“Ditë të vështira do ta presin Serbinë...”/ Eksperti: Faktori ndërkombëtar do ta detyrojë Serbinë që...

Politika

“Ditë të vështira do ta presin Serbinë...”/ Eksperti: Faktori ndërkombëtar do ta detyrojë Serbinë që...

Nga: N. Sh. Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 17:25
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava është deklaruar në lidhje me kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.

Ai thotë se, Serbia gjithëherë ka punuar dhe krijuar plane për shkatërrimin e shqiptarëve.

Eksperti thotë se, Serbia e provoi një sulm terrorist ndaj Kosovës në Basnjskë, dhe dihet se si e pësojë, duke shtuar se nga ajo kohë, Polica e Kosovës në veri tashmë është duke e shtri sovranitetin e plotë.

“Serbia duhet ta ketë të qartë se Kosova më nuk është ajo e viteve 1990-1999 kur ishte e okupuar deri në dhëmbë, sa që edhe në vitin 1998-99 Kosova e filloj luftën guerile për çlirim. Në ato rrethana të vështira, Kosova e fitoj luftën edhe me ndihmën e shteteve mike që i krijuam gjatë viteve të tmerrshme kur Serbia bënte masakra ndaj popullit tonë”, shprehet ai.

Tërnava shprehet se, pas bombardimeve nga NATO-ja dhe luftës permanente të UÇK-së, Serbia e nënshkroi kapitullimin e saj me vendimin e Kumanovës, dhe nga atëherë jemi të çliruar, kurse në vitin 2008 u shpall edhe pavarësia, që sot Kosova i ka të gjitha institucionet si FSK, Policinë, AKI...

“Tashmë e di edhe Serbia që faktori ndërkombëtar, aleatët e NATO-s me KFOR-in janë garantues të sovranitetit të Kosovës, prandaj ato kohërat e komunizmit të shkatërrimit të Jugosllavisë nga ana e Serbisë kanë kaluar, dhe ato shtete që na kanë ndihmua për çlirim edhe sot i kemi pranë. Edhe sikur të ndodhë një sulm i ngjashëm me atë të 24 shtatorit apo të mëhershmet, nga ana e Serbisë, shtrohet pyetja se a do të vazhdon të ekzistojë edhe më tutje Serbia? Dëshmi e kësaj është gatishmëria e KFOR-it e cila është përforcuar edhe me shumë ushtarë të tjerë dhe teknikë të armatimit, prandaj kërcënimet e Serbisë mund të janë serioze, mbase edhe paralajmëruese por mbrojtja do të jetë e sigurt. Për një kërcënim të mundshëm të Kosovës nga ana e Serbisë, flasin deklarimet e krerëve të shtetit të Kosovës duke treguar për gjendjen e gatishmërisë për mbrojtje nga sulmet dhe provokimet që mund të vijnë nga Serbia”, thotë Tërnava.

Eksperti habitet me këto kërcënime serbe, duke shtuar se, në periudhën e vitit 1999 kur u bombardua Serbia, po këta politikanë radikal serb ishin në udhëheqjen e Serbisë.

“Politikat nacionaliste serbe i njohim ne si popull, që në të kaluarën kemi përjetuar gjenocid e krime të ndryshme nga ata, por tani Kosova është në situatë tjetër, e përgatitur me ushtri dhe armatim të saj, si dhe me miqtë ndërkombëtar të shteteve të NATO-s që po na qëndrojnë pranë”, thekson ai.

Sipas tij, mbetet për t’u parë se sa do të jetë e ekspozuar Kosova nga sulmet dhe provokimet e rrezikshme të Serbisë.

“Serbia me politikat nacionaliste po i përdorë ato propaganda të përditshme, sepse atje vetëm në këtë mënyrë e qeverisin shtetin, duke e ushqye popullin me dezinformata të ndryshme, për t’i arritur qëllimet e tyre. Faktori ndërkombëtar, duke pasur para vetes përvojat e ndërmjetësimit që i patën për një pajtim të mundshëm sikur që arritën deri në marrëveshjen e Ohrit, do ta detyroj Serbinë që patjetër t’i përmbahet premtimit të dhënë, në të kundërtën ditë të vështira do ta presin Serbinë me kriminelët në pushtet”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat