Qeveria Kurti po shkon drejt fundit të mandatit katërvjeçar. Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.
Por, ajo që ka marrë hov të madh janë deklaratat, sidomos të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, kundrejt kryeministrit, Albin Kurti.
Qeveria Kurti gjithmonë është zotuar se do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Madje, ky ka qenë një nga premtimet e programit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës së vitit 2021.
Por, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka thënë për Kurtin se është "shefi i korrupsionit":.
Haradinaj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë më shumë korrupsion sesa në qeverisjen e Kurtit, për shkak të “lidhjeve të shkurtra e dostave”.
“… Ky është shefi i korrupsionit, vetë Kurti i të këqijave që ndodhin”, tha mes tjerash Haradinaj.
Ahmeti: Fushata politike nënkupton luftë konceptuale në mes programeve e jo "luftë" përmes retorikës boshe e të pamenduar mirë
Analisti Hidajet Ahmeti, thotë se për këto deklarime dhe këtë fushatë, qytetarët janë gjykuesit më të mirë dhe në vendin e duhur.
Ai shton, se deklarimet e Haradinajt, janë duke e dëmtuar vet AAK-në dhe njëkohësisht duke fuqizuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Tash jo-zyrtarisht ka filluar fushata politike, rrjedhimisht dita ditës edhe gjuha politike ashpërsohet. Një gjë të tillë jemi mësuar ta dëgjojmë, por kish qenë rrugës që dyshimet për korrupsion të deponohen në vendin e duhur jo gjuha e tillë të shfrytëzohet për qëllime politike. Votuesit potencial janë gjykuesit më të mirë, pasi kanë një pasqyrë të qartë për konceptin qeverisës të Vetëvendosjes, por edhe konceptin qeverisës të partive opozitare.
Deklaratat e pamenduara të kreut të AAK-së janë duke e dëmtuar jashtëzakonisht shumë dhe njëkohësisht janë duke e fuqizuar partinë në pushtet. Kish qenë e rrugës që zoti Haradinaj të prezantoj programin politik qeverisës e jo të merret me çështje që i takojnë institucioneve tjera. Fushata politike nënkupton luftë konceptuale në mes programeve e jo "luftë" përmes retorikës boshe e të pamenduar mirë”, shprehet ai.
Mehmeti: Qeveria Kurti del të jetë më e pa korruptuara, këtë e thonë raportet e pavarura ndërkombëtare
Edhe analisti Faton Mehmeti, thekson se këto deklarime janë inati dhe frustërim i të qenit larg nga pushteti.
Sipas tij, Haradinaj dhe AAK do të bjerë edhe më poshtë se që ka qenë në zgjedhjet e fundit.
“Deklaratat e Ramushit nuk bën të merren seriozisht, janë deklarata të inatit nga frustrimi i të qenurit larg pushtetit. Me të tilla deklarata vetëm sa i shton vota z.Kurti me qytetarët që nuk shohin opozitë të shëndosh për ta mbështetur. Derisa raportet ndërkombëtare thonë të kundërtën, është non sens që z. Haradinaj të jetë burim i besuar. Është për të ardhur keq në çfarë niveli të ulët ka rënë z.Haradinaj dhe komplet AAK, të cilët vetëm sa do bien edhe më shumë në zgjedhjet nacionale. Opozita ka mbetur pa luks dhe tenderë prandaj është "qartur", ajo çdo ditë e më shumë po shkërmoqet drejt humnerës.
Qeveria Kurti del të jetë më e pa korruptuara, këtë e thonë raportet e pavarura ndërkombëtare”, përfundon ai për “Bota sot”.