Mazhoranca i kundërpërgjigjet opozitës: I kemi numrat për votimin e buxhetit më të madh që ka pasur Republika

Politika

Mazhoranca i kundërpërgjigjet opozitës: I kemi numrat për votimin e buxhetit më të madh që ka pasur Republika

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 nëntor 2024 Në ora: 10:13
Kuvendi i Kosovës

Çështja e votimit të buxhetit për vitin 2025 si duket ka mbetur "pezull", ose të paktën opozita shpreson ashtu.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë buxhetin e shtetit për vitin 2025.

Abren Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se nuk do ta votojnë buxhetin.

“Ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtët tona dhe nëse ato merren në konsideratë, atëherë do ta shohim si mundësi. I ka dy probleme ligjore dhe kushtetuese, që Qeveria e Kosovës i ka propozuar gabimisht”.

Edhe, Besnik Tahiri nga AAK, ka deklaruar se grupi i tij nuk do ta votojë buxhetin.

“Ne nuk e votojmë, nuk e mbështesim, dhe zotohemi që do ta rishikojmë në qeverinë e ardhshme dhe pozicioni i AAK-së në qeverinë e ardhshme lidhet në dy tema në atë të pagave dhe projekteve kapitale”.

Derisa nga PDK nuk dihet se cili do të jetë veprimi i tyre.

Por, pavarësisht kësaj, Lëvizja Vetëvendosje deklaron se i ka numrat dhe mund ta kalojë votimin e buxhetit pa opozitën.

Kështu të paktën ka thënë shefja e këtij grupi parlamentar Mimoza Kusari Lila, se partia e saj ka mjaftueshëm mbështetje për të miratuar ligje dhe vendime, përfshirë buxhetin e propozuar nga Qeveria Kurti, pa pasur nevojë për mbështetjen e opozitës.

Edhe deputetët tjerë të Vetëvendosjes për “Bota sot” shprehen optimistë për votimin e buxhetit për vitin 2025.

Lahu: Ne i kemi numrat e nevojshëm për kalimin e buxhetit

Deputeti nga radhët e VV-së, Vendenis Lahu, thotë se buxheti me ose pa opozitën do të ecë përpara dhe se ky është buxheti 50% më i madh se ai i vitit 2021.

Image
Vendenis Lahu

“Ne i kemi numrat e nevojshëm për kalimin e buxhetit. Është ky buxheti i cili krahasuar me vitin 2021 kur kemi ardhur në qeverisje tashmë është për 50% më i madh dhe mendoj se miratimi i tij është hap i mirë përpara.

Është e drejtë e opozitës të deklarohen siç janë deklaruar dhe ta votojnë ose jo, por projektligji i buxhetit ecën para”, deklaron ai.

Batusha: Mazhoranca do t’i ketë numrat që të votojë buxhetin më të madh që ka pasur Republika

Image
Agon Batusha

Edhe deputeti tjetër nga VV, Agon Batusha, thotë se nga opozita nuk presin mbështetje, që sipas tij, ata janë barrikaduar për të mos votuar as marrëveshjet ndërkombëtare.

“Opozita asnjëherë gjatë këtij mandati nuk e ka votuar buxhetin dhe nuk presim që ata do ta votojnë. Përderisa janë barrikaduar e nuk votojnë as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as ligjet që janë në procedurë, aq më pak pritet të votojnë buxhetin.

Mazhoranca do t’i ketë numrat që të votojë buxhetin më të madh që ka pasur Republika”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat