Njohja e fundit që mori Kosova ishte ajo nga Izraeli, njohje që erdhi gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit. E këtë mandat katër vjeçar, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e udhëhequr nga ai, po e përmbyllin pa asnjë njohje të re dhe anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
E për mungesën e njohjeve të reja, analistët politikë fajin e hedhin më shumë tek qasja e ndërkombëtarëve, se sa tek qeveria.
Madje sipas tyre, përballë presionit të vazhdueshëm dhe vendosjen e sanksioneve nga bashkësia ndërkombëtare, qeveria Kurti e kishte të pamundur sjelljen e njohjeve të reja.
Statusqoja e njohjeve
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, thotë për “Bota sot” se bashkësia ndërkombëtare po vazhdon ta mbajë të ngrirë çështjen e njohjeve të reja për Kosovën.
“Në fakt sa u takon njohjeve të reja, duket se përveç mos heqjes nga BE, të masave të njëanshme dhe të padrejta ndëshkuese, akoma qëndron në fuqi, qoftë edhe në formë të heshtur, edhe konsensusi i njohur amerikano-perëndimor, për status-kuon e njohjeve dhe të ç`njohjeve, si dhe mos-ndërmarrjes së asnjë vendimi dhe mos daljes me qëndrim të qartë e të vendosur, as lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit edhe pas kalimit të më tepër se një viti, nga agresioni i armatosur terrorist serb në Kosovë, kështu që BE dhe faktori ndërkombëtar, vazhdon ta mbajë të ngrirë edhe çështjen e njohjeve të Kosovës, andaj me gjithë fushatën propaganduese të opozitarëve të inkriminuar, nën këto kushte Kosova e ka të pamundur të bëjë gjë në këtë drejtim”, thotë Qarri.
Sipas tij, fajtor për stagnimin e Kosovës është edhe qeveria Thaçi, e cila pranoi që Kosova të përfaqësohej me fusnotë.
“Në fakt, nga momenti që Thaçi & Co i vendosën "fusnotën" e famshme shtetit të Kosovës, e kthyen Kosovën në vend me status të pazgjidhur politik, çdo njohje, veçanërisht nga vendet fqinje, Kosova është dashur ta paguaj me territore apo koncesione tjera të dhimbshme, të cilat tani si vend i vogël dhe në shtet ndërtim, e ka të pamundur ti plotësoj, nëse ato vazhdojnë ti kërkohen nga faktori ndërkombëtar, siç po këmbëngulet në formimin e asociacionit një etnik serb, derisa ishte po ky faktor ndërkombëtar që Kosovën e konstatoi si shtet multietnik dhe për shqiptarët të cilëve po u pasivizohen edhe adresat nga shtëpitë dhe pronat private në trojet e tyre autoktone të ngelura nën Serbi, nuk bëzanë fare!”, shprehet Qarri.
“Në anën tjetër Kosova përveç përballjes me fushatën e egër serbe, ajo është në hall edhe më të madh me luftën e hapur të opozitës së inkriminuar, e cila njëjtë si Serbia, vetëm pse Kosova përfundimisht vendosi rendin e ligjin dhe shtriu sovranitetin e plot në veri të Kosovës, duke shuar organizatat terroriste serbe dhe dëbuar kriminelët serb në Serbi, ndaloi referendumet dhe zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, si dhe mbylli strukturat paralele serbe, ndaloi qarkullimin e dinarit serb dhe operimin e bankave të Serbisë në Kosovë, nuk zgjedh mjete as mundësi, për ta denigruar sa më rëndë shtetin e Kosovës, gjë që po qon ujë direkt në mullirin e Vuçiqit dhe atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës”, shton analisti Gani Qarri.
Qarri kritikon ashpër qasjen e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës, për të cilën thotë se po sulmohet nga të gjitha anët.
“Edhe njëherë, sa u takon njohjeve të reja, duket se edhe sot vazhdon në heshtje, koncensusi amerikano ndërkombëtar, i status-kuos, për njohjet, por edhe për ç`njohjet, që ndërmerrte Serbia hegjemoniste kundër shtetit të pavarur të Kosovës, ndaj dhe nuk flitet më për njohje as çnjohje, siç bëhej fushatë mediatike, para disa kohëve. Si zëvendëskryeministri Bislimi, Ministria e Jashtme por edhe Qeveria e Kosovës, duket se ka kërkuar, jo vetëm njëherë heqjen e bllokadës ndërkombëtare për njohjet, gjë që duke pasur parasysh se kufizohemi në të gjitha anët me popuj sllav e ortodoks sllavishtfolës dhe sllavogrek, përfshi emisarin proserb Mirosllav Lajçak, zëdhënësin Stano, të dy sllovak si dhe Josep Borellin, të cilët nuk e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, pa harruar Edvin Ramën, që i pari në gjithë Evropën, e vendosi Kosovën nën sanksione, duhet të kuptojmë se nuk është më vetëm Serbia që atakon gjithanshëm vendin tonë, ndaj Kosova e vendosur nën sulme të brendshme dhe të jashtme, e ka të pamundur të bëjë gjë në këtë drejtim, fazë të cilën po e shfrytëzon opozita e inkriminuar, për të bërë propagandë, kundër shtetit të cilin, mëton se me akte të tillë mafioze, do ti hip përsëri në qafë dhe bëhet pushtetar i saj”, përfundon analisti Qarri për “Bota sot”.
Fajtor edhe Thaçi
Kurse analisti Faton Mehmeti thotë se njohjet për Kosovën kanë stagnuar edhe për shkak të idesë së ish presidentit, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
“Njohjet janë prolonguar për shkak të idesë së Thaçit për korrigjim kufijsh e rrjedhimisht mungesës së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo i pamundëson Kosovës të bëj fushatë për njohje me vendet skeptike që nuk kanë siguri për bilancin përfundimtar marrëveshjes”, shprehet Mehmeti.
Ai thotë se mungesa e një platforme të qartë për lobim ka ndikuar edhe në sjelljen e njohjeve të reja.
“Në anën tjetër Kosova nuk ka pasur asnjëherë një agjendë të qartë se si të veprojë me shtete skeptike, mungesa e një platforme në kuadër të së cilës edhe lobimet kanë penalizuar vendin tonë në këtë drejtim. Kështu që, ky është edhe dështim i kësaj qeverie edhe pse jo tërësisht për fajin e saj, megjithëse ka mundur që të bëhet diçka më shumë në këtë drejtim për të bërë antifushatë ndaj fushatës së Serbisë për mos njohje”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.