Arsyet pse po mbahet konfidenciale/ Kur do të ndodhë padia për gjenocid ndaj Serbisë?

Politika

Arsyet pse po mbahet konfidenciale/ Kur do të ndodhë padia për gjenocid ndaj Serbisë?

Nga: P.Rudi Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 08:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Edhe pse e kishte premtim elektoral padinë ndaj Serbisë  për gjenocidin e kryer në Kosovë para se të zgjidhej kryeministër, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur ani pse Albin Kurti është fare në fund të mandatit të tij në krye të qeverisë.

Vetëm pas afër katër vitesh në postin e kryeministrit, Kurti ka ndarë informacione për këtë çështje, duke thënë se janë të detyruar që përgatitjet rreth padisë për gjenocid ndaj Serbisë, t’i zhvillojnë jashtë syve të publikut, pasi kjo është një çështje konfidenciale.

“Në kuptimin e përmbajtjes nuk mund të flas meqenëse këto përgatitje përfundohen në konfidencialitet, sepse kemi të bëjmë me një shtet armiqësor ndaj nesh, që nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan të fabrikuara”, tha kryeministri Kurti pas një vizite në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, një nga meritat e qeverisë së këtij mandati qeverisës në Kosovë është krijimi i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës Në Kosovë.

“Ky institut është tashmë shtetëror, financohet nga shteti dhe ka logjistikë të krijuar me buxhetin e shtetit, dmth të taksapaguesve të Kosovës. Ky institucion mund të ngrihej edhe më parë nga qeveritë PDK – LDK, por ato nuk u morën seriozisht me çështjen e krimeve serbe kundër shqiptarëve, të cilat shkojnë në përmasat e gjenocidit, pra, të zhdukjes fizike të një populli, për shkak të etnisë së ndryshme nga etnia serbe. Nuk patën interes, sepse panë më shumë nga dritarja e huaj sesa nga dritarja nga shihen varret masive, shkrumbimin e shtëpive dhe trashëgimisë kulturore, karvanet e refugjatëve, kampet e tyre, përdhunimet masive e të tjera krime kundër njerëzimit që Serbia ka bërë në dhjetë vitet e fundit të shekullit të kaluar. Nëse do të shihnin nga ajo dritare, atëherë do të kishin bërë diçka, do ishin marrë në mënyrë institucionale për të grumbulluar prova, fakte, dëshmi të të gjitha llojeve për të vërtetuar se në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 është kryer gjenocid”, shprehet Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Fajtor për mos padinë ndaj Serbisë për gjenocid, Bytyçi i bën edhe qeveritë e mëparshme në Kosovë, për të cilat thotë se nuk u morën fare me këtë çështje.

“Nisja nga qeveria Kurti e këtij veprimi ishte me vonesë. Njëzet vite pas luftës kanë humbur jetën jo pak dëshmitarë, janë pakësuar detajet në memorien e njerëzve, mund të kenë humbur dhe dëshmi autentike si video, shkrime, shënime, ditare, kujtime e të tjera si këto. Nuk është ky një dëm i vogël. Madje qeveritë e para Kurtit as që e përmendën ndonjëherë çështjen e reparacioneve të luftës për Serbinë. Kishin frikë se mërziteshin miqtë e Beogradit në Perëndim e në Lindje. “Paqe, bisedime, ta lejmë pas të shkuarën, të shohim nga e ardhmja”, na thonin. Ky qëndrim më ka bindur se artikuluesit e këtyre arsyetimeve ishin peng të Beogradit dhe miqve të Serbisë kudo në botë. Ndryshe nuk ndodh që një lider politik, populli i të cilit është djegur i gjallë, të thotë se “ta harrojmë të kaluarën”, gjë të cilën Baton Haxhiu e përktheu në mediat publike me arsyetimin “Nuk kemi çfarë flasim tash pas 20 vitesh për krime të luftës të Serbisë në Kosovë”!”, thekson Bytyçi.

