Zgjedhjet parlamentare po afrohen, me këtë janë shtuar edhe parafushatat e partive politike, që synojnë të dalin sa më mirë me përqindje dhe të shënojnë rritje elektorale.
Sondazhe bëhen në vazhdimësi, por së fundi janë dhënë disa rezultate të befasishme, ku bazuar në një sondazh jo zyrtar, parti opozitare dhe kundërshtarë të qeverisë Kurti, kanë thënë se LVV ka rënë në 35% të votave.
Nuk dihet saktë se nga ka ardhur ky rezultat apo sondazh të themi, pasi nuk ka statistika të sakta, të cilat do tregonin në këtë rast edhe përqindjet e partive të tjera opozitare.
Kësisoj, kjo mbetet vetëm aludim më tepër, se sa diçka e matur me mostra.
Por, sa në realitet mund të jetë e mundur, që LVV ka rënë në 35 përqind të votave, nga 51 sa kishte në zgjedhjet e vitit të 2021.
Në lidhje me këto sondazhe dhe rezultate kanë folur analistët politikë.
Elezaj: Nuk është e lehtë të jepen vlerësime konkrete, se sa ka shënuar rënie partia në pushtet
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.
Së pari, ai tha se jetë e vështirë të bëhen vlerësime mbi një rënie të mundshme elektorale, të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Në këtë rast, ai komentoi se vlerësimet se LVV-në nuk do ketë parti opozitare që do mund ta largojë nga pushteti
“Meqë nuk ka informata zyrtare se nga cila agjenci është bërë dhe publikuar sondazhi, sipas të cilit LVV-je ka shënuar rënie në përqindje të votave, mendoj se nuk është e lehtë të jepen vlerësime konkrete, se sa ka shënuar rënie partia në pushtet, ndonëse ka më shumë se një vit që e kam dhënë mendimin tim, se LVV-je do ketë rënie bukur të madhe të përqindjes së votave në zgjedhjet e ardhshme, nisur nga fakti, se po të mos kishte rënie të votave, eksponentët e saj nuk do kishin pasur fare nevojë që në mënyrë pompoze t’i bien çdo ditë vuvuzelës, se partia e tyre “në zgjedhjet e ardhshme do shënojë fitore spektakolare, madje deri në 65 - 70%, gjithnjë me synimin për ta mbajtur nën ethe opozitën, si dhe kundërshtarët politik të saj, se LVV-në nuk do ketë parti opozitare që do mund ta largojë nga pushteti”.
Gjithashtu, Elezaj hodhi edhe disa dyshime, ku tha se fakti që është bërë shumë zhurmë se LVV-në nuk do mund ta rrëzojnë nga pushteti askush, do i kushtojë partisë në pushtet.
Madje, vlerësoi se një gjë tjetër që mund ta penalizojë LVV-në është edhe mos paraqitja në seancat e fundit plenare, në Kuvendin e Kosovës.
“Pra, ka një kohë të gjatë, ose thënë më troç, që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, udhëheqës dhe zyrtarë të LVV-së, në vazhdimësi dhe në forma të ndryshme e kanë proklamuar tezën, se partia e tyre është e pa konkurrencë në spektrin politik të Kosovës, meqë përballë saj, gjithnjë sipas tyre, nuk ekzistojnë fare parti opozitare që mund ta rrezikon qeverisjen e saj, duke krijuar në opinion skizmën, se për ta mundur dhe hequr nga pushteti këtë parti, opozitës “inekzistente” i duhen së paku 10 vite luftë dhe angazhim për të ardhur në pushtet. Madje, brenda LVV-je, ka pasur zëra melankolik, se në Kosovë nuk ka fare opozitë, andaj pushtetin e kanë të sigurt së paku edhe për 16 vitet e ardhshme, gjë që, sipas mendimit tim, ka qenë kjo gafa më e madhe politike e krerëve të kësaj partie, koston e të cilës, pa asnjë dyshim, se do ta paguajnë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por edhe për shkak të arrogancës së saj ndaj opozitës, qoftë përmes deklaratave kapricioze, qoftë përmes debateve nënçmuese ndaj saj në Kuvend, arrogancë të cilën nuk e shpërfaq asnjë parti në pushtet, e cila për synim ka forcimin dhe avancimin e sistemit demokratik në çdo shoqëri që ka sistem pluralist shumë partiak”, shpjegoi ai.
Më tej, opinionisti u shpreh se rritja e pagave është një vendim i duhur, por I vonuar, pasi konsideron se një gjë e tillë është dasht të bëhej shumë më parë.
Nisur, nga këto, Elezaj nuk përjashtoi edhe befasi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të 9 shkurtit.
“Një gjë është shumë e sigurt, se rritja e pagave nga ana qeverisë Kurti në kohë fushate zgjedhore, edhe sikur të kishte qenë ky një proces i rregullt ligjor dhe buxhetor, natyrshëm rrjedhë dyshimi, se ky veprim ka pasur për qëllim të përfitojë sa më shumë vota nga elektorati, e që në fakt, do ketë efekt të kundërt, për shkakun se rritja e pagave është dashur të bëhet disa herë gjatë mandatit të qeverisë Kurti, dhe jo në fund të mandatit dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Sido që të jetë, LVV-je, nuk ka asnjë dyshim, se ka një rënie të dukshme të përqindjes së votave, gjë që këtë e tregojnë edhe disa matje të më hershme jashtë Kosovës, por edhe analizat e ekspertëve vendorë që flasin se partia në pushtet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk do ta fitojë përqindjen e përfolur nga shumë eksponentë të saj, mbase sondazhi i fundit pa autor, edhe mund të jetë shumë afër përqindjes të cilën do e fiton LVV-je me 9 shkurt, andaj unë nuk përjashtoj surprizat e mundshme që mund të ndodhin në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Qarri: Sa më shumë po afrohen zgjedhjet e reja, aq më të ashpra po bëhen edhe “sondazhet” opozitare,
Kurse, analisti politik, Gani Qarri mendon ndryshe.
Sipas tij, këto sondazhet e fundit, janë porositur nga opozita, kjo me qëllim të ngritjes ‘artificiale’ të këtyre partive.
“Sa më shumë po afrohen zgjedhjet e reja, aq më të ashpra po bëhen edhe "sondazhet" opozitare, megjithatë sa i takon përkrahjes ndaj partisë në pushtet, besojë se ajo mbetet konstante dhe ka një formë të balancuar qëndrueshmërie, pandikueshëm nga sondazhet e fabrikuara agjenturore.
Përndryshe, matjet e fundit, të porositura enkas, për fryrje artificiale me përmasa sa më “pozitive” për partitë e inkriminuara opozitare, duket sikur janë fabrikim special, ala-UDB, i SHIK-u, që opozita e inkriminuar përpiqet ti shes si “ngritje” për vete, por një gjë dihet qartë se në Kosovë nuk mund të ndryshojë disponimi i votuesit, brenda nate dhe as sipas dëshirë së partisë që inskenon sondazhe të porositura agjenturore, për interesa politike”, nënvizoi analisti.
Krahas kësaj, Qarri sondazhin e përfolur së fundi, e cilësoi si një propagandë të re dhe shpifëse.
“Kështu që edhe sondazhi më i ri skandaloz mund të jetë një lloj propagande e formës së re SHIK-iste, pa zgjedhur mjete as mundësi, duke shpifur përqindje me gënjeshtra të paskrupullta, si metodë agjenturore për ta lajthitur votuesin me mashtrime ordinere dhe ardhur në ndihmë, partive të inkriminuara opozitare nga frika se sërish, ato do të jenë humbëset e mëdha edhe të zgjedhjeve të reja, që do të mbahen vetëm pas rreth dy-tre muajsh, pra më 9 shkurt të vitit 2025”.
Në vazhdim, analisti tha se këto sondazhe të porositura janë pjesë e fushtës kundër qeverisë Kurti.
