme, në koordinim me disa hafije të brendshëm. LDK-ja përgjatë opozitarizmit 4 (katër) vjeçar, ka punuar shumë, për të qenë, në mos në krye, të paktën pjesë e qeverisjes. Ajo ka shansin e artë për t`u bërë, sërishmi, kryezonjë, si në epokën rugoviane. Duhet pranuar se lidërshipi i ri ka qenë ekip mobil dhe fort i përkushtuar, për ta ringritur rejtingun, namin e partisë, e cila, nën drejtimin e Presidentit Rugova, e bëri paqen dhe luftën, duke e shpën Republikën e Kosovës në pavarësinë e saj. Lidershipi i ri i partisë, duke i lënë në harresë shumë nga bashkëpunëtorët të vyeshëm e besnikë të kryetarit Rugova, sikur miratoi veprimet përjashtuese, më saktë, spastruese të pararendësve të tij. Dhe, kjo do ta këtë koston e saj”, tha ai.

Po ashtu, Zeqiraj përmendi edhe disa kuadro që ishin pjesë e Mustafës, e që po e sulmojnë kryetarin e ri, Abdixhiku.

Madje, tha se ‘rrënimi’ i LDK-së erdhi si pasojë e koalicionit më PAN-in dhe dështimi për të bërë reforma brenda partisë.

Në këtë pikë, theksoi edhe largimet e Osmanit e Gërvallës.

“Është për shumë keqardhje se disa kuadro të afërm të ish-kryetarit Mustafa, kurrë nuk u pajtuan me humbjen e pozitave, të cilat i gëzuan për gjatë kohë. Ngecja e reformave të pritshme partiake, u dha rast disa të lënduarëve nga anashkalimi, ta sulmojnë lidërshipin e ri, pa u merakosur se po dëmtojnë partinë. Ekziston frika e bazuar se të tillët e duan dështimin e kryetarit aktual. Një klauzolë e brendshme, e dalë nga strukturat e partisë, e lënë të hapur mundësinë e shkarkimit të kryetarit, në rast të humbjes të zgjedhjeve. Por, sa logjike do të ishte kjo masë ekstreme, në rastin e LDK-së, kur udhëheqja e shkuar e kishte sjellur atë në 10 %, sepse 2 % i përkisnin Pacollit.

Aq më pak, kur dihet se rrënimi i LDK-së ishte, pothuajse, i qëllimshëm, sepse koalicioni me PAN-in, përgjakës të LDK-së dhe Kosovës, bëhej përsëritshëm, në kundërshtim të plotë me vullnetin të anëtarësisë dhe të elektoratit të partisë. Humbjen spektakulare, të pritshme të LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, shefat e partisë ua faturuan, falsifikueshëm, dy zonjave luftarake dhe shumë të respektuara, nga shumica absolute e shqiptarëve të përbotshëm, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani. Ishin mësuar mjeranët uzurpues të LDK-së, t`i largonin kuadrot e Dr. Rugovës, me - heshtjen e qetë -! Por, kësaj radhe, karrieristëve të thekshëm, "sharra u hasi në gozhdë", sepse çikat e zgjuara dhe skajshëm të dinjitetshme të Kosovës, nuk e pranuan "pensionimin" e dhunshëm politik!”.

Më tej, kërkoi nga LDK që të bëjë fushatë ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës, pa shpifje dhe akuza të pabaza, nëse dëshiron që të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme.

“LDK-ja ka krijuar një bazë solide, për ta ndryshuar statutin aktual të saj, nga opozitë në pozitë. Gjeturia e përgjegjshme e lidershipit të saj, përgjatë procesit fushatorë dhe atij zgjedhorë, deri në kompozimin e qeverisë së re, do të përcaktojë, në një masë të madhe, fatin e LDK-së, respektivisht, rreshtimin e saj në pozitë. Ajo duhet të bëjë një fushatë ndryshe nga opozita tjetër, të faktuar dhe pa shpifje monstrume "alla komuniste", siç veprojnë partitë-banda të PAN-it, përkatësisht, PDK-AAK-NISMA. Shpifjet groteske dhe mohimi i gjithçkaje të LVV, e rrezikojnë PAN-in të mos besohet për asgjë. Dhe, ky është ai sforcimi fushatorë apo në zhargonin pezhhorativ lehaqener. Prandaj, në shkrimet e mia, për të qenë i saktë, e bëj dallimin e qartë dhe nuk "e fus në një thes" LDK-në me subjektet tjera të opozitës rrast të inkriminuara".

Në fund, kërkoi nga LVV të qëndrojë me këmbë në tokë dhe t’i demantojë sulmet e PAN-it, pasi nuk duhet të heshtë përballë tyre dhe të shpresoj që këto nuk do e dëmtojnë në elektorat.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet të lirohet nga megollomania e tipit të Isa Mustafës së "zgjedhjet i fitoj me duar në xhepa!" Sulmet shpifëse të orkestruara e korale të bandës së bashkuar të PAN-it, nuk duhet t`i heshtë, me mendimin se "as shej nuk më bëjnë!" Përkundrazi, LVV duhet të qëndrojë "me këmbë në tokë", duke demantuar përflakshëm dhe faktueshëm "të bëmat" kriminale të eksponentëve të partive-banda të PAN-it. Ato kanë mbushur kupën e krimeve dhe të hajnive industriale, të cilat jo vetëm nuk mund ta sfidojnë LVV, por janë kandidate potenciale, për t`i shpallur të jashtëligjshme”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat