Richard Grenell njihet si njëri nga personat më të afërt të presidentit në ardhje të SHBA-së, Donald Trumpit. E para pak kohesh, Grenell kishte premtuar se kur Donald Trump të bëhet përsëri president i ShBA-ve, do të punojnë për ta liruar Hashim Thaçin nga Haga, ku po mbahet si i akuzuar nga Gjykata Speciale.
“Presidenti Thaçi tani është ulur në një burg të Hagës sepse Jack Smith e urren Donald Trumpin dhe donte të sigurohej që ai të mos kishte bërë ndonjë përparim në Ballkan. Kur Donald Trump të bëhet sërish President, ne do të punojmë për ta bërë Thaçin të lirë. Ne kemi nevojë për drejtësi dhe jo politikë”, kishte shkruar Grenell në platformën X.
E tash pas fitores së Trump mbështetësit e Hashim Thaçit, si dhe media të ndryshme, kanë filluar spekulimet për lirimin e Thaçin.
Por një gjë të tillë nuk do të ndodhë. Se paku kështu parashikon analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.
“Për kundër këtij entuziazmi të mbështetësve dhe partisë së tij PDK pas fitores së Donald Trumpit dhe deklaratave të Grenellit për lirimin e Hashim Thaçit, kjo gjë nuk mendoj se do të ndodhë. SHBA-të nuk pres që do të ndërhyjnë në këtë proces pasi do të ishte një precedent që një shtet ndërhynë në sistemin e drejtësisë së një vendi tjetër, për arsye se Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi dhe është Gjykatë e Kosovës, pa çka që ajo funksionon jashtë Kosovës për arsye që dihen”, shprehet Haziri për “Bota sot”.
Ai thotë se deklaratat e Grenell ishin vetëm sa për të marrë vëmendjen e opinionit publik.
“Deklarata e ish emisarit amerikan që tani pas fitores dhe kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e bardhë, Grenell do të marrë një post që do të jetë i rëndësishëm në administratën e re amerikane, por nuk besoj se ai do të angazhohet në realizimin e premtimit të tij që do ta lirojë Thaçin dhe këto deklarata të mëparshme më shumë kanë qenë të bërë për të marrë vëmendje në opinion se sa në realitet kanë pas përmbajtje dhe të realizueshme”, thotë Haziri.
“Procesi në Gjykatën Speciale tash po hynë në vitin e pestë dhe ai duhet të vazhdoj të zhvillohet deri në verdiktin që duhet ta jap në fund të procesit, qoftë ky lirues apo dënues, një verdikt që duhet të respektohet nga kush do, pra edhe nga qytetarët e Kosovës”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.