Për këtë, përmendi edhe sulmet e Vuçiqit, ku sipas tij, këto i bën ngjashëm me sulmet e partive opozitare.
“Se Serbia ka në dispozicion shumë kuadro të shantazhuara të partive të inkriminuara opozitare në Kosovë, jo fort moti tërhiqte vërejtjen publikisht edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, të cilët pasi dështuan ta rrëzonin parakohshëm Qeverinë nga pushteti, tani kanë filluar të porositin edhe sondazhe të fabrikuara, që është vetëm vazhdim i po asaj fushate utopike agjenturore dhe nuk paraqet fotografinë e vërtetë të vullnetit të votuesve në Kosovë.
Për aq më keq, i trimëruar nga përballja e Kosovës me sulmet e koordinuara të opozitës brenda vendit dhe veprimet konspirative antishtetërore të grupeve të kriminalizuara, të cilat kanë bërë, që jo çdo gjë, të arrijë të jetësohet dhe ecë si duhet përpara, insinuatat e tilla të krijuara artificialisht nga opozita destruktive politike, i ka shfrytëzuar edhe Vuçiqi i cili përveçse përsërit e përditëson pareshtur kërcënimet e hapura për luftë, kundër Kosovës, krahas pasivizimit të mijëra adresave, ai zhvillon edhe një fushatë të egër frikësimi kundër bashkëkombësve tanë në Kosovën Lindore, që përfundimisht ti dëboj edhe ata pak shqiptarë të mbetur, në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë me rrethinat e tyre”.
Tutje, ai nuk u shpreh i shqetësuar nga sondazhet e fundit, pasi vlerëson se nuk mund të ndryshojë asgjë “me sondazhe të paguara”.
“Me një fjalë, është një inskenim konspirativ "bardh e zi", që me gjithë skenarët e ulët agjenturesk dhe përpjekjet e paturp për ndryshimin artificial të disponimit të elektoratit me luftën speciale të SHIK-ut ilegal, për të krijuar mjegull e hedhur hi- syve, votuesit dardan, nuk do të kalojë, dhe opozita e tashme, pritet të jetë edhe opozitë e ardhshme!
Qytetarët e Kosovës, e dinë mirë se disponimi politik, në Kosovë, nuk mund të ndryshojë me sondazhe të paguara, ndaj dhe shqiptarët nuk kanë arsye të shqetësohen, nga propaganda e ulët e SHIK-ut, e sponsorizuar me parat e vjedhura të popullit, të Kosovës, nga partitë opozitare sa ishin në pushtet, njerëz që përfliten çdo ditë për dhjetëra e qindra miliona të vjedhura dhe pasuri marramendëse të grumbulluara kundërligjshëm”, theksoi Qarri.
Në fund, analisti shtoi se qytetarët nuk do votojnë parti të ‘kriminalizuara’, që ndërhyjnë në vazhdimësi në sistemin e drejtësisë.
“Qytetarët e vetëdijshëm të Kosovës, nuk mund t`ua falin besimin, atyre që kriminalizuan deri në palcë edhe drejtësinë, duke instaluar gjykatës e prokuror të inkriminuar, të cilët kanë lënë të lirë kriminelët me hiq më pak se nga 26 vepra penale, si Dardan Krivaqa, derisa të vrasin viktima të pafajshme si Marigona Osmani nga Ferizaj, të cilën, i njëjti, pasi e dhunoi për vdekje, e dërgoi dhe e la para derës së spitalit, sikur mos të kishte ndodhur asgjë.
Fatkeqësisht Marigona nuk është e vetmja viktimë e drejtësisë së kriminalizuar, por shkaku i neglizhencës së këtyre gjyqtarve e prokurorëve politik, u shuan edhe shumë femra e gra të tjera të pafajshme, të cilat u bënë viktima në moshën e tyre më të mirë, dhe u vranë pikërisht për shkak të mosveprimit të gjyqtarëve e prokurorëve partiak, politik e kriminal të vendosur nga opozita në ato detyra me përgjegjësi”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.