Donald Trump bëri një rikthim historik në zgjedhjet presidenciale të së martës në Shtetet e Bashkuara.
Kandidanti republikan mposhti kandidaten demokrate, Kamala Harris, me që rast siguroi një mandat të ri qeverisës.
Fitorja e Trump, u karakterizua me reagime dhe deklarata nga më të ndryshme.
Marrë parasysh rolin dhe fuqinë e madhe që ka SHBA, në Kosovë u krijuan përshtypje dhe pritshmëri të ndryshme për ardhjen e Trumpit në pushtet.
Në fokus, padyshim ishte edhe fusha e sigurisë dhe atë se si mund të ndikojë Trump me politikat e tij.
Duke parë, provokimet e vazhdueshme të Serbisë, natyrshëm mund të mendohet se çka do bëj ndryshe administrata e Trumpit.
Ekspertët e sigurisë, u shprehën optimist, duke shpresuar se Kosova mund të anëtarësohet në NATO, si dhe mund të ketë mbështetje ndaj FSK-së.
Shala: Në administratën e Presidentit Trump marrëveshja bazë e vazhdimit të dialogut do të jetë ajo e Washtingtonit për të arritur paqen
E në lidhje me këtë ccështje, një një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Së pari, ai u shpreh se njëjtë si me Bidenin, administrata amerikane nuk do lejojë eskalimin e ndonjë konflikti.
Sipas tij, Trump do i shkurjtojë ‘rrugët’ për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Situata e sigurisë nga intervenimi përmes dekretit Presidenencial nga Bideni ka ndikuar që situata në rajonin e Ballkanit të mos eskalojë në një arenë konflikti.
Po ashtu, me ardhjen e Presidentit Trump, mund të themi që siguria do të jete postulat i veprimeve të tij për raportet qofshin në Kosovë dhe Serbi apo BiH me etnitetet e saj, në mandatin e tij duke i shkurtuar edhe rrugët që sjellin veprime konkrete në arritjen e marrveshjeve në mes palëve”.
Krahas kësaj, eksperti potencoi edhe mundësinë që ka Kosova të anëtarësohet në NATO, gjatë administratës së Trumpit.
“Padyshim në administratën e Presidentit Trump marrëveshja bazë e vazhdimit të dialogut do të jetë ajo e Washtingtonit për të arritur paqen e paraparë dhe e cila do të jetë rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO, por edhe në rrugën e saj drejt njohjes së 5 vendeve mosnjohëse të BE”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Gecaj: Një qeverisje e mundshme Trump, mund të sjellë dinamika të reja në rajon
Kurse, eksperti tjetër, Hysen Gecaj pret që të Trump të ketë ndikime të shumta në aspektin e sigurisë.
Ai theksoi faktin se çdo administratë amerikane ka qëllime të njëjta, vetëm mund të ndryshojnë qasjet dhe prioritet.
“Fitorja e Donald Trump mund të ketë ndikime të ndryshme në fushën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Megjithatë, si në çdo administratë amerikane, politika e jashtme ndaj Ballkanit shpesh mbetet konsistente në qëllime, edhe pse mund të ndryshojnë qasjet dhe prioritetet”.
Kësisoj, Gecaj përmendi disa aspkete në cilat do ketë rol dhe ndikim Trump me politikat e tij.
Së pari, përmendi investimet ushtarake në shtetet e Ballkanit.
Në këtë pikë, ai pret presion ndaj vendeve Ballkanit Perëndimor që të përmirësojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.
“Qëndrimi ndaj sigurisë dhe investimeve ushtarake në rajon.
Në të kaluarën, Administrata e parë e Trump-it shpesh kërkonte që vendet e NATO-s të rrisnin investimet e tyre në mbrojtje, duke u përqëndruar në ndarjen e barrës së mbrojtjes mes aleatëve. Nëse një mandat i ri do të ndiqte një qasje të ngjashme, mund të ketë një presion për vendet e Ballkanit Perëndimor që të përmirësojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse për të siguruar sigurinë e rajonit.
SHBA mbetet mbështetëse kryesore e sigurisë në Kosovë, përfshirë praninë e trupave të saj në kuadër të KFOR-it. Por, një fokus më i madh në zvogëlimin e pranisë amerikane në rajone të ndryshme të botës mund të shfaqet si një prioritet në qasjen e administratës Trump ndaj Ballkanit, duke sjellë një riorientim të vëmendjes”, nënvizoi ai.
Gjithashtu, eksperti tha se ka mundësi që Trump të mbështesë një politikë të anëtarësimit të Kosovës në NATO, por gjithmonë në funksion të interesave të SHBA-së.
“Anëtarsimi i Kosovës në NATO.
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO është kompleks dhe ndikohet jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga qëndrimet e disa shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Trump ka treguar një lloj pragmatizmi në diplomaci dhe mund të mbështesë një politikë të anëtarësimit të Kosovës, por gjithmonë në funksion të interesave të SHBA-së në rajon dhe në nivel global.
Megjithatë, procesi kërkon një unitet më të madh brenda NATO-s, gjë që mund të jetë sfiduese pa një mbështetje të fortë edhe nga shtetet evropiane”.
Më tej, Gecaj pret edhe ndryshime në rrjedhën e dialogut, pas ardhjes së Trump në pushtet.
“Qasja ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Administrata e mëparshme e Trump ka qenë mjaft aktive në dialogun Kosovë-Serbi, duke ndërmjetësuar një marrëveshje ekonomike në Uashington më 2020. Një qeverisje e re Trump mund të përqendrohet më shumë në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes palëve, duke u përpjekur të zgjidhë çështjet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Ballkan.
Një angazhim i tillë do të ishte i rëndësishëm për përparimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe integrimin e saj në organizata si NATO”, shpjegoi ai.
Në fund, eksperti i sigurisë përmendi edhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjë të cilën e kishte mbështetur Trump në të kaluarën.
“Mbështetja ndaj forcave të sigurisë së Kosovës.
Administrata Trump ka mbështetur rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), dhe kjo mbështetje mund të vazhdojë me një mandat të ri. Përforcimi i FSK-së dhe arritja e standardeve të NATO-s do të ishin hapa thelbësorë për Kosovën për të synuar anëtarësimin në aleancë në të ardhmen.
Në përfundim, një qeverisje e mundshme Trump mund të sjellë dinamika të reja në rajon, por do të ishte e nevojshme mbështetja e fuqishme e shteteve kryesore të NATO-s për avancimin e mëtejshëm të Kosovës drejt anëtarësimit”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.