Donald Trump është rikthyer në pushtet, pas fitores në zgjedhjet presidenciale, të mbajtura gjatë kësaj jave.
Rikthimi i Trump në pushtet, ka ngjallur reagime të ndryshme, jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën.
Fitorja e tij në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diskutuar mjaft shumë edhe në Kosovë, ku theksi ka rënë te qasja politike që pritet të ketë Donald Trump karshi zhvillimeve politike e diplomatike në vendin tonë.
Ka pasur shumë spekulime, se për Kosovën është sinjal negative ardhja e Trumpit në pushtet.
Por, pavarësisht se kush e drejton Shtëpinë e Bardhë në Uashington, a duhet shqiptarët duhet të mbeten Pro Amerikanë, pasi dihet roli i madh i SHBA-së për Kosovën, si dhe fakti që sa ishte Trump në pushtet vendi ynë e mori njohjen e madhe nga Izraeli?
Azemi: Prishtina dhe Beogradi nuk do duhej t’i gëzohen rikthimit të Trumpit për arsyen dhe motivet e njëjta
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.
Si fillim, ai u shpreh se fitorja e Trumpit më shumë shkaktoi ‘tërmet’ jashtë SHBA-së, sesa brenda saj.
Në këtë pikë, ai përmendi faktin se Harris e pranoi menjëherë humbjen, kështu duhet respektuar vullnetin politik.
“Pas zgjedhjes së Donald Trumpit, President i SHBA-së, reagimet ishin të natyrave të ndryshme. Fillimisht, ishte opinion publik amerikan që fitoren e Trumpit, pas numërimit në afat rekord të votave, e komentoi varësisht cilës provinience elektorale i takonte. Por në fund të ditës të gjithë e pranuan bilancin zgjedhor, kurse nuk vonoi shumë dhe humbjen e zgjedhjeve e pranoi edhe kundër-kandidatja demokrate Kamala Harris. Kjo është me shumë rëndësi të nënvizohet, sepse fitohet përshtypja sikur fitorja e Trumpit më shumë tërmet ka shkaktuar jashtë Amerikës se sa brenda saj. Ata që kanë votuar për Trumpin, kanë të drejtë t’i gëzohen vendimit të drejtë dhe përcaktimit të tyre para kutive të votimit, sepse në demokraci, vullneti politik kanalizohet përmes votës dhe në rastin e Donald Trumpit u pa se kauzat e tij paskan qenë më të kapshme për elektoratin republikan që doli të jetë për disa miliona vota më shumë”.
Sipas tij, në kontinentet tjera të botës, kishte reagime për fitoren e Trumpit, pasi me këtë qeverisje, pritet të ketë reflektime të mëdha në planin gjeopolitik të shumë vendeve.
Po ashtu, përmendi disa gjëra që e veçojnë Trumpin, nga presidentët e mëhershëm amerikanë.
“Por, reagimet e jashtme, në Evropë, në Azi në Afrikë e gjetiu, ishin krejt të ndryshme nga reagimet e brendshme në vetë Amerikën. Kjo për faktin e thjeshtë se fitorja e zotit Trump ka gjasa të reflektohet në planin gjeopolitik të shumë vendeve, por edhe në planin e krijimit të një konkurrence më të ashpër në fushën financiare dhe të sigurisë si dhe të resurseve energjetike.
Donald Trump është një politikan atipik amerikan dhe ai nuk përfaqëson asnjë prej linjave tradicionale të lidershipit pararendës presidencial. Prandaj edhe fitorja e tij nuk është e ngjashme me fitoret e presidentëve republikanë në të kaluarën, sepse në mandatin e kaluar të Trumpit, siç e dimë, bota pati më pak luftëra, por më shumë përpjekje për të prishur disa korniza të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike, pastaj ashpërsimi i betejave financiare e teknologjike me Kinën etj”, nënvizoi ai.
Më tej, publicisti përmendi dallimet mes Trumpit dhe Bidenit, derisa theksoi se rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, nuk mund të jetë i njëjtë me mandatin e mëparshëm.
“Sido që të jetë, kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, nuk mund të jetë krejt identik me mandatin e mëparshëm, sepse rrethanat globale kanë ndryshuar dhe ndërkohë kemi disa vatra të luftës, ku roli i Trumpit si lider botëror do të duhej shikuar në kontekstin e këtyre zhvillimeve. Ajo çka e bënë atë të ndryshëm nga oponenti demokrat, Joe Biden, është gjuha më e drejtpërdrejt diplomatike dhe vendosmëria për t’iu dhënë një kahje situatave në terren”.
Kurse, sa i përket ndikimit të politikave të Trumpit në Kosovë, potencoi se mund të presim rikthimin e retorikave që shkojnë në favor të zgjidhjeve më të shpejta të raporteve me Serbinë.
“Ka zëra të ndryshëm sa i përket implikimeve të rikthimit të Trumpit në çështjen e Kosovës. Asgjë nuk mund të thuhet me saktësi deri sa të mos formohet administrata e re dhe të shihen prioritet e saj, ndonëse që tani mund ta marrim me mend se Trumpi u rikthye, siç e tha edhe vet ai, për t’i ndryshuar disa gjëra që shkonin keq në Amerikë, sidomos në planin e ekonomik e financiar, por edhe në politikën e jashtme. Kur jemi te politika e jashtme, Kosova sigurisht që nuk do të jetë në ndonjë listë prioritetesh të administratës së Trumpit, por gjithsesi mund të presim rikthimin e retorikeve e diskurseve që shkojnë në favor të zgjidhjeve më të shpejta të raporteve me Serbinë.
Përderisa Rusia ende është një faktor pa të cilin nuk mund të krijohen balanca të qëndrueshme të sigurisë globale, atëherë është e pritshme që administrata e Donald Trumpit çelësin e stabilitetit ta gjej në rishqyrtimin e qëndrimeve kundrejt Rusisë, edhe sa i përket invazionit në Ukrainë, dhe kjo mund të inkurajojë ndonjë frymë eurospekticizmi, si në Evropë, ashtu edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kam frikë se shtetet që udhëhiqen nga autokratë të tipit të Orbanit, Vuçiqit etj. mund të gjejnë favore të shumta nga kjo frymë të cilën mund ta përdorin për politikat e tyre populiste”.
Ndër të tjera, Azemi shtoi se rikthimit të Trumpit shumë kush iu ka gëzuar në mënyra dhe për arsye të ndryshme.
“Për rrjedhojë, nuk do të doja që Kosova pro amerikanizmin ta testojë përmes koncesioneve ndaj Beogradit, siç është tentuar në të kaluarën.
Pro amerikanizmi i Kosovës do të duhej të jetë ky që është tradicional, si shprehje e mirënjohjes ndaj liderëve dhe popullit amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Krejt në fund. Rikthimit të Trumpit shumë kush iu ka gëzuar në mënyra dhe për arsye të ndryshme. Nuk do të doja që këtij rikthimi t’i gëzohen për arsye të njëjta edhe Beogradi edhe opozita në Prishtinë”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.
Gacaferi: Kur flasim për shtetin e Kosovës, unë nuk shoh asgjë negative në rikthimin e Trumpit në Presidencë
Ndërsa, për këtë çështje foli edhe anëtari i Listës Guxo, Luan Gacaferi.
Sipas tij, reagimet që erdhën pas fitores së Trumpit, lidhen me faktin se ky i fundit është i paparashikueshëm.
Ndërsa, për reagimet në Kosovë tha se opozita po shpreson që me Trump, do të kthehen në pushtet me zarfe e jo me vote, për që sipas tij nuk do ndodhë një gjë e tillë.
“Është e vërtetë që ka pasur shumë reagime për zgjedhjen e Trumpit si president i SHBA-së! Por, këto reagime nuk kanë ardhur vetëm nga Kosova, por kanë ardhur nga e gjithë bota dhe shumë prej këtyre reagimeve ishin të natyrës skeptike, që kishin të bënin me shumë me faktin se presidenti Trump është i paparashikueshëm!
Por, ka edhe reagime pozitive dhe shpresëdhënëse kur flitet për ekonominë, për të cilën Trumpin e shohin njeriun e duhur dhe kompetent!
Kurse, reagimet në Kosovë janë më shumë si shpresë për opozitën se me ardhjen e Trumpit iu shtohen shpresat që të kthehen në pushtet me zarfe e jo me votë!
Pastaj janë edhe reagimet e një pjese të analistëve që vetëm analistë nuk janë, se me ardhjen e Trumpit në Presidencë, do e rrëzojnë KM Kurti! Pra janë reagime me moton: ‘Për inat të resë me vdekt djali!’”, shpjegoi ai.
Në vazhdim, Gacaferi vlerësoi se nuk ka asgjë negative për Kosovën, rikthimi i Trumpit.
“Megjithatë, kur flasim për shtetin e Kosovës, unë nuk shoh asgjë negative në rikthimin e Trumpit në Presidencë, sepse për Kosovën asnjëherë s'ka luajtur rol emri i veçantë në Shtëpinë e Bardhë, sepse Kosova është parë si një interes strategjik i Amerikës në Ballkan, dhe jo si interes partiak, qoftë i atyre republikanë apo demokrat! Kosova dhe institucionet e shtetit, duhet të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre për çka janë zgjedhur e jo të fokusohen se kush shkon e kush vjen në Shtëpinë e Bardhë!”
Në fund, anëtari i Guxo shtoi se asnjë president amerikan, përfshi edhe Trumpin, nuk kanë kërkuar asnjëherë diçka që shkon në dëm të Kosovës.
“Amerika ishte dhe mbetet interesi jonë strategjik e jetik dhe me marrëdhëniet speciale për shtetin e Kosovës dhe për kombin shqiptar! Çdo gjë tjetër është vetëm kalkulim partiak për pushtet e jo për shtet! As Trumpi e asnjë president tjetër para Trumpit nuk na ka kërkuar të bëjmë diçka në dëm të shtetit të Kosovës, e as të copëtojmë Kosovën, por janë ish president e ish kryeministra të Kosovës që kanë kërkuar nga Trumpi dhe administrata e tij, copëtimin e Kosovës!
Presidentit Trump i uroj zgjedhjen e tij si president dhe i uroj suksese në punën e tij!” – përmbylli Luan Gacaferi për “Bota sot”.