Me datën 5 nëntor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale.
Këto zgjedhje kanë marrë një vëmendje të jashtëzakonshme, në mbarë botë.
Duke qenë se SHBA është një superfuqi botërore, natyrshëm politikat e saj ndikojnë në mbarë botën, përfshi edhe Kosovën.
Dihet se, Kosova që nga shpallje e pavarësisë, por edhe më herët, në vazhdimës ka qenë në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht se kush ka qenë në krye të udhëheqjes.
E për këto zgjedhje dhe ndikimin e tyre, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.
Ai pret që rezultatet e këtyre zgjedhjeve do jenë shumë të rëndësishme, ku me udhëheqjen e re do preken disa tema të rëndësishme për Kosovën.
Gjithashtu, Voca i vlerësoi të dy kandidatët, duke thënë se kanë dhënë kontribute pozitive për Kosovën, ku kërkoi nga qeveria e vendit tonë të punojë ngushtë me administratën e re amerikane.
“Zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen, dhe rezultati i tyre do të ketë një ndikim të rëndësishëm në Kosovë, një rajon me rëndësi strategjike për politikën e jashtme amerikane. Dialogu Kosovë-Serbi dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e Kosovës janë çështje kryesore që do të ndihmojnë në përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme.
Pavarësisht se kush do të jetë fituesi, të dy kandidatët kanë potencialin për të kontribuar pozitivisht për Kosovën. Ajo që do të ketë rëndësi pas zgjedhjeve është që Qeveria e Kosovës të adaptohet në mënyrë të përshtatshme ndaj administratës së re amerikane dhe të punojë ngushtë me të për të përballuar sfidat që e bëjnë Kosovën të prekshme ndaj paqëndrueshmërisë”, nënvizoi doktori i gjeopolitikës.
Më tej, tha se pas këtyre zgjedhjeve duhet të fokusohet në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.
“Bashkëpunimi i ngushtë me Departamentin e Shtetit të SHBA-së do të jetë çelësi për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese për Kosovën, duke e bërë atë më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme.
Çdo qasje që do të miratohet pas zgjedhjeve duhet të fokusohet në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe promovimin e një dialogu konstruktiv me Serbinë, duke shmangur çdo ide që mund të rrezikojë burimet jetike të vendit”.
Ndër të tjera, kërkoi nga qeveria jonë të adaptohet ndaj prioriteteteve të reja për të adresuar sfidat e ardhshme.
“Një administratë amerikane që mbështet investime dhe zhvillim ekonomik do të jetë thelbësore për forcimin e stabilitetit të Kosovës. Në këtë kontekst, rëndësia e një qeverie të angazhuar dhe fleksibile në Kosovë nuk mund të nënvlerësohet. Kosova duhet të punojë ngushtë me administratën e re amerikane dhe të adaptohet ndaj prioriteteteve të reja për të adresuar sfidat e ardhshme”, përmbylli Mirsad Voca për “Bota sot”.