Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa në një prononcim për “Bota sot” komentoi ndikimin e ardhjes në pushtet të Donald Trump.
Së pari, ai foli mbi fushatat zgjedhore që kishin dy kandidatët presidenciale të SHBA-së, ku theksoi se Trump do të fokusohet në forcimin e fuqisë ekonomike dhe sigurisë së vendeve të Ballkanit.
“Trump ka premtuar të forcojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Harris mbështet integrimin!
Kamala Harris ka thënë se, nëse zgjidhej presidente, ajo do të mbështeste vendet e Ballkanit Perëndimor në luftimin e korrupsionit dhe vazhdimin e integrimit euroatlantik, ndërsa presidenti në nominim Donald Trump ka premtuar bashkëpunim ekonomik dhe forcimin e sigurisë në rajon.
Trump e kupton se paqja e vërtetë vjen nga kombe të forta dhe të vetë-mjaftueshme. Administrata e tij do të fokusohet në forcimin e fuqisë ekonomike dhe sigurisë së vendeve të Ballkanit, duke u mundësuar atyre t'i rezistojnë korrupsionit dhe presioneve të jashtme. Kjo do të thotë të mbështesim marrëveshjet strategjike të tregtisë ekonomike dhe masat kundër korrupsionit jo vetëm me fjalë, por përmes partneriteteve efektive, ndarjes së burimeve dhe trajnimeve që forcon institucionet vendore”.
Po ashtu, Softa përmendi edhe qasjen e Trump ndaj NATO-s, ku potencoi se mund të ketë zgjerim dhe se mund të anëtarësohen Kosova dhe Bosnja.
“Trump nuk është kundër NATO-s, por shlyerjes së detyrimeve të tyre kundrejt aleancës, dhe zgjerimi i saj do e përfshijë Ballkanin me Kosovën dhe Bosnjën. Do të ketë ndryshime të partneritetit me drejtuesit politik të vendeve me qeverisje të majta, por përqendrimi i tij do jetë ekonomia amerikane”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, eksperti parashikoi se për Kosovën do të ketë një fazë të re mbështetje amerikane, ku Trump do fokusohet në zgjedhjen e disa problemeve.
“Politikat ndaj Kosovës nuk do të ndryshojnë, por do kenë një fazë të re mbështetje dhe më të vendosur për zgjidhje dhe stabilitet. Mendoj që brenda mandatit të Trump do të ketë zgjidhje të disa problemeve që janë tej zgjatur me bisedime jo produktive me dialogun në Bruksel, Prishtinë-Beograd dhe qasja e Kurtit duhet të jetë refkektim i ndryshimeve të lidershipit amerikan dhe administratës”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.