Serbia bëri edhe një shkelje të marrëveshjes. Të hënën e kaluar, ajo e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.
Pas këtij vendimi të Serbisë ka reaguar Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, si dhe Gjermania.
Serbia duket se po shfrytëzon përqëndrimin e Kosovës tek zgjedhjet e ardhshme, andaj po vazhdon me kërcënimet e saj.
Por si duhet të reagojnë ndërkombëtarët karshi këtij vendimi serb? Si duhet të dënohet Serbia në këtë rast?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur publicisti dhe analisti politik, Gani Qarri. Ai në këtë rast ka akuzuar opozitën në Kosovë se për të dobësuar sa më shumë Qeverinë e Kosovës, me disa veprime të saj, mndësoi që Serbia t’i realizonte sa më lehtë orekeset e saj hegjemoniste.
Qarri: Serbia hegjemoniste 25 vite pas çlirimit nga okupimi serb, guxon ta shpallë Kosovës si "zonë të mbrojtjes së veçantë sociale"
“Mjerisht opozita e inkriminuar për dobësimin sa më të fuqishëm dhe detyrimin e Qeverisë së Kosovës, për dorëzim para Serbisë okupatore, me veprimet e veta perfide renegate e antishtetërore, përveç lirimit në momente dhe kohët më të vështira nga aktakuza penale e kryekriminelit Millan Radoiçiq me urdhra politike, lejimin e qarkullimit të dinarit serb dhe operimit të Bankave të Serbisë në Kosovë, me Bedri Hamzën shef të Bankës Qendrore të Kosovës, ato edhe pas ndryshimeve politike dhe ardhjes së Qeverisë aktuale në pushtet, nuk lanë gjë pa bërë, me qëllim që Serbia ti realizonte sa më lehtë dhe në mënyrë sa më të gjerë orekset e saj hegjemoniste, me dëme të pariparueshme për Kosovën dhe shqiptarët. Opozitë dhe politikanë opozitar, të cilët nuk ngurruan të shkonin deri atje, sa ta krahasonin edhe Policinë e Kosovës me "policinë okupatore të Sllobodan Millosheviqit" ndërsa rivendosjen e rendit e të ligjit në veri, si diskriminim të serbëve, pra thjeshtë propagandë e ulët dhe konspiracione të padëgjuara agjenturore, sipas shembullit të kuzhinave të Aleksandër Vuçiqit, për denigrimin total të shtetit të Kosovës, para faktorëve vendimmarrës ndërkombëtar”, vlerëson Qarri.
Ai thotë po ashtu se, për rrjedhojë, sot fatkeqësisht kemi arritur në situatën e trishtë politike, ku Serbia hegjemoniste 25 vite pas çlirimit nga okupimi serb, guxon ta shpallë Kosovës si "zonë të mbrojtjes së veçantë sociale" dhe miraton projektligj për ndjekjen penale, të atyre që sipas udhëheqjes fashiste të Serbisë, gjoja "persekutojnë minoritarët serb", e që ata sipas aparatit fashist shtetëror serb, janë strukturat shtetërore të "Albin Kurtit".
“Se ky është një akt i rrezikshëm kundër Kosovës, dëshmohet edhe nga deklarimet e shprehura prej SHBA-ve dhe Gjermanisë, pasi që një veprim i tillë i Serbisë përbën shkelje të rëndë edhe të obligimeve të dala nga Dialogu i dakorduar, në Bruksel dhe Ohër, ndërmjet të dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbikëqyrjen e SHBA-ve. Reagim, sipas ambasadorit gjerman në Kosovë z. Rohde, që pas SHBA-ve erdhi edhe nga Gjermania, e cila ka kërkuar nga Serbia "rishqyrtimin" e projektligjit hegjemonist serb, me të cilin shpallë Kosovën, "zonë të mbrojtjes së veçantë" dhe territor ku veprat penale, "i nënshtrohen" juridiksionit të Serbisë... Në fakt, ky akt hegjemonist i Serbisë, nuk është vetëm për tu rishqyrtuar, por duhet anuluar urgjentisht, nëse vërtetë SHBA dhe BE e kanë pranuar vendimin e GjND-së dhe Kosovën e konsiderojnë shtet të pavarur, e jo pjesë të Serbisë fashiste! Përndryshe, shpallja e Kosovës si "zonë e mbrojtjes së veçantë sociale" dhe miratimi i projektligjit për ndjekjen penale, të atyre që sipas udhëheqjes fashiste të Serbisë, gjoja "persekutojnë minoritarët serb" në Kosovë, përveçse është kërcënim i hapur kundër shtetit të pavarur të Kosovës, është një provokim i rëndë publik edhe ndaj SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, të cilat që nga ditët e para të shpalljes së pavarësisë, e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, në kufijtë aktual”, thotë Qarri.