“Megjithatë Kosova tashmë prej pak vitesh e ka një institut që hulumton dhe punon, shpresoj me përgjegjësi, për të zbuluar krimet kundër njerëzimit që ushtria, shteti, policia, paraushtarakët, akademia, kisha serbe ka bërë kundër shqiptarëve. Shpresoj se në këtë projekt hulumtimi të thelluar do të ketë prova dhe fakte tmerruese për gjyqin deh gjyqtarët që do t’i shohin ato. Besoj se do të dinë t’i lidhin e të bëjnë një sintezë të shkaqeve të krimeve gjenocidiale serbe në Kosovë, gjithë për të cilën duhen zbuluar dhe pasqyruar edhe programet, memorandumet dhe planet operative të Serbisë për asgjësimin e shqiptarëve. Korrelacioni psh i asaj që ka ndodhur në vitet 1990 në Kosovë dhe memorandumit të Akademikut serb, Vaso Çubrilloviq, provon plotësisht bazën ideore dhe strategjike të krimeve serbe kundër shqiptarëve”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej ai thotë se vullneti politik i qeverisë së Kosovës për zbulimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë ekziston, dhe vizita e kryeministrit në institutin përkatës e dëshmon këtë.

“Unë jam i bindur se në këtë institut janë instaluar specialistë, ekspertë, studiues të aftë e të kualifikuar, por edhe të pasionuar pas së vërtetës. Kjo do të thotë se grumbullimi, përpunimi, analiza dhe ballafaqimit krahasues i të dhënave, fakteve, provave dhe dëshmive duhet të bazohet në teoritë e kërkimit shkencor. Sipas këtyre teorive ka shumë rëndësi përshkrimi i çdo ngjarje dhune e terrori të Serbisë në Kosovë. Duhet ndërtuar një material studimor e hulumtues i pakontestueshëm, me gjetje therëse dhe bindëse. Dhe kjo besoj se do të ndodhë. Vullneti politik i qeverisë së Kosovës për zbulimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë ekziston dhe vizita e kryeministrit në institutin përkatës e dëshmon sërishmi këtë vullnet. Kjo është kryesore. Ndërsa forcat intelektuale në Kosovë, pa dyshim, që kanë potencialin profesional e patriotik për të punuar me përkushtim për këtë qëllim. Çështja që ju theksoni për mbajtjen konfidenciale të punës që bëhet në këtë institut është një çështje shumë e drejtë. Konfidencionaliteti i punës studimore, deri në publikimin e rezultateve të tij është normë e etikës deantologjike, është çështje e integritetit profesional”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se çështja e padisë për gjenocid me të drejtë mbetet konfideciale.

“Por në rastin konkret kemi të bëjmë dhe me integritetin e shtetit dhe kombit. Nuk mundet që diçka që ndodh në këto hulumtime e kërkime të dalë jashtë institutit. Nëse ndodh kjo, atëherë kemi të bëjmë me manipulimin e studimit përkatës. Manipulimi deformon vetë qëllimin dhe përmbajtjen e punës kërkimore për Krimet serbe në Kosovë. Ndërkohë që i jep agresorëve serbë shansin të ndërtojnë strategjinë e kundërshtimit të manipuluar gjithashtu. Ruajtja e sekretit hulumtues dhe studimor në institut është detyrë primarë, krahas cilësisë së punës që ai bën. Besoj se në këtë ekip ka një projekt konkret. Është përcaktuar se çfarë teze do të provohet ose se cila (cilat) do të jenë pyetjet kërkimore. Janë caktuar grupet e ekspertizës për çdo fushë dhe element të studimit. Janë fiksuar emrat e atyre që do të bëjnë përpunimin e analizën e të dhënave dhe kësisoj në fund qytetarët e Kosovës do të kenë një produkt cilësor dhe të pakontestueshëm për atë që kanë ndodhur në Kosovë gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat