Kryeministri Albin Kurti po e përmbyll mandatin katër vjeçar pa asnjë njohje të re. Njohja e fundit që mori Kosova ishte ajo nga Izraeli, njohje që erdhi gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit.
E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, mungesa e njohjeve të reja është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Kurti.
"Një nga dështimet e mëdha të qeverisë Kurti është mungesa e njohjeve për Kosovën dhe dështimi i anëtarësimit të vendit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare siç ishte rasti me anëtarësim në KiE. Dhe ky dështim ka ardhur si rezultat i raporteve të përkeqësuar dhe jo bashkëpunuese të qeverisë së Kosovës me aleatët tanë strategjik të cilët në të kaluarën kanë luajtur një rol të madh në sigurimin e njohjeve të shtetit të Kosovës", thotë Haziri.
Fajtor tjetër për mungesën e njohjeve, sipas Hazirit është edhe diplomacia e dobët.
"Si faktor tjetër që ka ndikuar negativisht në njohjet e reja dhe avancimin në forcimin subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është diplomacia e dobët, më e dobëta në historinë e vendit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, me një kryediplomate pa vizion dhe pa asnjë strategji diplomatike dhe me përfaqësues e ambasador të sojit te Ganiut me papuqe (Gani Jakupi)", deklaron Haziri, i cili shton se edhe dialogu me Serbinë e ka penalizuar Kosovën në sjelljen e njohjeve të reja.
"Natyrisht që rol negativ për njohje të reja për shtetin e Kosovës ka luajtur poashtu edhe dialogu me Serbinë me ndërmjetësim nga BE, një proces që nuk ka prodhuar ndonjë rezultat të prekshëm në atë që quhet normalizim i marrëdhënieve në mes dy shteteve, dhe kjo ka bërë që disa shtete, sidomos nga 5-shja mosnjohjese e shteteve të BE-së të hezitojë që të ndërmarrin hapin për njohjen e shtetit të Kosovës", përfundon për "Bota sot", analisti Nexhat Haziri.