Ai thotë më tutje për ‘Bota sot’ se, pavarësi e miratuar, edhe nga vendimi i GjND-së, po në këta kufij, qysh në korrik të vitit 2010, me kërkesën e po kësaj Serbie hegjemoniste, e cila vet kishte parashtruar zyrtarisht kërkesën për vlerësimin juridik, pranë GJND-së, mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kur GJND si organi më i lartë juridik i OKB-së vulosi pavarësinë e vendit tonë dhe i dha përgjigjen e duhur edhe Serbisë okupatore, se shpallja e pavarësisë nga Kosova, nuk shkelte parimet e OKB-së dhe ishte në pajtim me ligjet ndërkombëtare.
“Andaj habit fakti se si SHBA, ashtu edhe Gjermania, nuk i kërkojnë në mënyrë të prerë Serbisë fashiste, tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi të rrezikshëm arbitrar, por mjaftohen vetëm me kërkesën për rishqyrtimin e të ashtuquajturit projektligj për shpalljen e Kosovës, si "zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e veprave penale". Apo ndoshta krejt kjo, vije edhe si pasojë e bazuar në argumentin e hidhur për qytetarët e Kosovës, se ndihmesën më të madhe Vuçiqit dhe udhëheqjes kriminale serbe, për veprime të tilla të Serbisë hegjemoniste kundër shtetit të Kosovës, po ia ofron vet opozita e inkriminuar në Kosovë, duke zhvilluar politikë të njëjtë agresive dhe në linjë të plotë me atë të Serbisë okupatore. Serbia e trimëruar nga përballja e Kosovës me sulmet e koordinuara të opozitës së inkriminuar dhe veprimet konspirative antishtetërore të grupeve të kriminalizuara politike, nga parti dhe politikan të njohur për shitje e tregti edhe me tokat tona autoktone të cilët kanë bërë, që në Kosovë, jo çdo gjë, të realizohet dhe ecë si duhet përpara, deri te aventurat për ndarjen e vendit dhe pagesat e firmave të huaja, me parat e taksapaguesve tanë të varfër, për propagandimin e ndarjes së Kosovës, shihet qartë se i ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme Aleksandër Vuçiqi”, thotë ai.
Qarri: Partitë e inkriminuara zhvillojnë tash e mbi një dekadë kundër shtetit të Kosovës…
Analisti Qarri potencon po ashtu se, përveç përsëritjes së pareshtur të kërcënimeve për luftë, ai tani ka ndërmarrë edhe vendime kundërkushtetuese juridike kundër shtetit të pavarur të Kosovës, si i ashtuquajturi projektligj për shpalljen e Kosovës "zonë të mbrojtjes së veçantë dhe "vendosjen nën juridiksionin" serb të veprave penale", që Serbia fashiste, pretendon arbitrarisht se ndodhin në Kosovë!
