Zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen pas tre muajsh. Partitë politike patën shprehur interesim për zgjedhje të reja qysh kohë më parë, për të bërë ndryshime në qeverisje.
Partitë opozitare kërkonin vazhdimisht dorëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, në mënyrë që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.
Mirëpo, kjo nuk ndodhi, kryeministri Kurti nuk u dorëzua deri në fund të mandatit të tij.
Madje, është ndër të parat qeveri që e qon deri në fund mandatin e saj. Lidhur me këtë ҫështje rreth mandatit qeverisës, ka folur në një intervistë për ‘Bota sot’, deputeti i Vetëvendosjes, Gramos Agusholli.
Ai thotë se, një nga arsyet kryesore që ky mandat ka arritur të zgjasë deri në fund është sepse Qeveria nuk është dorëzuar përballë presioneve, qoftë nga politikat e brendshme apo nga ato te jashtme.
“Kemi qenë dëshmitarë të presionit të vazhdueshëm mbi kryeministrin, sidomos nga ana e BE-së, lidhur me dialogun me Serbinë, megjithatë, Qeveria ka arritur të qëndrojë e vendosur dhe e qetë përballë këtyre sfidave. Pastaj, kur një parti fiton me një përqindje të lartë mbështetjeje, siç ishte rasti i Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021, pakënaqësitë brenda popullit janë më të pakta dhe, rrjedhimisht, presioni i brendshëm bie”, vlerëson ai.
Deputeti Agusholli thotë tutje, se qytetarët e dinë qe kanë zgjedhur një subjekt që i adreson nevojat e tyre dhe ndihen më të përfaqësuar në politikën e vendit.
“Kjo gjendje e ka kriju një stabilitet politik, edhe ja ka mundësuar qeverisë me i zbatu planet e saj pa shumë pengesa. Nga ana tjetër, opozita ka qenë në një heshtje thuajse të plotë përgjatë shumicës së këtij mandati, ndërsa vetëm tani në përfundim ka filluar të bëhet më e zëshme. Gjatë seancave në Kuvend, kritikat e opozitës shpesh kanë qenë të paqarta, duke mos ofruar alternativa konkrete për qeverisjen. Megjithëse besoj se ka pasur çështje mbi të cilat opozita do të mund të kishte ndërtuar një strategji të fuqishme dhe të bëhej zëri i qytetarëve në Kuvend”, thekson ai.