Alarmi i Kurtit për rrezikun nga Serbia: Mesazh ‘indirekt’ për ndërkombëtarët mbi ambiciet e ‘sëmura’ të Beogradit

Politika

Alarmi i Kurtit për rrezikun nga Serbia: Mesazh ‘indirekt’ për ndërkombëtarët mbi ambiciet e ‘sëmura’ të Beogradit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 nëntor 2024 Në ora: 18:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Çështja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një temë shumë e ndjeshme.

Provokimet, deklaratat dhe veprimet e shumta nga serbët kanë sjellë thirrjet për një kujdes të shtuar për sigurinë në vend.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia do të jetë gjithmonë një rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”.

Përveç Kosovës, Kurti ka përmendur edhe Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën si vende që ngacmohen nga Serbia.

“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka thënë Kurti.

Këto deklarime, sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti i bëri gjatë qëndrimi dyditor në Zvicër ku mori pjesë si folës kryesor në diskutimin e organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme.

Gjatë diskutimit, kryeministri i Kosovës u shpreh se nuk ka shpresë që Serbia mund të reformohet me elitën autoritare që po udhëheq vendin.

Mirëpo duke u nisur nga kjo deklaratë nga kryeministrit, a mund të përballemi me ndonjë provokim të radhës nga Serbia?

Softa: Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht, por aspektin kulturor dhe shoqëror

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Ai u shpreh se Kurti përveç rrezikut përmendi edhe ndikimin e zgjerimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Image
Fation Softa

“Kryeministri Kurti gjatë një qëndrimi dy ditor, i ftuar nga Shoqëria Zviceriane për Politikë të Jashtme, mbajti një fjalim në atë podium duke deklaruar se Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektin e “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”

Ai përmendi ndikimin e zgjerimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore që të mbeten të ankoruar në vlerat e Bashkimit Evropian

"Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht, por aspektin kulturor dhe shoqëror”, u shpreh ai.

Ndër tjera eksperti shton që Serbia po vazhdon me propaganda dhe veprime në kufi të Kosovës.

Sipas tij, Kurti paralajmëron indirekt faktorin ndërkombëtar për rrezikun serb në një botë që po armatoset me shpejtësi.

“Elita Qeverisëse Autoritare e Serbisë vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Basnjkë të Zveçanit.

Kurti paralajmëron indirekt faktorin ndërkombëtar për rrezikun serb në një botë që po armatoset me shpejtësi, kur frontet e luftës të asaj që po përjetohet por dhe të asaj që po provokohet si në Gadishullin Korean por dhe në Taivan, dhe mundësia e një lufte të gjerë Izrael Iran dhe më gjerë, si dhe investimet që Kina dhe Rusia nuk dëshirojnë një zgjerim të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, ku lufta për influenca gjeopolitika, ka rritur investimet e tyre. Këto ngarkesa dhe shpërqendrime kanë frymëzuar endërren Serbe për influenca dhe territore si ish Jugosllavia”, foli Softa për “Bota sot”.

Ahmeti: Serbia në vazhdimësi bën provokime në forma të ndryshme

Ndërsa analisti politikë Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Serbia në vazhdimësi bënë provokime në forma të ndryshme.

Ai thekson që serbët po vazhdojnë me këtë logjikë të njëjtë pasi ndërkombëtarët nuk po e dënojnë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Serbia në vazhdimësi bën provokime në forma të ndryshme. Nëse kthehemi në retrospektivën historike, Serbia funksionon me logjikën e njëjtë, por mënyrën e “luftës” e bën në një mënyrë më të sofistikuar. Serbia është shumë e vetëdijshme për veprimet e saj, por duke parë konstulacionin ndërkombëtar gjen mundësinë për të vazhduar me provokime”, foli ai.

Analisti në fund vjen me një porosi për ndërkombëtarët sa i përket të pavërtetave që figurojnë në tekstet shkollore, duke nënvizuar që këto ambicie të sëmura të serbëve nuk do të ndryshojnë për një kohë të gjatë.

“Ambiciet e sëmura të udhëheqësve serbë nuk do të ndryshojnë për një kohë të gjatë, pasi shteti serbë investon në vetëdijen kolektive shoqërore se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se Serbia e madhe është përtej kufijve administrativ. Kishë qenë mirë që faktori ndërkombëtar të kushtëzoj Serbinë që së paku tekstet shkollore të mos hartohen me të pavërteta të mëdha, por njëkohësisht të largohet gjuha e urrejtjes në tekste shkollore”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat