Krijimi i Asociacionit po kërkohet me ngul nga faktori ndërkombëtarë.
Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.
“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, ka thënë Kurti.
Analisti Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se asociacioni nuk duhet të bëhet dhe se kjo Serbi është e sëmurë andaj kushdo që do të zgjedhet kryeministër i radhës, i Kosovës, e ka të pamundur me gjet zgjedhjen me këtë Serbi.
Më tej, thekson se kushdo që e themelon Asociacionin me kompetenca të gjera do të futet në histori si Rrahman Morina.
“Nuk e besoj se do të formohet Asociacioni as pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se kush do të formojë Qeverinë e radhës dhe kush do të bëhet Kryeministër i radhës.
E them këtë jo për shkak të tekeve të mia (për faktin se unë jam me tërë qenien time kundër) por për faktin se "kjo Serbi" ende është "ajo Serbia hegjemone e shekullit 19 dhe 20". Dhe derisa të jetë e tillë, e sëmurë, i tërë Ballkani do të vazhdojë të kollitet!
Andaj e them se kushdo që do të zgjedhet kryeministër i radhës, i Kosovës, e ka të pamundur me gjet "modus operandi" me "këtë Serbi" ngase ajo do të insistojë në kompetenca sa më të mëdha për Asociacionin gjersa Qeveria e Kosovës në kompetenca sa më të pakta, mundësisht duke e respektuar në plotni Kushtetutën tonë.
Përndryshe, ai/ajo që do të pranojë (edhe pse e ka të pamundur sepse qytetarët do ta kundërshtojnë) Asociacionin me kompetenca të gjera do të futet në histori si Rrahman Morina!
Shih për këtë, këto qasjet e dy palëve, që janë diametralisht të kundërta, ku pra Serbia tenton gjithsesi ta zhbëjë Republikën e Kosovës kurse ne ta zhvillojmë sa më shumë, e bënë të pamundur gjetjen e kompromisit.
Thënë ndryshe, strategjinë e Serbisë "autonomi brenda autonomisë" që nënkupton "autonomi për Kosovën e brenda asaj autonomie një autonomi ndaras për komunitetin serb" - që është pra formulë hegjemone raciste e pastër - unë e shoh si pengesën thelbësore për stabilizim të Ballkanit Perëndimor, pra pa i llogaritur kusuret që i ka Serbia në Bosnje apo Mal të Zi”, shpjegon ai.
Tutje, ai thotë se mes KOsovës dhe Serbisë nuk ka pasur ndonjëherë normalizim që po kërkohet tani të bëhet Asociacionin gjoja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Për më tepër thënia "Asociacioni për normalizim" për mua është idiotizmi më i madh politik që na bie jo rrallë ta dëgjojmë, qoftë në formë të prerë qoftë me aludime. Si nga disa politikanë hajvanë, por edhe nga disa analistë e gazetarë bashibuzuka.
Termi "normalizim" është futile, është i pakuptimtë!?
Unë pyes se: çka është normalizimi në apsektin politik dhe kush mundet ta definojë?!
Për mos ta shtruar pyetjen: se kur ne historikisht patëm marrëdhënie normale me Serbinë"?!
Dhe, për më tepër, kur Kosova i ç'normalizoi ato marrëdhënie?! Me 1877-78; me 1912-1914; me 1918-1941; me 1944-1974; me 1974-1989 apo 1989-1999!?
I thashë këto duke i patur parasysh edhe presionet politike që mund t'i kemi nga miqët tanë ndërkombëtarë, qoftë BE-ja qoftë ShBA-ja së bashku me miqët tjerë.
Dhe natyrisht, e kam parasysh se kemi marrë marrë obligim politik ndërkombëtar me 2013 gjegjësisht me 2015, për krijimin e Asociacionit, dhe e kam parasysh edhe gjeopolitikën, pra presionët që mund të na i bëjnë miqët tanë për të evituar ndonjë trazirë të orkesturar nga Beogradi (lexo: Moska) nën preteksin e "obligimeve ndërkombëtare", por unë nuk besoj që miqët tanë do të bëjnë diçka që në esencë do ta zhbënte Republikën tonë siç do të ishte bie fjala Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
Andaj, varësisht nga gjeopolitika herë pas here mbase do të kemi edhe mospajtime, mbase edhe agravime por ato do të jenë në kufirin e mospajtimeve në mes miqëve.
Alternativa është dehegjemonizmi i Serbisë. Nëse ajo ndodhë atëherë natyrisht se politika në Ballkanin Perendimor do të ndryshojë.
Por, problem ështe se akoma fillimi i dehegjemonizmit të Serbisë nuk po shihet në horizont”, përfundon ai.