“Mjerisht kjo dëshmon, se ashtu siç shprehej para disa kohësh edhe kryetari i Kroacisë, z. Zoran Milanoviç, Serbia ka në dispozicion shumë kuadro të shantazhuara të partive të inkriminuara opozitare në Kosovë, të cilat të infektuara keq nga inkorporimi i frymës serbo-vuçiqiane, kanë zhvlerësuar edhe vendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me vendosjen e fusnotës dhe kthimin e Kosovës në vend me status të pazgjidhur politik. Ata që bënë këtë veprim, detyruan NATO-n dhe BE-në të mbajnë qëndrim neutral ndaj statusit të vendit tonë dhe qysh atëherë krijuan mundësinë Serbisë hegjemoniste, për mbajtjen e Kosovës në preambulën e kushtetutës së saj, e cila tani shpalli Kosovën edhe si "zonë të mbrojtjes së veçantë dhe "vendosjen nën juridiksionin" serb të veprave penale", me projektligjin e fundit, që ndërmori arbitrarisht Serbia”
“Janë po ato parti të cilat nënshkruan dy herë marrëveshjen për "zajednicën" dhe miratuan formimin e saj me shumicën dërmuese të votave edhe në Kuvend, shumicë absolute me të cilën, që nga shpallja e pavarësisë, nuk kanë arritur kurrë, ta votojnë asnjë vendim, në të mirë të Kosovës! Pushtetarë e persona që shfaqën kërkesa publike, për ndarjen e Kosovës,si ajo e Hashim Thaçit me 25 korrik të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë dhe për mese 13 vite, asnjë qeverisje nuk arritën ta qojnë deri në fund të mandatit, as ta mbajnë pushtetin në Kosovë, pa mbështetjen e Vuçiqit dhe dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "lista serbe", shitën apo ia falën mbi 2500 hektar me pjesët më strategjike tokësore FYROM-it, si dhe për qëndrimin disa mujor të Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit, i falën edhe Kullën, Zhlebin e Çakorrin me mese 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi”, tha Qarri.
“Andaj duke parë gjithë këtë elan të pashterur, për luftëra marramendëse, që partitë e inkriminuara zhvillojnë tash e mbi një dekadë kundër shtetit të Kosovës, Qarri thotë se, Serbia përveçse në dhjetor të vitit të kaluar përmes ish kryeministres Ana Bërnabiq me letër të shkruar zyrtare drejtuar BE-së në Bruksel njoftonte faktorin ndërkombëtar se tërhiqej nga marrëveshja e dakorduar me ndërmjetësimin e BE-së, të hënën ajo shfrytëzoi edhe situatën e parazgjedhjeve në Kosovë, dhe bëri edhe një shkelje tjetër të marrëveshjes duke shpall Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratuar një të ashtuquajtur "projektligj", për ndjekjen penale të atyre që, sipas pretendimeve të Serbisë hegjemoniste, “persekutojnë” pjesëtarët e minoritetit serb në Kosovë, akt për të cilin, përveç Serbisë, reagimit të vakët të ndërkombëtarëve, duket se po i gëzohet fort edhe opozita e inkriminuar, me shpresën se edhe me fatalitete të tilla kundër Kosovës, do të rikthehet në pushtet, për të vazhduar me avazin e vjetër inkriminues, siç ka dëshmuar, se di të bëjë", përfundoi analisti Qarri.
Maloku: Veprimet e Serbisë ndaj Kosovës janë e do të jenë gjithmonë aty, derisa ta kemi njohjen reciproke
Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe politologu dhe analisti politik, Albinot Maloku.
Ai thotë se, aktet e Serbisë ndaj Kosovës janë vazhdimësi e politikës së Beogradit zyrtar të cilat nuk kanë ndryshuar e nuk duket që do të ndryshojnë.
“Lufta e saj ndaj Kosovës përmes agresionit të armatosur siç ishte ai i Banjskës, po përcillet me miratimin e një projektligji i cili gjoja parasheh ndjekjen penale ndaj atyre që, sipas Beogradit zyrtar persekutojnë popullatën serbe ne Kosovë. Të gjitha këto ndodhin për shkakun kryesor që faktori ndërkombëtar kurrë nuk insistojë në denacifikimin e mendësisë politike serbe”, vlerëson Maloku.
Analisti thotë se, Serbia po e shfrytëzon fort këtë, ndërsa nuk gjen shpjegim se këtë po e shfrytëzon nga fakti i një procesi zgjedhorë i cili pritet të mbahet në Kosovë.
“Funksionimi i shtetit të Kosovës dhe i institucioneve të saj, pavarësisht proceseve zgjedhore është vigjilent, ose thënë më mirë do të duhej të ishte. Veprimet e Serbisë ndaj Kosovës janë e do të jenë gjithmonë aty derisa ta kemi njohjen reciproke dhe vendosjen e raporteve normale. Kjo nuk është duke ndodhur ende. Faktori nderkombëtar tek i cili është përgjegjësia e ndarjes së drejtësisë mes palëve, ka kohë që ka harruar çfarë është vendosja e drejtësisë”, thotë Albinot Maloku për ‘Bota sot’.