Kanë kaluar disa ditë që nga fitorja e Donald Trump si president i zgjedhur i Amerikës.
Pas fitores në zgjedhje, e gjithë vëmendja tashmë është përqendruar tek mënyra sesi ai do të qeverisë.
Me zgjedhjen e Susie Wiles si shefe e kabinetit të z. Trumpit, administrata e presidentit të zgjedhur tashmë po merr formë. Në fundjavë ai ka sqaruar se në platformën e tij të mediave sociale “Truth”, se ish- ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley dhe ish- sekretari i Shtetit Mike Pompeo, nuk do të marrin pozitë në kabinetin e ri të tij.
Se si do të veprojë Donald Trump me Ballkanin Perëndimor mbetet të shihet, ndërsa vazhdojnë deklarime nga më të ndryshme për ndikimin e tij.
Analisti britanik, Tim Judah, thotë se Trump ka njerëz të tij që kanë menduar për Ballkanin.
Sipas tij, Ballkani nuk është në listën e çështjeve kryesore.
“Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin. Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t'u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë.
Nëse e pyesni Trumpin sot, cilat janë prioritetet tuaja në Ballkan, mendoj se ai ndoshta nuk do të kishte ide, ndoshta do të kishte vështirësi edhe për ta gjetur Ballkanin në hartë, pra, nuk mendoj se Ballkani është në listën e çështjeve të tij kryesore. Megjithatë, ai duhet të emërojë persona që do të hartojnë politika dhe të merren me pjesën tjetër të botës. Le të shohim se kë do ta caktojë”, ka deklaruar Judah.
Ndërsa, sa pritet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë qeverisjes së Trump dhe a mund të ketë konfrontime në veri të vendit për të arritur një marrëveshje, “Bota sot”, ka pyetur ish- ushtarakun Hafir Hoxhën.
Sipas tij, SHBA dhe BE i kanë lënë në dialog Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë zgjidhje.
“Gjendja faktike politike dhe e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësia e Kosovës kanë treguar që nga viti 2000 se nuk është zgjidhje e pranueshme mes dy palëve dhe kësaj i shtohen edhe katër shtetet e BE-së që nuk e pranuan pavarësinë e Kosovës. Pra, SHBA dhe BE kanë lënë Serbinë dhe Kosovën që me dialog të gjejnë një zgjidhje dhe që dy palët do të pajtohen. Sipas gjitha gjasave, rregullisht Serbia insiston të bëjë një kompromis që domethënë rishqyrtimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova këtë nuk po e pranon, Serbia tenton në mënyrë tjetër të caktohet ajo vijë, e që do të ishte hapësira e bashkësisë së katër komunave me shumicë serbe në veri e që po të formohej ajo bashkësi atëherë Serbia do të bënte çmos që ajo pjesë të bojkotojë shtetin e Kosovës dhe ta sjellë Kosovën para aktit të kryer që ajo pjesë të ndahen nga Kosova dhe t’i bashkangjitet Serbisë”, shprehet Hoxha.
Ai thotë se ka mundësi që rikthehet çështja e ndërrimit të territoreve, gjersa tregon një variant tjetër që do t’i kërkohet Serbisë.
“Trump besoj që e ka mundësinë të intensifikojë bisedimet në rishqyrtim të kufirit dhe Kosova do të duhej të ishte gati edhe për atë variant, duke i ditur saktë cilat pjesë të Serbisë jugore, pra komunat me shumicë shqiptare dhe t’i vendos në baraspeshë për ndërrim të territoreve. Grenell me Bicicin dhe Thaçin gati se ishin dakort t’i hynin kësaj pune, Thaçi e pati të vështirë t’i bind qytetarët e Kosovës për një gjë të tillë, atëherë Trump mes Grenellit e angazhoi edhe Edi Ramën të ndihmojë Thaçin edhe Vuçiqin për një projekt të tillë, Rama i intensifikoi kontaktet me Vuçiqin, por që qytetarët e Kosovës e kundërshtonin dhe ajo punë pushoi sa ishte president Biden. Tani me rizgjedhjen e Trumpit, ka mundësi që kjo çështje të bëhet, nëse jo në bisedime politike atëherë është varianti tjetër që do t’i kërkohet Serbisë të bëjë ekscesë ushtarake e që mund të binden qytetarët e Kosovës që të pranojnë atë variant”, shton Hoxha.